Tenisti më i mirë në Mal të Zi, Rrezart Cungu u shpall fitues i turneut profesionist “ Karisma Adriatic Montenegro” i cili përfundoi të dielën e kaluar në terrenet e Klubit të Teniosit “ Bellevye” në Plazhin e Madh në Ulqin. Cungu në ndeshjen finale, me mbështetjen e madhe të tifozëve të tij , e mposhti italianin Samuel Vincente Ruggeri në tri sete 6:3, 2:6, 6:1. Të dy tenistët treguan lojë cilësore dhe tifozët u kënaqën me këtë duel mjaft interesant. Cungu e filloi mirë ndeshjen. Në setin e parë u shfaq mjaft i koncentruar dhe e mbylli atë në favor të tij. Në vazhdim të lojës , në setin e dytë ai e humbi koncentrimin dhe filloi të gabojë. Këtë moment mosdisponimi të duhur e shfrytëzoi tenisti italian dhe e fitoi setin e dytë me lehtësi. Seti i tretë ishte vendimtar dhe përcaktoi fituesin e këtij turneu. Cungu që në fillim të këtij seti e ngriti cilësinë e lojës. Dominoi në fushë në të gjitha elementet e lojës. Nuk i dha kundërshtarit asnjë shans për fitore. Fitoi bindshëm. Ishte kjo fitorja më e madhe gjatë karrierës së tij të deritashme shumë të suksesshme, e cila i hap rrugë drejt sukseseve të reja në turne të ndryshme ndërkombëtare . Me këtë fitore Cungu , siç na tha drejtori i këtij turneu Senad Tafa, përmirësoi për 200 vende renditjen e vet në listën ATP, duke u renditur në mesin 9oo tenistëve më të mirë në botë.
Rrezart Cungu i buzëqeshur dhe me mjaft emocion na tha se ndjehet më i gëzuar dhe më i kënaqur se ndonjëherë më parë, pasi arriti të triumfoi në qytetin e tij , në klubin e tij ku i filloi hapat e parë të këtij sporti, në prani të publikut të tij të mrekullueshëm, të cilët në asnjë moment nuk e humbën shpresën tek ai, edhe kur ai nuk ishte në disponim të mirë, apo niveli i lojës së tij nuk ishte siç e priste ai dhe ata, por e përkrahën deri në momentet e fundit të ndeshjes. “ Kundërshtari ime nga Italia, Samuel Vincent Ruggeri, ka treguar lojë shumë të mirë sidomos në turneun e fundit. Që në fillim e dija se nuk do të jetë punë e lehtë që të dal fitues në këtë ndeshje. Për këtë arsye në setin e parë e fillova shumë i përqendruar gjë e cila më mundësoi ta fitojë atë . Në setin e dytë kundërshtari e ngriti nivelin e lojës dhe nuk arrita ta ndalojë atë edhe pse përpjekjet e mia ishin të vazhdueshme. Në setin vendimtar vendosa të japë maksimumin tim dhe me ndihmën e publikut që më dha shtytje të madhe arrita fitoren.”, shprehet Cungu. Shton se pas dy ditësh do të marrë pjesë në turneun e Shkupi , në Maqedoninë e Veriut dhe pastaj ta do të vazhdojë në turneun i cili do të mbahet në qytetin Antalia të Turqisë. Cungu falënderon stafin organizativ të turneut më në krye me drejtorin Senad Tafa dhe familjen e tij pa të cilët, siç pohon ai, asgjë nuk do të ishte e mundur.
Drejtori i këtij turneu Senad Tafa thotë se ky turne është ngjarja më madhe sportive q ë është organizuar deri më tani në Ulqin. “Me organizimin e këtij aktiviteti të suksesshëm sportiv, Klubi i Tenisit “ Bellevye” në Ulqin dëshmoi se ka kapacitete që të organizojë gara të nivelit të lartë në tenis. Kjo na jep kurajë dhe vullnet që të vazhdojmë që edhe në të ardhmen të sjellim në Ulqin edhe shumë tenistë të tjerë të nivelit evropian dhe botërore”, theksoi Tafa.
Gj.Gjonaj
