Është e vështirë, por sfiduese të jesh stërmbesë e një kolosi letrar si Martin Camaj

Melisa Braci është një vajzë e re politikane nga Shkodra, është kandidate për deputete për Qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e 25 prillit. Ajo është pjesë e partisë politike “Lëvizja për Ndryshim”. Znj. Braci është juriste e diplomuar dhe aktualisht është duke ndjekur studimet e magjistraturës në Universitetin e Torinos në Itali për Shkenca Ndërkombëtare. E lartëpërmenduara është çertifikuar nga Universiteti i Tartusë në Estoni për “Marrëdhënie Ndërkombëtare BE-Rusi” dhe “Sudime Rajonale të Detit Baltik”. Po ashtu ajo ka ndjekur edhe disa kurse ndërkombëtare mbi konstitucionalizmin rus, politikat amerikane dhe politikat nukleare. Përveç tjerash vlenë të theksohet se politikanja Braci është njohëse e disa gjuhëve të huaja: gjuhës angleze, italiane, latine, ruse dhe asaj frënge

Koha Javore: Znj. Braci, duke marrë parasysh që jeni në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe jeni kandidate për deputete për Qarkun e Shkodrës, a mund të na flisni pak për gjendjën aktuale politike në Shqipëri, si e shikoni ju?
M.Braci: Gjendja aktuale politike në Shqipëri është shumë e zymtë dhe e paqartë. Sot, politika shqiptare vuan nga një mungesë totale besimi nga ana e qytetarëve , por në të njëjtën kohë dhe nga këmbëngulja e drejtuesve të klasës politike për të ruajtur pushtetin e tyre me çdo kusht. Diferenca është shumë e thellë mes kërkesave që kanë shqiptarët dhe ofertës së njëjtë 30 vjeçare që japin këta politikanë. Një ofertë e bazuar në korrupsion, premtime të pambajtura, regres dhe kryetarokraci. Këta politikanë kanë treguar se janë bashkë vetëm kur ka interesa personale të përputhura dhe vazhdojnë e janë bashkë për këtë qëllim. Ne, praktikisht, kemi një qeveri të korruptuar, të paaftë dhe të inkriminuar, por kemi dhe një kryeopozitar të vetëquajtur, që spanjollët do e titullonin me të drejtë “ministër Opozite, që ka shitur vullnetin e secilit prej besimdhënësve ndaj Partisë që ai sot e ka uzurpuar. Politika aktuale s’ po merret efektivisht as me pandeminë, as me ringritjen ekonomike, as me integrimin euroatlantik, as me luftën ndaj krimit e korrupsionit, as me parandalimin e shpopullimit masiv, as me politikën e jashtme, të cilat janë prioritet e çdo qytetari sot. Këtu ka vetëm show mediatik politik që prodhon vetëm mllef e indiferencë qytetare ndaj politikës.

Koha Javore: Jeni politikane e re, por që prej disa vitesh e angazhuar dhe aktiviste në Forumin e Partisë Demokratike, si i parashikoni zgjedhjet e 25 prillit, a mendoni që do të bëhen ndryshime dhe sa ka nevojë Shipëria për to?
M.Braci: Besoj se zgjedhjet e 25 prillit do jenë zgjedhje vendimtare për fatin e Shqipërisë. Shqipëria ka përjetuar këto 8 vite vetëm regrese, në çdo fushë dhe sot ne të gjithë jemi përballë dy rrugëve: E para, ajo e 3 Kryetarëve që është baraz me korrupsion, regres dhe kufizime lirie. E dyta është rruga e ndryshimit, ringritjes, drejtësisë, integrimit dhe fuqizimit të shtetit, por dhe kombit shqiptar. Sepse politikanët shqiptarë në fund të ditës nuk duhet të mendojnë vetëm për 3 milionë (zyrtarisht) qytetarë Shqiptarë, por dhe për miliona të tjerë në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut e diasporë. Këto ndryshime janë domosdoshmëri në vitin 2021, përballë krizave kaq të thella sociale, politike, ekonomike, shëndetësore e ideologjike që po përjetojmë. Nëse Shqiptarët zgjedhin rrugën e 3 Kryetarëve, fati i Shqipërisë do jetë i dhimbshëm. Por, unë mendoj që situata politike është aq e paaprovueshme nga bashkëqytetarët sa do ketë votë masive proteste dhe alternative këtë herë.

Koha Javore: Cila është partia politike pjesë e së cilës jeni aktualisht, dhe kur është formuar?
M.Braci: Partia politike në të cilën unë bëj pjesë quhet “ Lëvizja për Ndryshim”. Është një parti e qendrës së djathtë, lindur si nevojë imediate për t’ iu përgjigjur politikisht kërkesës së qytetarëve për ndryshim. Është themeluar që në Tetorin e vitit të kaluar, pra praktikisht kemi 6 muaj jetë. Në këto 6 muaj jemi detyruar të kryejmë njëkohësisht procedurat ligjore për themelimin, promovimin e kësaj partie dhe pastaj direkt fillimin e fushatës dhe ngritjen e strukturave, gjë që është sfidë e disafishtë në krahasim me partitë e tjera ekzistente. Megjithatë, këto sfida s’ janë aq të vështira kur bazë veprimi janë parimet e vlerat. Ne jemi një parti e krijuar nga të rinj brenda dhe jashtë vendi, profesionistë dhe personalitete të pakompromentuara në fushën e tyre, të pakorruptuar dhe me një të shkuar të djathtë të pastër. Shumë nga ne i kanë rrënjët politike nga Partia Demokratike, së bashku me lideren e zgjedhur po me këtë të shkuar, ish-kryeparlamentaren Znj. Jozefina Topalli, dhe i kemi hyrë kësaj rruge të vështirë për të ringritur e ndryshuar Shqipërinë, por dhe për të ringritur të djathtën që sot është prè e kryetarokracisë së imponuar.

Koha Javore: Gjendemi në rrethana të papërshtatshme sa i përket zhvillimit të fushatave elektorale, kjo për shkak të pandemisë që ka kapluar botën. Si i organizuat takimet parazgjedhore dhe sa efektive mendoni që mund të kenë qenë këto takime?
M.Braci: Takimet tona kanë qenë të shumta në numër, por të vogla në përbërje, pikërisht për shkak të pandemisë. Ne nuk hyjmë tek ata politikanë që vendosin në punë gjithë artilerinë e strukturave partiake që e gëzojnë falë siglës e jo vlerave personale e të grupit, për të treguar forcën tonë. E para, kjo nuk është treguese e frymës popullore sepse janë strukturat e anëtarësisë dhe jo qytetarë të thjeshtë dhe së dyti ne s’ mund të pretendojmë votëbesim duke vendosur në rrezik shëndetin e jetën e shqiptarëve. Prandaj, jemi të sigurtë se për aq sa kemi bërë janë takime efektive dhe pozitive. Rezultati do e tregojë më mirë.

Koha Javore: Jeni juriste e diplomuar dhe aktualisht po ndiqni studimet e magjistraturës në Universitetin e Torinos në Itali për Shkenca Ndërkombëtare, po ashtu jeni njohëse e disa gjuhëve të huaja, si: angleze, italiane, frënge, latine dhe ruse…. Duke i marrë parasysh gjitha këto njohuri, pse u fokusuat pikërisht tek politika? Çfarë ju shtyu, mos ndoshta vullneti për të bërë ndryshime në vend?
M.Braci: Pikërisht, fakti që studioj për Shkenca Ndërkombëtare dhe jam çertifikuar në kurse të tjera politike më bën të pandashme me politikën, si po të angazhohesha aktivisht e si jo. Megjithatë, politika për mua është dhe vokacion që e vogël dhe hyj tek ata persona që besojnë se politikan lind e nuk bëhesh. Por, ato që më shtynë të hyja konkretisht e publikisht në politikë janë analfabetizmi politik i parlamentarëve të viteve të fundit në vend, mungesa e demokracisë brenda e jashtë partive, regresi total, shpopullimi dhe situata e kryqëzuar e marrëdhënieve ndërkombëtare në nivel global, ku besoj se Shqipëria duhet të marrë një qëndrim preciz e konkret.

Koha Javore: Përveçse jeni pjesë e politikës brenda vendit, ju jeni e përfshirë edhe në atë të jashtmen, a mund të na flisni diçka më shumë për angazhimet tuaja jashtë Shqipërisë dhe po të bëjmë një krahasim, sa ndryshon politikëbërja në vendin tuaj dhe jashtë tij?
M.Braci: Në Shqipëri nuk ka politikë, as politikanë. Ka interesa personale të veshur me pushtet legjislativ, ekzekutiv dhe mediatik. Në një vend ku s’ ka të majtë e të djathtë, ku s’ ka debat politik ideologjik, ku nuk ka përballje idesh , por militantësh, dhe ku nuk ka forume e think-tanke partiake, por kafe dhe festa partiake ,nuk mund të flasim për politikëbërje.Këtu qëndron ndryshimi mes partive politike jashtë vendi , ku unë marr pjesë dhe me strukturat kryetarokrate shqiptare.

Koha Javore: Ju njohim edhe si mbesa e ish-shkrimtarit, akademikut dhe albanologut të njohur shqiptar Martin Camaj, sa ju gëzon ky fakt?
M.Braci: Ky fakt më gëzon shumë, por dhe më jep shumë përgjegjësi. Është e vështirë, por sfiduese të jesh stërmbesë e një kolosi letrar si Camaj e të kërkosh të mbash atë nivel intelektualizmi e mirësie për kombin tënd.

Koha Javore: Kur mendoni që do ta shohim Shqipërinë të antarësuar në BE, sa optimiste jeni ju sa i përket kësaj çështjeje?
M.Braci: Sigurisht, as brenda 100 ditëve të qeverisë së pas 25 prillit, siç thotë Lulzim Basha, por as momentalisht siç thotë Edi Rama. Unë jam duke u profilizuar në fushën e studimeve Evropiane dhe e di si është situata brenda BE-së dhe e jona. Di dhe procesin burokratik të plotësimit të kapitujve të Traktateve Evropiane që zgjat shumë. As ne s’ jemi gati për të hyrë, as BE-ja s’ është gati të na pranojë pa u evropianizuar Shqipëria, por gjithmonë duke ruajtur identitetin kombëtar. Nuk kam një datë konkrete, por di që kur të fillojë ndryshimi brenda nesh, do fillojë dhe afrimi ndaj strukturave evropiane.

Koha Javore: Një mesazh për të gjithë votuesit tuaj?
M.Braci: Më 25 prill, zgjidhni identitetin kombëtar dhe dinjitetin personal, para siglave partiake dhe interesave personale të 3 Kryetarëve. Më 25 prill, zgjidhni Ndryshimin, para Riciklimit.
Më 25 prill, mos e shit votën, sepse je Shqiptar!Intervistoi: Shtjefën Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat