Gjatë fundjavës (të shtunën dhe të dielën) në ishullin Korçulla të Kroacisë është mbajtur turneu ndërkombëtar në sportin olimpik të taekwondosë “Korçulla Open”, për të dyja disiplinat – ndeshje dhe forma, për grupmoshat kadetë të rinj, kadetë, junior dhe seniorë, në të cilin kanë marrë pjesë gjithsej 176 garues nga Kroacia, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi. Në mesin e 18 klubeve pjesëmarrëse, tre ishin nga Mali i Zi: KT “Ulqini”, KT “Besa” nga Tuzi dhe “Montenegro Stars”.
KT “Ulqini” është paraqitur me tetë garues dhe ka fituar tetë medalje, prej të cilave pesë medalje të arta, dy medalje të argjendta dhe një medalje të bronztë. Medalje të arta kanë fituar Merisa Malokraja, Amella Nuti, Sara Kraja, Amra Dushku dhe Sumeja Bisha, medalje të argjendta Berina Mustafa dhe Hava Malokraja, ndërsa medalje të bronztë Arta Ismailaga.
Në njoftimin për media, kryetrajneri i KT “Ulqini”, Fikret Dushku, shprehet se vajzat nga ekipi i Ulqinit kanë shkëlqyer me paraqitjen e tyre.
“Garuesja më e suksesshme ishte Merisa Malokraja me tri ndeshje të fituara, Amella dhe Sara me nga dy ndeshje të fituara. Ndërsa Havaja dhe Arta fituan ndeshjet e para, mirëpo u ndaluan në ndeshjet e dyta. Në disiplinën e formave Sumeja Bisha dhe Berina Mustafa patën një performancë të shkëlqyeshme”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Në renditjen e përgjithshme KT “Ulqini” fitoi vendin e dytë dhe kupën në kategorinë e kadetëve.
Dushku falënderon prindërit për përkrahje maksimale dhe sponsorin Hotel “Prego” për përkrahje financiare.
(Kohapress)
