Gjatë dy fundjavëve të kaluara, garuesit e Klubit të Taekwondosë “Ulqini” morën pjesë në dy gara shumë të rëndësishme – në Kampionatin Evropian për të Rinjtë, i cili është mbajtur në Bukuresht të Rumanisë, më 16-17 mars 2025, dhe në Ligën e Evropës, që është mbajtur në Sofje të Bullgarisë, më 22-23 mars 2025.
Vendi i pestë për Dushkun
Në Kampionatin Evropian për të Rinjtë në kategoritë olimpike, i cili ka tubuar mbi 500 garues nga 36 vende të Evropës, mes shumë talenteve, Malin e Zi e përfaqësuan edhe sportistët Sara Kraja, Amella Nuti dhe Enes Dushku nga KT “Ulqini”. Më i suksesshmi ishte Enes Dushku, i cili arriti një rezultat të spikatur duke zënë vendin e pestë në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Nga KT “Ulqini” kanë treguar se Dushku e nisi rrugëtimin e tij me një fitore të sigurt kundër përfaqësuesit të Rumanisë, me rezultatin 2:0. Në ndeshjen e dytë fitoi kundër garuesit nga Moldavia me rezultat të ngushtë 2:1. Ndërkaq, në ndeshjen e tretë u përball me një kundërshtar jashtëzakonisht të fortë nga Ukraina, ku pavarësisht përpjekjeve të mëdha, e humbi ndeshjen me rezultatin 2:0.
“Me këtë arritje, ai mbeti një hap larg ndeshjes për medalje, por përpjekja e tij dhe renditja mes pesë më të mirëve në Evropë përbën një sukses të madh për ekipin tonë”, thuhet në deklaratën për shtyp të KT “Ulqini”.
Dy garueset tjera, Sara Kraja dhe Amella Nuti, humbën që në ndeshjet e para, kundër përfaqësueses së Gjermanisë, me rezultat 2:1, respektivisht kundër përfaqësueses italiane me rezultat 2:0.
Medalje të bronzta për Dushkun dhe Nutin
Më të suksesshëm sa u përket medaljeve, garuesit e KT “Ulqini” ishin në Ligën Evropiane, që është mbajtur në kryeqytetin bullgar këtë fundjavë, ku arritën të kurorëzohen me dy medalje të bronzta.
Pas dy fitoreve kundër garuesve nga Izraeli dhe Italia, Enes Dushku ka humbur në ndeshjen e tretë nga përfaqësuesi i Gjermanisë, duke u mjaftuar me medaljen e bronztë.
Edhe Amela Nuti arriti të fitojë medaljen e bronztë. Në ndeshjen e parë, ajo ka fituar përfaqësuesen greke, kurse në ndeshjen e dytë ka humbur nga përfaqësuesja bullgare.
Garuesja tjetër e këtij klubi, Sara Kraja, humbi që në ndeshjen e parë për shkak të një lëndimi, i cili e penalizoi.
Liga e Evropës tuboi rreth 1100 garues nga 20 shtete të Evropës.
(Kohapress)