Vogëlushët mundën garuesit nga 48 ekipe pjesëmarrëse

Podgoricë- Klubi i futbollit për fëmijë “Malësia” është shpallur kampion në mesin e 48 ekipeve pjesëmarrëse të gjeneratave 2005, 2006, 2007 dhe 2008 në turneun “Kros Park” i cili u mbajt nga data 14 deri më 22 janar në Podgoricë.
Në këtë turne kanë marrë pjesë futbollistë të vegjël nga Mali i Zi, Bosnje Hercegovina dhe Kroacia. Klubi “Malësia” në këtë turne ka korrur sukses të paparë deri më tani, ashtu siç shprehet për “Koha Javore”, trajneri i klubit David Camaj.
“Klubi ynë garoi me skuadrën më të vështirë. Pas përfundimit të pesë ndeshjeve me tre fitore dhe dy barazime, kaluam një sfidë shumë të vështirë duke u përballur me ekipe shumë të fuqishme siç janë “Arena“ me mbi 150 anëtarë, “Kalcio“ dhe “Elektro”. Ky i fundit është ekipi më i organizuar, por ne prapëseprapë treguam forcë dhe kaluam grupin me tre gola, duke u kualifikuar me tetë ekipet më të mira çfarë na solli një sukses i cili më pas u reflektua me kalimin në gjysmëfinale me rezultatin 5-0 ndaj ekipit që zuri vendin e parë në grup, “Venom”. Nga kjo ndeshje, fëmijët u “trimëruan” dhe morën forcë për të mundur në gjysmëfinale ekipin “Elektro“ me penallti, kurse në finale ekipin “Kalcio“ me rezultatin 1-0 me golashënuesin e talentuar Beqir Hakshabanaj”, u shpreh Camaj.
Camaj më tej theksoi se ky është viti i dytë që klubi të cilin e drejton, arrit të shpallet kampion duke shprehur kënaqësi dhe krenari që vogëlushët e talentuar treguan sukses të lartë dhe një rezultat të lakmueshëm, duke thënë se lojtari më i mirë i turneut Romario Camaj.
“Dua të falënderoj mbi 300 tifozë të cilët erdhën nga Malësia për të na mbështetur në mbrëmjen finale duke qenë se mbështetja e tyre padyshim që ndikoi pozitivisht edhe te rezultati që arritën fëmijët. Pas turneut të Podgoricës na pret një turne në Tiranë i cili do të mbahet me 8 shkurt kurse në muajin maj jemi të ftuar në një turne që do të mbahet në Gjermani mirëpo pjesëmarrja në këtë të fundit do të varet nga situata financiare”, theksoi Camaj.
Trajneri i klubit “Malësia“ shprehur falënderim ndaj diasporës shqiptare në SHBA për mbështetje të parezervë që në kontinuitet i jep këtij klubi si dhe ndaj disa afaristëve vendas. t. u.

Të fundit

më të lexuarat