Traditë, bashkim dhe frymë kombëtare

Përveç rëndësisë historike dhe simbolike, Maratona e Pavarësisë Ulqin - Shkodër është shndërruar ndër vite në një aktivitet të vërtetë kulturor e sportiv, që bashkon qindra pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora. Entuziazmi i garuesve, pritja e ngrohtë e qytetarëve përgjatë rrugës dhe atmosfera festive e kësaj dite e bëjnë maratonën një moment unik për të gjithë

Më 28 nëntor 2025, për të 13-in vit me radhë, u mbajt Maratona e Pavarësisë Ulqin – Shkodër, një aktivitet tashmë i dashur dhe i shumëpritur, që simbolizon bashkimin, qëndresën dhe respektin për Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Vrapues nga Ulqini, Shkodra, trevat shqiptare dhe më gjerë u bashkuan në këtë rrugëtim plot emocion, ku ritmi i hapave dhe valëvitja e flamurit kombëtar krijuan një atmosferë garuese e krenarie.
Në hapje të aktivitetit, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, njëherësh edhe bartës i organizimit, Faik Nika, theksoi rëndësinë historike dhe simbolike të kësaj dite. “Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, në kuadër të aktiviteteve të veta që kanë filluar nga Rozhaja, Plava, Gucia, Tivari, Malësia, Ulqini e të gjitha trevat shqiptare, sot e fillojmë ditën në një mënyrë simbolike me Maratonën e Pavarësisë Ulqin – Shkodër, e cila tashmë është bërë tradicionale. Është viti i 13-të me radhë që kjo maratonë zhvillohet dhe ne urojmë që ajo të bëhet e përjetshme, ashtu siç është edhe Dita e Flamurit Kombëtar”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Nika ka folur për simbolikën e kësaj maratone.
“Kjo maratonë ka simbolikën e vet, sepse synojmë të çojmë flamurin kombëtar nga Ulqini drejt Shkodrës përmes vrapit, dhe kjo është një simbolikë shumë e bukur, të cilën urojmë ta vazhdojmë edhe për vitet që vijnë. Sot kemi një numër të konsiderueshëm vrapuesish, të cilët pa dyshim do të japin më të mirën, në mënyrë që kjo traditë të mos ndërpritet”, ka vijuar ai.
Kryetari i KKSH-së ka theksuar se duhet të punohet që në të ardhmen Maratona e Pavarësisë të bëhet më masive.
“Kjo maratonë është shumë popullore dhe pjesëmarrësit nuk janë vetëm nga rajoni, por edhe më gjerë. Sigurisht që në të ardhmen duhet të organizohemi për ta bërë edhe më masive, brenda mundësive që ka KKSH, Komuna e Ulqinit dhe Bashkia e Shkodrës”, ka thënë ai.
Në vazhdën e fjalëve përshëndetëse që shoqëruan këtë edicion të 13-të të Maratonës së Pavarësisë Ulqin – Shkodër, nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Beqir Sellaj, vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes institucioneve të Ulqinit dhe Shkodrës, një bashkëpunim që çdo vit i jep jetë dhe forcë kësaj ngjarjeje të madhe kulturore e sportive.
“Në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Ulqinit, të gjithë shqiptarëve kudo që janë ua uroj Festën e Flamurit dhe të Pavarësisë. Garuesit që marrin pjesë sot tregojnë qartë unitetin tonë – se jemi një popull, kemi një gjuhë, kemi një kulturë, dhe kështu ky flamur përshkon krenar nga një kufi në tjetrin. Ne si komunë kemi një detyrë të rëndësishme: të investojmë te të rinjtë tanë, në sport dhe në kulturë, sepse ata janë e ardhmja jonë. Kjo maratonë është një shembull i gjallë se si përmes aktiviteteve të tilla ne fuqizojmë rininë, forcojmë lidhjet mes komuniteteve tona dhe ruajmë gjallë vlerat që na bashkojnë”, është shprehur ai.
Përveç rëndësisë historike dhe simbolike, Maratona e Pavarësisë Ulqin – Shkodër është shndërruar ndër vite në një aktivitet të vërtetë kulturor e sportiv, që bashkon qindra pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora. Entuziazmi i garuesve, pritja e ngrohtë e qytetarëve përgjatë rrugës dhe atmosfera festive e kësaj dite e bëjnë maratonën një moment unik për të gjithë. Në këtë kuadër, koordinatorit sportiv të maratonës, Dritan Rexha, i takon një rol i veçantë në organizimin dhe mbarëvajtjen e saj.
Ai thotë se kjo maratonë është bërë tashmë një ngjarje e madhe kulturore dhe sportive, që afron njerëz nga të gjitha trevat shqiptare, madje edhe nga shumë vende të botës, dhe se i plotëson kushtet teknike.
“Për sa i përket Maratonës së Pavarësisë, ajo i plotëson të gjitha kushtet teknike, sepse kemi pasur fatin që mes dy kalave – asaj të Ulqinit dhe asaj të Shkodrës, distancat dhe kilometrat janë të sakta dhe të përshtatshme për zhvillimin e një maratone të mirëfilltë. Duke u nisur nga fakti se tashmë jemi në edicionin e trembëdhjetë, një aktivitet që lidh mbarë kombin shqiptar dhe bashkon dy qytete shekullore, pjesëmarrësit janë tepër entuziastë që të sjellin frymën kombëtare për nder të 28 Nëntorit”, shprehet ai.
Rexha tregon se struktura e garuesve pjesëmarrës në maratonë është nga mosha 18 deri 70 vjeç, gjë që sipas tij dëshmon se kjo maratonë i tejkalon kufijtë e sportit dhe bëhet përjetim shpirtëror për çdo brez.
“Gjithashtu, nuk mund të lë pa përmendur dhe falënderuar iniciatorin Guri Muça, i cili e nisi këtë maratonë dhe i dha rrugë një tradite kaq të bukur që vazhdon edhe sot”, përfundoi ai.

Shtatë herë i parë: Ilir Këllezi shkëlqen në
Maratonën Ulqin–Shkodër
Në përfundim të Maratonës së Pavarësisë Ulqin – Shkodër, emocionet u ngritën në kulm me shpalljen e fituesit të këtij edicioni. Vendin e parë këtë vit e zuri Ilir Këllezi nga Korça, një emër tashmë i njohur dhe i respektuar në këtë aktivitet. Ai mori pjesë për të njëmbëdhjetin vit me radhë, duke dëshmuar përkushtim, vullnet dhe një lidhje të veçantë me këtë maratonë që bashkon frymën sportive me atë kombëtare.
Këllezi e ka fituar këtë garë plot shtatë herë, ndërsa fitorja e këtij viti e rikonfirmoi edhe një herë forcën, përgatitjen dhe dashurinë e tij për këtë traditë.
“Çdo vit jam po aq i emocionuar sa herën e parë. Kjo maratonë nuk është vetëm garë për mua, por është nder, është lidhje shpirtërore me flamurin dhe me gjithë të pranishmit”, tha ai pas përfundimit të maratonës.
Fitorja e Ilirit u prit me duartrokitje të gjata, ndërsa ai vetë u bë edhe një herë simbol i përkushtimit, i disiplinës dhe i dashurisë për aktivitetet që mbajnë gjallë identitetin dhe bashkimin tonë kombëtar.
Vendin e dytë e zuri Zylyftar Nako, ndërsa të tretin Viktor Këllezi.
Maratona e Pavarësisë është një simbol i vazhdueshëm i krenarisë kombëtare. Edhe këtë vit dëshmoi se traditat e bukura mbahen gjallë nga bashkimi, vullneti dhe dashuria për atdheun.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat