Podgoricë – Deputetët shqiptarë në kuvendin e Malit të Zi, Genci Nimanbegu dhe Fatmir Gjeka në një konferencë për media të organizuar në hollin e Kuvendit të Malit të Zi, shprehën kundërshtimin e tyre në lidhje me inicimin nga ana e qeverisë të ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për regjistrat e vendbanimit të përhershëm dhe të përkohshëm.
Deputeti i koalicionit, “Lista Shqiptare”, Genci Nimanbegu, tha se duke u bazuar në kalkulimin e tyre që këto ndryshime eventualisht mund të prekin afro 60 mijë persona, u detyruan që të thonë njëzëri se janë kundër këtyre propozimeve të cilat siç tha, nëse miratohen mund të krijojnë efekt negativ në disa aspekte.
“Ndryshimi i rregullores mbi vendbanim të përhershëm mund të “lehtësojë” jashtë procedurave të zakonshme, inkuadrimin apo dhënien e shtetësisë së Malit të Zi të mijëra personave, dhe ato kanë pasoja negative edhe në regjistrin e zgjedhëseve, dhe në ketë situatë të polarizuar në Mal të Zi sigurisht që do të ngritin konflikte brenda shoqërisë në nivel të padëshiruar, siç dëshmојnë çdo ditë. Në Ligjin mbi regjistrat mbi vendbanim të përhershëm dhe të përkohshëm, intenca që me vendim administrativ të bëhet ç ‘regjistrimi dhe pastaj “riregjistrimi” i vendbanimit të përhershëm ka të bëjë jo kinse me nevojën e rregullimit të listave zgjedhore por me një iniciativë me qëllime edhe më problematike në lidhje me situatën ku gjendet diaspora jonë, apo edhe qytetarët që në një afat kohor të shkurtër një vjeçar do t’u pamundësohet të regjistrohen sërish, dhe si rezultat i kësaj edhe heqja e drejtës së votës”, u shpreh Nimanbegu.
Ai ndër të tjera vuri në dukje se synohet që këto çështje t’i adresohen së pari diasporës shqiptare dhe pakicave të tjera që sipas tij, përkujtojnë në retorikën vite me radhë të opozitës së dikurshme, sot pozitës, ku për referendum apo për rezultate zgjedhore u fajësuan “votuesit fantom” nga pakicat.
“A ka nevojë të përkujtoj edhe nënçmimin e bërë ndaj pakicave që vota jonë ishte më pak e vlefshme se votat e të tjerëve dhe se në referendum është dashur 55 për qind për rezultat të pranueshëm. Akuzat drejtë jolegjitimitetit të votuesve të pakicave ne i kuptojmë indirekt si shenjë e mospranimit të pavarësisë së Malit të Zi, edhe sot e kësaj dite. Në një mënyrë kur qeveria propozon këso lloje ndryshimesh i jep mesazh jodemokratik diasporës, se ajo është e padëshiruar”, theksoi Nimbanbagu.
Nimanbagu, ndër të tjera tha se do të jenë në mbrojtje të të drejtave të të gjithë qytetarëve në Mal të Zi dhe në diasporë, ndërsa ftoi shoqatat e diasporës shqiptare që t’a mbështesin fuqishëm qëndrimin e dy deputetëve shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi dhe të ngritin zërin si te faktori ndërkombëtarë ashtu edhe drejtë regjimit në pushtetit në Mal të Zi.
Në të njëjtën kohë, edhe deputeti i koalicionit shqiptar, “Bashkë nji za”, Fatmir Gjeka tha se koalicioni që ai përfaqëson, por edhe të gjitha strukturat politike dhe organizatat, nuk kanë dyshim se kjo është një përpjekje për manipulime zgjedhore, dhe kur bëhet fjalë për shqiptarët, sipas Gjekës, kjo është një përpjekje edhe për ndryshime etnike.
“Një popull historik e autokton në Mal të Zi, pra shqiptarët, në këtë mënyrë ndoshta do të binin në nivelin e të ashtuquajturës, gabim statistikor. Ne nuk mund dhe nuk do të pajtohemi kurrë me diçka të tillë. I bëjmë thirrje ministrisë kompetente dhe Qeverisë së Malit të Zi që të ndalojnë lojëra të tilla të rrezikshme që nuk i përjetuam as në kohën e Sllobodan Millosheviqit”, u shpreh Gjeka në këtë konferencë për media.
Ai ndër të tjera ka thënë se janë kundër çdo propozimi ose akti ligjor që do të privonte vëllezërit, të afërmit dhe miqtë nga të njëjtat të drejta që kemi në shtetin tonë.
t. u.