Letërsia shqipe është letërsi evropiane

Koha Javore: Z. Kraja, si e vlerësoni letërsinë shqipe që krijohet sot në hapësirën shqiptare, përfshirë edhe diasporën?
M. Kraja: Letërsia shqipe i ka avantazhet dhe disavantazhet e saj. Në fund të shekullit XX ajo përjetoi një zhvendosje të madhe, sepse u shkëput nga rrafshi ideologjik dhe u vendos në rrafshin artistik, si çdo letërsi tjetër evropiane. Nuk kishte ideologji vetëm në letërsinë e Shqipërisë, por edhe në letërsinë e Kosovës, edhe të diasporës, siç e quani ju, sepse në krejt hapësirën shqiptare letërsia duhej të funksiononte e pandarë nga një korpus idesh: diku këto ide ishin më shumë komuniste, diku tjetër nacionale, pra me një fjalë, bëhej fjalë për letërsi utilitare, e cila përveçse të kryente një funksion artistik, duhej të kryente edhe funksione të tjera.

Ndoshta problemi më specifik i letërsisë shqipe është pamundësia për të ndërtuar kritere të qëndrueshme vlerësimi, ose për të unifikuar shijen e lexuesit, nëse mund të thuhet kështu, sepse lexuesin e ka me mungesë të madhe dhe askush nuk e di nëse ai funksionon ose jo

Kjo kohë kaloi dhe tani letërsia përballet me veten, me fuqinë e saj, me artin e saj. Pra, letërsia nuk mund të fshihet më pas ideve, as pas detyrave të tjera, duhet të mbahet pas artit të saj: teksti duhet të shkruhet bukur, fraza duhet të jetë kreative, gjuha duhet të jetë e kultivuar dhe kjo nuk është aq e thjeshtë. Në këtë pikë, letërsia shqipe i ka problemet e saj, disa janë probleme të ngjashme me letërsitë e tjera, disa janë specifike. Ndoshta problemi më specifik i letërsisë shqipe është pamundësia për të ndërtuar kritere të qëndrueshme vlerësimi, ose për të unifikuar shijen e lexuesit, nëse mund të thuhet kështu, sepse lexuesin e ka me mungesë të madhe dhe askush nuk e di nëse ai funksionon ose jo.
Por, më anë tjetër, duke qenë se jam lexues i rregullt i letërsisë për një kohë të gjatë dhe duke qenë se kam një informacion për letërsinë në përgjithësi, them se letërsia shqipe është letërsi evropiane, është më mirë se disa letërsi të rajonit, tjetër është se te ne ka një deficit shtetëror sa iu përket politikave kombëtare rreth kulturës dhe letërsisë: nuk ka stimuj, nuk ka nxitje, nuk ka mbështetje të qëndrueshme. Në kulturën shqiptare ndërhyrjet shtetërore janë çorientuese.

Koha Javore: Letërsia shqipe dikur ka qenë e ndarë në varësi të rrethanave politike. Po sot, 30 vite pas hapjes së Shqipërisë, si funksion? Sa mund të flasim për letërsinë shqipe si një e tërë?
M. Kraja: Po, letërsia shqipe është një e tërë, e tillë ka qenë edhe atëherë kur bota shqiptare ishte ndarë me kufij të pakapërcyeshëm. Natyrisht që në rrethana të tilla, para se të binin muret tona “të Berlinit”, letërsia shqipe kishte gjuhën e përbashkët, kishte traditën e përbashkët, por kishte realitete të ndryshme politike dhe jetësore, ishte e prirë ndaj ndikimeve të ndryshme, pra, kishte përvoja të ndryshme, ishte një periudhë çintegrimi.

Fjalori Enciklopedik i Kosovës, e them pa asnjë mëdyshje, është vepra më e mirë leksikografike që është botuar ndonjëherë në gjuhën shqipe. Me këtë Fjalor është kodifikuar dija enciklopedike për Kosovën

Në të vërtetë, deri në fund të shekullit XX letërsia shqipe, njësoj si populli i saj, nuk arriti të integrohej ndonjëherë, as në periudhën e Rilindjes, as të indipendencës dhe as të kohës së socializmit. Është interesant ky fakt: socializmi në shumë kultura lindore, me gjithë problemet që bartte, mbase kishte një përparësi: i integroi kulturat ndërvetishëm, mbi baza ideologjike, natyrisht, kurse te ne krijoi ndasi të mëdha, për shkak të dallimeve ideologjike dhe kombëtare të shteteve ku jetoi dhe mbijetoi kultura shqiptare. Në këtë kontekst, letërsia shqipe vjen në fund të shekullit XX si një e tërë në pikëpamje të traditës dhe trashëgimisë, edhe të gjuhës, por e ndarë në pikëpamje të përvojës letrare.
Ajo që shkaktoi një lloj traume në fillim të shekullit XXI, ishte pamundësia që sërish të funksionojë një letërsi e Kosovës si përvojë e ndarë e letërsisë shqipe, sepse nuk ekziston më asnjë nevojë, asnjë arsye që ajo të shkruhet si e tillë. As në diasporë, as në hapësirat e tjera shqiptare. Deri në fillim të këtij shekulli, për shkak të rrethanave dezintegruese në botën shqiptare, letërsia e Kosovës ishte një lloj letërsie arbëreshe në letërsinë bashkëkohore shqipe. Me themelimin e shtetit shqiptar, letërsia arbëreshe nuk funksionoi më, sepse diaspora e humb rolin e vet. Me çlirimin e Kosovës dhe me heqjen e pengesave në komunikim kulturor, letërsia e Kosovës e humb rolin e vet, në raport me letërsinë e unifikuar shqipe. Po të vazhdonte të mbahej me kryeneçësi, do t’i ngjante atyre “rebelizmave” gjuhësore që përpiqen të mbijetojnë pas unifikimit të gjuhës letrare shqipe. Por ka një gjë që duhet ta kemi në vëmendje: njësoj si gjuha, përvoja letrare e Kosovës do të jetojë edhe për shumë kohë në letërsinë shqipe dhe një “unifikim i dhunshëm” i kësaj përvoje as që duhet të ndodhë.

Shkruaj për vendlindjen, sepse atë e njoh më së miri, por besoj se ka diçka më shumë se kaq, dhe kjo ka të bëjë me shtresimet e brendshme, me konstelacionin tim shpirtëror, me botën time dhe natyrisht, me nevojën për ta rrëfyer atë realitet. Ndryshe nga ambientet tjera, çfarëdo që të jenë, urbane apo rurale, vendlindja ime ka mitologjinë e vet, ka sistemin e vet të njohjes së botës reale, të botës metafizike dhe transcendentale. Realizmi magjik, i cili ka kërkuar shumë mund që të përçohet në letërsi, aty është krijuar vetvetishëm dhe buron nga vetë njerëzit, nga perceptimi i tyre i fenomeneve jetësore

Koha Javore: Nga kritika vlerësoheni, ndër të tjera, si mjeshtër i gjuhës. Cili është roli i gjuhës në krijimtarinë letrare?
M. Kraja: Unë mbroj një parim: letërsia është gjuhë, njësoj si piktura që është ngjyrë, si muzika që është tingull. Ky është funksioni i gjuhës në letërsi, është shprehje dhe lëndë ndërtimi njëkohësisht. Mua më është tekur të mendoj kështu, por ka të tjerë që nuk e miratojnë këtë, ose i fshehin pamundësitë e veta, duke relativizuar gjuhën. Por një gjë të mos harroj pa e thënë: gjuha jonë është e jashtëzakonshme, është e mrekullueshme, unë e dua shumë dhe përpiqem ta zbuloj dhe ta përdor gjithë pasurinë e saj leksikore, gramatikore dhe sintaksore.

Koha Javore: Në krijimtarinë tuaj vendlindja zë një vend të posaçëm dhe personazhet e disa veprave tuaja shpesh janë persona realë (nga vendlindja). Si e shpjegoni këtë?
M. Kraja: Kjo nuk do ndonjë shpjegim, ka nevojë vetëm të identifikohet dhe të merret si një fakt letrar. Shpjegimi më i thjeshtë është ky: shkruaj për vendlindjen, sepse atë e njoh më së miri, por besoj se ka diçka më shumë se kaq, dhe kjo ka të bëjë me shtresimet e brendshme, me konstelacionin tim shpirtëror, me botën time dhe natyrisht, me nevojën për ta rrëfyer atë realitet. Ndryshe nga ambientet tjera, çfarëdo që të jenë, urbane apo rurale, vendlindja ime ka mitologjinë e vet, ka sistemin e vet të njohjes së botës reale, të botës metafizike dhe transcendentale. Realizmi magjik, i cili ka kërkuar shumë mund që të përçohet në letërsi, aty është krijuar vetvetishëm dhe buron nga vetë njerëzit, nga perceptimi i tyre i fenomeneve jetësore. Rrëfimet nga ajo botë, nga kujtesa dhe mbamendja janë letërsi e mbaruar, janë letërsi autentike.

Koha Javore: Në tetor të vitit 2019 jeni zgjedhur në krye të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Cilat janë problemet me të cilat ballafaqohet dhe prioritetet në veprimtarinë e këtij institucioni kulmor shkencor të Kosovës?
M. Kraja: Akademia e Kosovës ka kaluar periudha të ndryshme, të përdorimit politik dhe ideologjik në kohën e monizmit, pastaj të utilitarizmit dhe së fundi është përfshirë edhe në agjendën e punëve politike të ditës. Kjo e ka luhatur autoritetin e saj. Më anë tjetër, shumë njerëz në Kosovë, po edhe gjetiu në hapësirën shqiptare, kur flitet për akademitë, e kanë të paracaktuar një stereotip, që është stereotipi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve. Shumë njerëz në Kosovë e mendojnë akademinë si institucion që duhet të japë përgjigje në të gjitha çështjet e rëndësishme të kombit dhe të shtetit. Ose edhe më keq se kaq, duhet të gjejnë zgjidhje për çdo gjë që i mungon njeriut të këtij vendi.
Unë përpiqem t’iu them njerëzve se Akademia e Serbisë është modeli më i keq i akademive në botë, sepse ajo, me memorandumin e saj, i ka nxitur dhe projektuar të gjitha luftërat në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Më anë tjetër, Akademitë e modelit si ASHAK, janë akademi honorifike, të cilat mbledhin personalitete të fushave të ndryshme, më shumë për kontributin që kanë dhënë fushat e caktuara. Akademia ka një ndikim moral në jetën publike të vendit, ka rolin e vet në fushën e shkencës, të kulturës dhe të artit, por nuk ka mandat të ndërhyjë në jetën politike, as në vendimet politike.

Koha Javore: Botimi i Fjalorit të parë Enciklopedik të Kosovës, kryeredaktor i të cilit keni qenë ju, ka ngjallur reagime të ndryshme. Si i vlerësoni ato?
M. Kraja: Fjalori Enciklopedik është një botim që i duhej Kosovës dhe mbarë botës shqiptare. Ndër të tjera, bashkë me Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, ai krijon bazën e mirë për Enciklopedinë Shqiptare, bazë hartuese profesionale, por edhe të fjalësit dhe të të dhënave. Vërejtjet rreth Fjalorit, përveç në rastet kur gabimet kanë qenë reale, kanë pasur motiv krejtësisht personal dhe kryesisht kanë ardhur nga individët e pakënaqur me prezantimin ose mosprezantimin në Fjalor, sepse gabimisht Fjalori është perceptuar si “biletë hyrjeje në histori”. Sido që të jetë, Fjalori Enciklopedik i Kosovës, e them pa asnjë mëdyshje, është vepra më e mirë leksikografike që është botuar ndonjëherë në gjuhën shqipe. Me këtë Fjalor është kodifikuar dija enciklopedike për Kosovën.

Koha Javore: Sa janë të përfshirë shqiptarët në Malin e Zi, trevat shqiptare dhe ngjarjet që lidhen me to në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës?
M. Kraja: Sa u përket shqiptarëve të Malit të Zi, ne kemi mbajtur një qëndrim të njëjtë, si me shqiptarët e Maqedonisë (ndryshe nga Lugina e Preshevës, e cila është konsideruar si vazhdimësi edhe gjeografike e Kosovës): gjeografikisht nuk janë përfshirë, por janë përfshirë si tërësi historike dhe kulturore, duke zbatuar kriteret e pandryshuara të përfshirjes.

Koha Javore: Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët në Malin e Zi që të jenë më të integruar në iniciativat kulturore, shkencore etj. ndërshqiptare (kombëtare)?
M. Kraja: Për mendimin tim ka dy mundësi: e para, që të nxisni Malin e Zi të përfshihet në një agjendë bashkëpunimi kulturor me Shqipërinë dhe me Kosovën, ku këmbimi kulturor ndërshqiptar do të kishte hapësirë të veçantë; e dyta, nismat e pavarura janë të mundshme dhe të pëlqyeshme nga secila palë. Ta zëmë, ju keni arritur të bëni disa manifestime kulturore në Ulqin, si panairi i librit, “Kalimera poetike” etj. dhe keni arritur që gjatë verës të bëheni pothuajse ngjarja kryesore kulturore e mbarë botës shqiptare. Nismat e këtilla në Tuz, pra në Malësi, në Krajë, në Katërkollë dhe gjetiu do të gjenin jo vetëm frekuentues, por edhe mbështetës. Pastaj vjen turizmi kulturor, fushë në të cilën Shqipëria ka arritje domethënëse. Me një fjalë, modelet ekzistojnë, duhet vetëm shkathtësi dhe gjeturi më e madhe në nisma për promovim të vlerave që i ka kultura shqiptare në Mal të Zi. Ajo, pa mëdyshje, është pjesë e kulturës kombëtare shqiptare dhe vetëm si e tillë duhet të trajtohet dhe të njihet në mbarë entitetin tonë.

Bisedoi: Ismet Kallaba

Të fundit

më të lexuarat