Sukses që meriton përkrahje

KK “Ulqini” u paraqit në turne me dhjetë garues, të cilët arritën të fitojnë 13 medalje: gjashtë medalje të arta, dy medalje të argjendta dhe pesë medalje të bronzta. Garuesi më i suksesshëm në këtë turne nga KK “Ulqini” ishte i pandalshmi Riad Tafa, i cili u kurorëzua me dy medalje të arta, një medalje të argjendtë dhe një medalje të bronztë

Klubi i Karatesë “Ulqini” mori pjesë në turneun më të fuqishëm ndërkombëtar të karatesë në regjion, “Ilixha Open 2018” në Sarajevë, i cili u mbajt më 10-11 mars.
Në këtë turne morën pjesë 110 klube me 1271 garues, nga 6 shtete.
KK “Ulqini” në plasmanin gjeneral u rendit i 5-ti, duke lënë pas edhe 105 klube te tjerë shumë të fuqishëm.
Në këtë klub, këtë sukses e vlerësojnë si një bum të radhës për KK “Ulqini”-n dhe qytetin e Ulqinit.
“Garuesit tanë treguan një përgatitje superiore duke u hasur me më të mirët e karatesë së mbarë rajonit”, thuhet në komunikatën për shtyp të KK “Ulqini”-t.
Ky klub u paraqit në turne me dhjetë garues, të cilët arritën të fitojnë 13 medalje: gjashtë medalje të arta, dy medalje të argjendta dhe pesë medalje të bronzta.
Garuesi më i suksesshëm në këtë turne nga KK “Ulqini” ishte i pandalshmi Riad Tafa, i cili u kurorëzua me dy medalje të arta, një medalje të argjendtë dhe një medalje të bronztë.
Me medalje të arta në disiplinat individuale u kurorëzuan: Riad Tafa me dy medalje të arta, me nga një medalje të artë u kurorëzuan Marko Daboviq dhe Simon Simonoviq, me medalje të argjendtë u kurorëzua Paskual Koçoviq, kurse medalje të bronztë fituan Seida Suma, Adis Demiri, Simon Simonoviq dhe Riad Tafa.
Në disiplinat ekipore kata, me medalje të artë u kurorëzua ekipi i seniorëve dhe ekipi i kadetëve dhe juniorëve. Ekipi i seniorëve ishte në përbërje: Marko Daboviq, Elvir Islami dhe Albert Rudoviq, të cilët u kurorëzuan me medalje të artë; ekipi kadetë/juniorë, i përbërë nga Elvir Islami, Albert Rudoviq dhe Aldin Buliq gjithashtu u kurorëzua me medalje të artë, kurse me medalje të argjendtë u kurorëzua ekipi i katave i gjeneratës 2007/2008, i cili ishte në përbërje: Adis Demiri, Simon Simonoviq dhe Riad Tafa.
Trajnerët dhe udhëheqësia e KK “Ulqini” shprehen të kënaqur me arritjen e garuesve të tyre në këtë turne shumë të fuqishëm.
“Jemi të kënaqur dhe dita-ditës jemi duke ecur me hapa të sigurt drejt fitoreve të mëdha”, thonë me krenari ata, duke falënderuar sponsorët që mundësuan pjesëmarrjen në këtë garë: Ndërmarrjen “Final Trade”, “Elita Group”, “Kallaba Company” dhe prindërit e garuesve.(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat