
Hyrje
Në rrjedhën historike trevat e banuara me shqiptarë në Malin e Zi kanë kaluar nëpër sfida të ndryshme. Në këtë trajtesë po ndalemi te periudha që shtrihet ndërmjet viteve 1939-1945, ku si rezultat i Luftës së Dytë Botërore ndodhen ndryshime në gjithë botën dhe për rrjedhojë solli ndryshimin e gjendjes edhe në gadishullin Ilirik – Ballkanik.
Kjo situatë e re bëri që edhe shtetit amë t’i bashkëngjitën disa treva, të cilat kishin mbetur jashtë tij e të cilat në këtë periudhë njihen me emrin Tokat e Lirueme.
Qendra e Ulqinit me Anën e Malit, Kraja, Mërkoti, Tuzi, Plava, Gucia, Rozhaja etj. hynë në administratën e re lokale me institucionet e fushave të ndryshme, si ato publike, edukative-arsimore, bashkësive fetare etj.
Kjo periudhë nuk përmendet ose përmendet kalimthi, sidomos për faktin e tendencave që populli ynë të mos futet nën akuzën e bashkëpunëtorit me armikun. Nga kjo drojë joshkencore ka ngelur i pazbardhur realiteti i vendit tonë gjatë kësaj periudhe së bashku me qëndresën karshi administratave pushtuese të kohës në fjalë.
Për popullin tonë kjo periudhë duhet të zbardhet meqenëse realiteti qëndron krejtësisht ndryshe nga ajo që shpesh tentohet të paraqitet. Populli, duke qenë i shtypur, priste të çlirohej dhe gjithnjë në ndryshimin e rrethanave punuan për të arritur lirinë, jo duke punuar në dëm të të tjerëve apo duke u bërë vegël e pushtuesit apo të tjerëve, por duke mbrojtur të drejtën e tyre, siç edhe flasin dëshmitë.
Argument për këtë është fakti se shqiptarët nuk janë rreshtuar me fashizmin si ideologji për të pushtuar apo kërcënuar popujt e tjerë, por punuan për të çliruar popullsinë shqiptare të mbetur jashtë shtetit amë, duke mos u implikuar me administratën pushtuese në dëm të popujve të tjerë. Në këtë qëndrim edhe populli hebre, i cili ishte në shënjestër të fashizmit, asnjëherë nuk u bë pjesë e sulmeve të shqiptarëve, përkundrazi ata u morën nën mbrojtje duke u siguruar strehë e ushqime.
Në këtë periudhë në hapësirën e Ulqinit, të organizuar në nënprefekturë, është ruajtur toleranca ndëretnike dhe ndërfetare (Zvezdan Folić, Država i vjerske zajednice u Crnoj Gori 1945-1965, Specijal, Podgorica, f. 67), ku një gjë e tillë shihet nëpërmjet funksionimit të tre komuniteteve fetare, korrespondencave me administratën shtetërore dhe lokale, si dhe punësimi i pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve në administratën publike. (Shih faksimilet nr. XIV-a, XVI, XIX-a dhe XIX-b)
Duke mos qenë subjekt i temës sonë çështjet politike apo çështje të tjera të kësaj periudhe, do të ndalemi për të trajtuar vetëm jetën dhe aktivitetet fetare të Komunitetit Mysliman në Ulqin falë dokumentacionit të ruajtuar të kohës, që tashmë ndodhet në Bashkësinë Islame – Ulqin dhe dokumenteve të publikuara prej studiuesve.
Nga periudha 1942-1944 kanë mbetur një pjesë e dokumentacionit, rreth 200 faqe, të shkruara në gjuhën shqipe me makinë shkrimi dhe me shkrim dore. Këto shkresa janë të karaktereve të ndryshme, prej të cilave përfshijnë jetën fetare që marrim informacion, sociale, funksionimin administrativ, por dalin edhe njohuri për çështje kombëtare të trevës së Ulqinit e të ngjashme. Siç theksuam, në këtë studim kemi përzgjedhur vetëm ato dokumente që ndërlidhen me aktivitetet fetare të realizuara nëpërmjet imamatëve, si: regjistrimi i lindjeve dhe i vdekjeve të banorëve të përkatësisë islame, martesat, aksionet humanitare të ndërmarra, punësimet e imamëve etj.
Në të ardhmen nevojitet që të hulumtohen arkivat e ndryshme për të nxjerrë më qartë jetën fetare në këtë hapësirë, për këtë periudhë ashtu si dhe për periudha të tjera.
Organizimi territorial i Nënprefekturës së Ulqinit
Lufta II Botërore përfshiu edhe Ballkanin me këtë kronologji: nga data 7 deri më 9 prill 1939 ndodh pushtimi i Shqipërisë, duke shënuar fillimin e pushtimit të vendeve ballkanike, që do të pasohet nga data 6 deri më 17 prill 1941 me pushtimin e Mbretërisë Jugosllave nga Gjermania dhe Italia, e cila deri në fillim të pushtimit të Ballkanit ishte aleate e këtyre dy fuqive, gjegjësisht nënshkruese e paktit të fuqive të boshtit.
Kjo situatë e krijuar bëri që Mali i Zi të vendoset nën sundimin e Mbretërisë së Italisë. Në pranverën e vitit 1941 mbreti i Italisë Vittorio Emanuele III e shpalli mbretëri Malin e Zi (Me hyrjen e italianëve në Mal të Zi, më 17.04.1941, malazezët u gëzuan pa masë. Italianët gëzonin simpatinë e popullit malazez për arsye se vajza e Krajl Nikollës, Jelena, ishte martuar për Mbretin italian Vitorio Emanuelin III. Këtë simpati të italianëve malazezët e shfrytëzuan dhe përmes komandantit të ushtrisë italiane, filluan t’i emërojnë udhëheqësit komunalë. Në këtë kohë kryetar i Komunës së Ulqinit emërohet Marko Çarmaku, i cili ishte komunist nga viti 1941. Shih Fahri Buçinca, Cafo Beg Ulqini – jeta dhe veprimtaria politike, Art Club, Ulqin, 2009, f. 95), ndërsa më 28 prill 1941 kryeminstri i Italisë Musolini emëroi për guvernator të Mbretërisë së Malit të Zi Serafino Macolinin, duke u pasuar më 23 korrik 1941 nga Piricio Biroli.
Pas kësaj, më 12 gusht 1941 mbreti Vittorio Emanuele III nënshkroi dekretin për kufijtë e rinj të Mbretërisë Shqiptare dhe Mbretërisë së Malit të Zi. Me këtë dekret, Ulqini dhe disa treva të tjera shqiptare pa luftë u bënë pjesë e Mbretërisë Shqiptare. Mbretërisë së Malit të Zi, si këmbim iu bashkëngjitën disa qytete të Sanxhakut perëndimor që në vitin 1913 i kishin kaluar Serbisë. Në këtë kohë Mbretëria Shqiptare krijoi Ministrinë e Tokave të Lirueme, e cila ishte një ministri e hapur ad litteram për tokat e liruara nga pushtuesi jugosllav në Kosovë, Dibër, Strugë, Plavë, Guci, Tuz dhe Ulqin. (“Kraljevina Crna Gora (1941–1944)“; “Italijanski guvernatorat za Crnu Goru“; “Nënprefektura e Ulqinit”; “Ministër i Tokave të Lirueme”; Fletorja Zyrtare 93:3, 7 gusht 1942; Fletorja Zyrtare, 29 gusht 1941. www.wikipedia.org)
Pas kësaj, sipas Dekretit Mëkëmbësor nr. 166 të vitit 1942, treva e Ulqinit organizohet si Nënprefekturë me qendër në Ulqin, pjesë e Prefekturës së Shkodrës. (Nga dokumentacioni i publikuar shohim se në hapësirën shqiptare në Malin e Zi, në vitin 1942 ndarja lokale administrative është bërë në këtë mënyrë: Nënprefektura e Ulqinit dhe Tuzit në varësi të Prefekturës Shkodër, të ndarë në tri (3) bashki dhe njëzet e shtatë (27) komuna; Nëprefektura e Rozhajës me dy (2) komuna: Komuna Qendër Rozhajë dhe Komuna Bishevë; Nënprefektura e Plavës me tri (3) komuna: Plavë, Guci, Arxhenicë. Po kështu në Prefekturën e Pejës u përfshinë edhe Bashkia/Komuna e Beranit. Shih Qerim Lita, Tokat e lirurara (1941-1944): Përmbledhje dokumentesh, Vëll. II, Logos-A, Shkup, 2016, ff. 315-319) (vazhdon)
