Në qytetin Visoko të Bosnjë e Hercegovinës u mbajt Turneu tradicional ndërkombëtar i taekwondo-së “Visoko Open”, i cili mblodhi rreth 350 garues nga shtetet e rajonit.
Në këtë garë prestigjioze, Klubi i Taekwondosë “Besa” shënoi një sukses të jashtëzakonshëm duke u kthyer me një numër të konsiderueshëm medaljesh.
Garuesit e dalluar të Klubit, që u dekoruan me medalje janë: Rina Dreshaj – Vendi i parë (Medalje e artë), Jozef Hasanaj – Vendi i parë (Medalje e artë), Izabella Frluçkiq – Vendi i parë (Medalje e artë), Nora Dreshaj – Vendi i tretë (Medalje e bronztë), Mateo Vulaj – Vendi i tretë (Medalje e bronztë), Osman Jusufgjokaj – Vendi i tretë (Medalje e bronztë), dhe Lejlla Frluçkiq – Vendi i tretë (Medalje e bronztë).
Sipas drejtorit Nikollë Gegaj, KT “Besa” u dekorua me tri medalje të arta dhe katër medalje të bronzta, një arritje kjo që dëshmon përkushtimin dhe përgatitjen e lartë të garuesve dhe trajnerëve të këtij klubi.
“Turneu u nderua me praninë e kryetarit të Federatës Botërore të Taekwondosë Tradicionale, mjeshtrit të nivelit të 9-të Dan, Jun Lee, si dhe me praninë e promotorit kryesor të kësaj federate, mjeshtrit të madh Miroslav Brezhan nga Karllovaci i Kroacisë, me të cilin Klubi ‘Besa’ është i binjakëzuar”, shprehet Gegaj.
Ai shton se gjatë këtij manifestimi u ndanë edhe çmime të veçanta për kontributin dhe afirmimin e taekwondosë tradicionale.
Në mesin e të nderuarve ishte edhe vetë drejtori i Klubit “Besa”, Nikollë Gegaj, për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe kontributin e posaçëm në promovimin e këtij sporti.
Ceremonia e hapjes është zhvilluar në një atmosferë solemne, në sallën e mbushur të Qendrës Sportive dhe Kulturore “Mlladost”, dhe është shoqëruar me një demonstrim të veçantë të teknikave të taekwondo-së tradicionale, duke e kthyer këtë ngjarje në një festë të vërtetë sportive.
t. u.