Ulqin – Në sallën e konferencave të Hotelit “Plaza”, të dielën është bërë përurimi i librit “Pakica shqiptare në Mal të Zi – midis bashkëpunimit dhe nënshtrimit” i autorit Allmir Çausheviq.
Autori ka thënë se shpreson që ky libër të paktën të hapë debat, jo në kuptimin nëse dikujt i pëlqen apo jo, por nëse partitë shqiptare do të vazhdojnë me të njëjtin model si deri tani apo do të ndërrohet modeli i qasjes së politikave të tyre.
Libri përbën temën e punimit të masterit të autorit në Universitetin e Gracit. Ai është një studim gjithëpërfshirës dhe një pasqyrë mbi veprimtarinë e partive politike shqiptare në Malin e Zi dhe të përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Malit të Zi, në harkun kohor midis viteve 1998-2016
Çausheviq ka treguar se ka zgjedhur këtë periudhë për studim “pasi që në vitin 1998 për herë të parë në mënyrë formale fillon edhe bashkëpunimi formal midis partive shqiptare, së paku një partie, dhe partisë së atëhershme në pushtet apo PDS-së”.
Autori ka theksuar se libri “përfshin disa hulumtime që përcaktojnë veprimtarinë politike të partive shqiptare dhe tenton të vendosë një bazë shpjeguese për bashkëpunimin e vazhdueshëm të tyre me PDS-në”.
Sipas tij, ajo që është më shqetësuese e që e kanë konfirmuar pothuajse të gjithë deputetët e partive shqiptare është se “asnjë marrëveshje me PDS-së nuk është respektuar, ndërsa të gjitha çështjet e diskutueshme që përdoren dhe që janë përdorur në marrëveshje ende presin të zgjidhen”.
Njëri prej përfundimeve të librit është se përkundër demokratizimit të Malit të Zi, si rezultat edhe i përpjekjeve në procesin e anëtarësimit në BE, ku vërehet avancimi sidomos i kuadrit ligjor gjë që hap mundësi për përmirësim, kjo nuk ka pasur ndikime pozitive në pozitën e shqiptarëve.
“Pakica shqiptare në dy dekadat e fundit po përballet gjithnjë e më shumë me pengesa të njëjta apo të ngjashme në kontekstin e zhvillimit socio-ekonomik, pavarësisht prej pjesëmarrjes së tyre aktive në procesin e vendimmarrjes dhe bashkëpunimin me koalicionin qeverisës”, ka thënë Çausheviq.
Vlerësime për librin dhe temën që ai trajton kanë dhënë Boris Raoniq, Ismet Kallaba, Qani Osmani, Xhemal Peroviq dhe nënkryetarja e Komunës së Ulqinit, Hadixha Gjoni.
Boris Raoniq nga Aleanca Qytetare ka thënë se megjithëse Mali i Zi është i definuar me Kushtetutë si shtet qytetar, nëse kemi parasysh se çfarë kemi kaluar gjithë këto vite, pastaj shkallën e distancës etnike në Mal të Zi, faktin se mjediset më të pazhvilluara në Malin e Zi janë pikërisht ato ku banojnë shqiptarët, nënpërfaqësimin e shqiptarëve në qeveritë e kryesuara nga Partia Demokratike e Socialistëve, atëherë mund ta merrni me mend se në çfarë gjendjeje ndodhet jo vetëm komunitetit shqiptar, por edhe shoqëria jonë.
“Nuk është kjo përgjegjësi e shqiptarëve, por e tërë shoqërisë. Dhe atëherë normalisht që fillojmë me tregimin për të drejtat e pakicave, dhe është normale që kemi partitë nacionale”, ka thënë ai.
Raoniq ka kritikuar partitë politike shqiptare, për të cilat ka thënë se në intervistën që është realizuar për qëllimet e studimit i ka quajtur satelitë të PDS-së.
Ai ka nënvizuar problemin e copëzimit të partive politike të shqiptarëve në Mal të Zi, marrëdhëniet e pakuptueshme mes tyre dhe mungesën e bashkëpunimit.
Raoniq ka shtruar pyetjen se “Pse ekziston nevoja për gjithë këto parti?!”, duke u përgjigjur vetë se “Të gjithë e dini mirë”.
Gazetari Ismet Kallaba ka thënë se përzgjedhja e objektit të studimit të librit është me rëndësi të veçantë, sidomos për vetë shqiptarët në Malin e Zi, duke qenë se deri tani nuk kemi pasur ndonjë studim të thelluar mbi këtë çështje dhe problematikat që ngërthen ajo.
“Për këtë arsye, duhet vlerësuar autorin për guximin për t’u përballur me një temë sa të rëndësishme, po aq edhe të ndjeshme”, ka thënë ai.
Kallaba ka thënë se për qëllimet e studimit autori ka përdorur të dhëna sasiore dhe cilësore, të siguruara në arkivat e partive politike, Kuvendin e Malit të Zi, nga intervistat me deputetët shqiptarë, nga anketimi i opinionit publik shqiptar etj.
“Analiza e këtyre të dhënave e ndihmon autorin në interpretimin sa më me objektivitet, ofron mundësi për analiza krahasuese, duke nxjerrë përfundime mbi bazën e fakteve”, ka theksuar ai.
Në vijim Kallaba ka thënë se ky libër nuk duhet kuptuar e as trajtuar si një kritikë ndaj partive politike shqiptare dhe përfaqësuesve të tyre (deputetëve) në Kuvendin e Malit të Zi.
“Përkundrazi, studimi iu shërben vetë partive politike shqiptare për të përmirësuar punën e tyre në të ardhmen. Në të vërtetë, të dhënat, pra rezultatet e studimit dhe përfundimet e tij janë një alarm për partitë politike shqiptare, për nevojën e rishikimit të politikës së tyre dhe ndryshimin e strategjisë së veprimtarisë së tyre politike. Ai është një ftesë për debat politik”, ka nënvizuar ai.
Sociologu dhe publicisti Qani Osmani ka thënë se autori i librit ia ka arritur qëllimit të bëjë një studim shumë serioz për pakicën shqiptare dhe partitë politike shqiptare si përfaqësues autentikë të kësaj popullate autoktone në Mal të Zi.
“Autori në këtë punim në veçanti i gjurmon fenomenet politike dhe juridiko-politike të funksionimit të partive politike shqiptare prej fazave më të hershme të zhvillimit të tyre e deri më sot. Këto fenomene shoqërore autori i vë në pah përmes një qasjeje serioze hulumtuese, ku jepen kahjet për zhvillimin e partive politike shqiptare, demokracisë dhe formës së përfaqësimit politik”, ka thënë ai.
Sipas Osmanit, autori Allmir Çausheviq ka bërë përpjekje që t’i identifikojë problemet e përfaqësimit politik në Mal të Zi dhe të nxjerrë konstatime të qëndrueshme për problemet e realizimit të shumëpartiakësisë në këtë vend.
Ai ka theksuar se nga hulumtimet në terren në lidhje me veprimin politik të përfaqësuesve të partive politike shqiptare në aktivitetet parlamentare, autori nxjerr edhe konkludime të qëndrueshme shkencore që kanë të bëjnë me rënien e besimit te partitë politike shqiptare për shkak të mosrespektimit të marrëveshjeve.
Për ish-deputetin dhe aktivistin e shoqërisë civile, Xhemal Peroviq, vlera e këtij libri nuk qëndron as në statistikat, as në numrat, sidomos jo në atë se çfarë ka deklaruar ai apo deputetët tjerë shqiptarë në intervistat që janë realizuar për qëllimet e studimit, pasi që ato janë opinione personale dhe mund të jenë rezultat i debatit.
“Mirëpo, Allmiri ka hyrë në bodrumet e Kuvendit të Malit të Zi dhe nga arkivi i ka nxjerrë dhe i ka përmbledhur në një vend për këdo që do t’i interesojë sot, nesër, pasnesër dhe paraqet për disa edhe pasqyrë që të shikohen në to, edhe ta dinë se veprimet dhe fjalët shënohen. Dhe kjo e rrit nivelin e përgjegjësisë së aktorëve politikë se si do të vlerësohen në një periudhë tjetër, e sot ne jetojmë në një realitet të ri”, është shprehur ai.
Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, Komunës së Ulqinit dhe Aleancës Qytetare.
i. k.
Ftesë për debat
Sociologu dhe publicisti Qani Osmani ka thënë se autori i librit ia ka arritur qëllimit të bëjë një studim shumë serioz për pakicën shqiptare dhe partitë politike shqiptare si përfaqësues autentikë të kësaj popullate autoktone në Mal të Zi