Klubi i Taekwondosë “Ulqini” ka zënë vendin e parë në renditjen e përgjithshme në Kampionatin e Malit të Zi në sportin olimpik të taekwondosë, që u zhvillua të shtunën në Podgoricë, për të gjitha kategoritë, në të dy disiplinat – forma dhe ndeshje.
Nga ky klub u shpallën 26 kampionë, 12 në disiplinën e ndeshjeve dhe 14 në disiplinën e formave.
Përpos 12 medaljeve të arta, në disiplinën e ndeshjeve garuesit e “Ulqini”-t fituan edhe shtatë medalje të argjendta dhe dy medalje të bronzta, kurse në disiplinën e formave krahas 14 medaljeve të arta, fituan edhe dy medalje të argjendta.
Në këtë kampionat KT “Ulqini” është përfaqësuar me 36 garues, por sipas deklaratës për shtyp të këtij klubi pjesëmarrja do të ishte edhe më e madhe, por 12 garues të tij nuk kanë mundur të marrin pjesë për shkak të infektimit me Covid-19 dhe izolimit.
Nga KT “Ulqini” kanë njoftuar se vazhdojnë me përgatitje intensive për garat e ardhshme.
“Muaji nëntor do të jetë shumë i ngjeshur me aktivitete, duke filluar me Kampionatin Evropian në Sarajevë për kategorinë e juniorëve, Kampionatin Ballkanik në Rumani, turneun “Gjenerata 24” të nivelit E2 po ashtu në Rumani, që ka të bëjë me grumbullimin e pikëve olimpike, dhe Kampionatin e ‘ish-Jugosllavisë’, i cili do të mbahet në Beograd”, thuhet në deklaratën e KT “Ulqini”.
(Kohapress)
“Besa” fitoi 27 medalje

Shumë i suksesshëm në Kampionatin e Malit të Zi në sportin e taekwondosë ka qenë edhe Klubi i Taekwondosë “Besa” nga Malësia.
Të 27 garuesit e këtij klubi, të moshave të ndryshme, të cilët kanë marrë pjesë në Kampionat, janë kurorëzuar me medalje. 17 garues janë shpallur kampionë të Malit të Zi, katër nënkampionë, kurse gjashtë kanë fituar medalje të bronzta.