Nuk rreshtim së foluri për lirinë e të shprehurit e median e lirë. Në vendin tonë duket sikur këto janë ambicie të parealizueshme, gati-gati utopike. Dhe kjo jo pa një arsye.
Është stërthënë që media përbën pushtetin e katërt, ndaj nuk deshëm që edhe ne ta rithemi. Këtë fuqi ia jep medias rolin dhe ndikimin e saj në jetët e njerëzve. Ndërlidhja e saj me politikën i ka fillet që herët, nisur edhe nga fakti se grup-synimi i të dyjave është i njëjtë. “Të dyja kërkojnë ta ndikojnë atë, por vetëm njëra palë synon ta qeverisë dhe ajo është politika. E për këtë, vëmendja e politikës është tek pushteti i medias, që e ndjen si konkurrente, sepse ndikon publikun, qytetarët.”(M. Kociu – “Media mes (vetë)censurës e politikës”). Duket se është arritur në situatën ku, përveç disa përjashtimeve të rralla, një pjesë e mirë e mediave të rëndësishme, janë rreshtuar pak a shumë në anën e pushtetit, duke dëmtuar misionin e tyre publik në emër të interesave të biznesit dhe duke braktisur gjithnjë e më shumë pozicionin e “pushtetit të katërt”. (Rr. Zguri – “The winner takes it all”). Sikur media të përdorte fuqinë e saj në të mirë të zhvillimit të shoqërisë e transparencës, do të bënte që politika të luante një lojë më të ndershme. Megjithatë, kjo anë e medias si rregullatore, kritike ndaj padrejtësive e veseve, media si paditëse dhe si kërkuese e së vërtetës nuk është parë shpesh në vendin tonë. Ajo shumë shpejt humbet në këtë vorbull, ku në vend që të mbajë anën e saj, bëhet pjesë e “krimit”. Blihet, shitet, servilohet e politika shfrytëzon rastin.
Media shpesh harron fuqinë që ka dhe rolin e misionin që duhet të kryej në shoqëri. Në ndjekje të parasë ajo u bë tok me politikën duke i shërbyer asaj. Ajo u shndërrua në një biznes shumë të fuqishëm e fitimprurës. E le të mos harrojmë se politika e ka kuptuar me kohë se paraja ka fuqi joshëse dhe kështu, për nevojat e saj, ajo i blen fare thjeshtë mediat tona varfanjake.
Pra, mund të pajtohemi se problemi kryesor qëndron tek financimi i medias. Të ardhurat e saj bazike janë nga politika dhe si e tillë, ajo është e detyruar ta njoftojë publikun me atë version të historisë, të diktuar sipas politikës. Duhet të mos e harrojmë faktin se jo gjithçka që lexojmë është për t’u besuar dhe madje, ndonjëherë edhe “gabimet” janë të qëllimshme. Vlenë të theksojmë se politika shpesh përdor edhe kërcënimin si mjet mbrojtës dhe si armë kundër medias, gjë që sjell deri tek censura apo vetëcensurimi nga ana e gazetarëve. Duke e ndjerë veten në rrezik, detyrohen të heshtin. Kjo heshtje e gazetarit bën që edhe publiku të humbasë besimin karshi medias në përgjithësi. Në anën tjetër, shpesh kemi hasur raste ku gazetarët zotërojnë informacione delikate për politikanët dhe punët e tyre korruptive e të kundërligjshme dhe këto informacione i shfrytëzon për t’i shantazhuar ato në këmbim të parave apo ndonjë shërbimi tjetër. Të gjithë këto probleme tregojnë shumë për shoqërinë tonë, në radhë të parë të pandërgjegjshme, pasive, të pavullnetshme për të ndryshuar gjërat, dhe, akoma më shumë, tregon për nivelin e demokracisë në vendin tonë. Sipas Sean Melbourne (ish-zëvendësambasador britanik në Shqipëri), “liria e medias është një nga themelet kryesore të një demokracie plotësisht funksionale. Një media e lirë është jetike për krijimin e një popullate aktive, të informuar dhe të angazhuar, dhe ajo ndihmon në krijimin e një bote më të sigurt dhe më të begatë”. Na pëlqen të vetëquhemi si vend demokratik, por e vërteta është se jemi shumë larg asaj që synojmë.
Me kaq sa u tha, kuptojmë se frika është ndër problemet kyçe. Politika i frikësohet medias se mos i dalin sheshit punët e ndyra, sepse shumë të paktë janë politikanët e ndershëm. Po të mos ekzistonte kjo frikë, nuk do të ishte problem raportimi i mediave, aq më tepër nuk do të ishte e nevojshme të flitej për median e lirë. Duke analizuar situatën, vërejmë se politikanët tanë shpesh paragjykohen sikur e çojnë kohën dëm duke mos punuar dhe është bërë si normë që po të duam t’i vëmë në lëvizje, duhet patjetër që problemit fillimisht t’i japim zë në media. Pra, për ta përmbledhur, gjithçka vjen si rezultat i mungesës së demokracisë, frikës, mosangazhimit, kërcënimit, shantazhit, censurës, sistemit në përgjithësi. Këtë situatë e hasim qoftë në Mal të Zi, ashtu edhe në vendet në rajon. Shqiptarët në Mal të Zi, edhe pse pak në numër, përfaqësohen nga parti politike të ndryshme, të cilat përdorin po të njëjtat mekanizma në raportin që kanë krijuar me median. Zakonisht gjatë fushatave zgjedhore vërehet hapur njëanshmëria e mediave në mbështetje të njërës apo tjetrës palë, si dhe vërshimi i portaleve që udhëhiqen direkt nga partitë politike duke sulmuar palën kundërshtare. Të gjitha këto duken shumë joserioze dhe krijojnë një situatë qesharake. Duhet shtuar edhe fakti se, në të shumtën, në shoqërinë tonë çdo gjë merret vesh shpejt, prandaj heshtja dhe paqësimi i medias me parregullsitë është i pakuptimtë. Kjo mbase i nxit pushtetarët të thyejnë ligjet pa frena. Duhet kuptuar se ka ardhur koha ta shërojmë këtë ves.
Ajo që mund të kuptojmë, ndër të tjerash, është se të jesh gazetar i mirë dhe t’i shërbesh shoqërisë, duhet të jesh i guximshëm, trim, kokëfortë, të kesh vetëbesim, të jesh parimor, shpirt luftarak, dhe mbi të gjitha, të kesh ideale dhe qëllime të qarta. Për të bërë një ndryshim duhet kohë, por duhet edhe aktivizim. Nuk mund të presim që gjërat të vetërregullohen pa u angazhuar. Ndaj, gazetarët duhet të kryejnë punën e tyre, por edhe ne si qytetarë të ndërgjegjshëm duhet t’i ndihmojmë, të zgjohemi, t’i japim zë shqetësimeve dhe të kërkojmë llogari, të mos lejojmë të na trajtojnë si budallenj.
Thonë se gazetari i pavarur, objektiv dhe i mirëfilltë, pushon së qeni i tillë në momentin e parë që konsumon një kafe me pushtetarin. A ka tek ne të tillë, apo mos është ky vetëm një mit!?
Ky shkrim publikohet në kuadër të projektit “Parandalimi i Korrupsionit dhe Promovimi i Pjesëmarrjes Qytetare” i mbështetur nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL). Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk përfaqëson medoemos pikëpamjet apo qëndrimin e donatorit.