U mbajt Kampionati Evropian në Skyrunning

Guci – Kampionati Evropian në Skyrunning, për herë të parë në histori të këtij sporti, u mbajt në Ballkan, konkretisht në Komunën e Gucisë të Malit të Zi më 14-16 korrik 2023. Pjesëmarrësit garues kanë pasur rastin të dëfrehen dhe kënaqen me bukuritë dhe atraksionet natyrore të Bjeshkëve të Nëmuna gjatë tri ditëve sa kanë zgjatur garat e këtij sporti vërtetë joshës dhe atraktiv.
Skyrunning vrapimi nëpër hapësirën e Bjeshëve të Nëmuna në lartësinë detare mbi 2.000 metra, këtë vit në Guci tuboi dhe bashkoi garuesit nga 34 shtete të Evropës, të cilët garuan në tri disiplina të vrapimit.
Vertikal Bjeshkët e Nëmuna (Prokletije vertikal) – ishte disiplina e parë garuese e cila u mbajt në shtegun e gjatë 3.9 kilometra dhe në përpjetzën e lartë 1.000 metra, të premten më 14 korrik – në ditën e parë të garës në njërën prej luginave më të bukura dhe më atraktive të Malit të Zi – në Luginën Grebaje të cilën e karakterizon shtegu mjaft i rrëpijshëm dhe shkëmbor. Ai njëherazi ishte edhe vrapimi i cili zyrtarisht e ka hapur Kampionatin Evropian Skyrunning. Fjala është për shtegun kërkues të garës, kushtet e të cilit për t’i përballuar në garim u është nevojitur koncentrim cilësor dhe kondicion i mirë, si dhe kujdes i duhur në përballimin e përpjetzës së shtegut të rrëpijshëm.
Ditën e dytë – më 15 korrik sipas planit është mbajtur disiplina e dytë – Skyultra Bjeshkët e Nëmuna (Prokletije skyultra), e cila ishte disiplina më e vështirë e vrapimit që u zhvillua në shtegun e gjatë 50 kilometra dhe me përpjetëz 4.400 metra, të cilin e karakterizojnë përpjetzat e gjata alpine dhe uljet e tatëpjeta. Hyrjet në Shqipëri kërkojnë kapërcim të majave me lartësi mbidetare prej mbi 2.200 metrash që janë me shumë përpjetza.
Ditën e tretë – më 16 korrik është mbajtur disiplina e tretë garuese në vrapim – Sky Race Bjeshkët e Nëmuna (Prokletije Sky Race), në shtegun e gjatë 30 kilometra me përpjetëz 2.150 metra.
Garuesit në çdo njërën prej disiplinave të vrapimit, kanë pasur rastin të dëfrehen dhe mahniten në bukuritë e egra por vërtetë joshëse të masivit të Bjeshkëve të Nëmuna.
“Ndjejmë kënaqësi të veçantë që mund të dëshmojmë dhe publikojmë edicionin e njëmbëdhjetë të Kampionatit Evropian në Skyrunning, që u mbajt për herë të parë në Ballkan, pikërisht në Komunën e Gucisë të shtetit të Malit të Zi, pikërisht në Parkun Nacional ‘Bjeshkët e Nëmuna’, me ç’rast do t’i gostisë 440 garues nga 34 shtete të Evropës”, është shprehur nënkryetari i Komunës, Edon Balidemaj, duke shtuar në vazhdim të konfirmimit të vet se “Gucia është qendër e ngjarjeve të ndryshme sportive, e gjithë kjo duke u falënderuar resurseve, atraksioneve dhe bukurive natyrore me të cilat begatojnë Bjeshkët e Nëmuna”.
Në Kampionatin Evropian të Skyrunning-ut, pjesëmarrësit garues kanë luftuar për 27 medalje prestigjioze.
Organizatorët e Kampionatit të sivjetëm Evropian në Skyrunning janë Skyrunning Serbia – Mali i Zi, ndërsa bashkëorganizatorë Komuna Gucisë dhe Organizata Turistike e Gucisë.
Në madje katër kontinente të botës mbahet Kampionati Kontinental në Skyrunning prej Amerikës Veriore e Qendrore, deri te Amerika Jugore, Evropa dhe Azia, prej muajit prill deri në dhjetor të këtij viti.
Sezoni garues në fjalë ka filluar më 2 prill 2023 me Kampionatin e Amerikës Veriore e Qendrore për herë të parë në Kostarikë, pastaj gara në vrapim ka vazhduar në Brazil. Pas Kampionatit të mbajtur në Guci të Malit të Zi, garat do të mbahen edhe në Hong Kong të Kinës.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat