Spektakël sportiv me përmasa ndërkombëtare

Finalja e turneut vuri përballë skuadrat “Ana e Malit” dhe “Kraja”, në një ndeshje me ritëm të lartë dhe shumë gola. Në këtë përballje vendimtare, “Ana e Malit” triumfoi me rezultat 7:3, duke u shpallur fituese e edicionit 2026. Derbi mes këtyre dy skuadrave u shoqërua me emocione të forta, si në fushë ashtu edhe në tribuna

Turneu ndërkombëtar në minifutboll “Ulqini Open 2026”, një nga ngjarjet sportive më tradicionale në Ulqin, ka përmbyllur me sukses edicionin e tij të radhës, duke dëshmuar vazhdimësinë dhe rëndësinë që ka ky aktivitet prej më shumë se dy dekadash. Turneu, i cili organizohet prej më shumë se 20 vitesh, e ka kthyer qytetin në një qendër të rëndësishme të minifutbollit rajonal gjatë muajit janar.
Edicioni i këtij viti nisi më 3 janar 2026 dhe mblodhi 16 ekipe pjesëmarrëse, të cilat për dy javë ofruan ndeshje dinamike, rivalitet sportiv dhe interes të madh nga publiku. Nata finale u zhvillua më 17 janar 2026, në sallën e sporteve të shkollës fillore “Marshall Tito”, e mbushur përplot me sportdashës, të cilët krijuan një atmosferë të veçantë sportive.
Finalja e turneut vuri përballë skuadrat “Ana e Malit” dhe “Kraja”, në një ndeshje me ritëm të lartë dhe shumë gola. Në këtë përballje vendimtare, “Ana e Malit” triumfoi me rezultat 7:3, duke u shpallur fituese e edicionit 2026. Derbi mes këtyre dy skuadrave u shoqërua me emocione të forta, si në fushë ashtu edhe në tribuna. Pjesëmarrja e skuadrave të njohura, si KF “Vllaznia Futsal” i dha turneut peshë dhe nivel më të lartë konkurrues.
“Ulqini Open 2026” u karakterizua nga një profil i theksuar ndërkombëtar, me praninë e lojtarëve nga vende të ndryshme, përfshirë Brazilin dhe Kroacinë, duke e rritur cilësinë e lojës dhe duke forcuar reputacionin e turneut përtej kufijve lokalë dhe rajonalë.
Përveç garës sportive, organizatorët kishin menduar edhe për publikun. Gjatë natës finale u organizua një short shpërblyes për tifozët, ku u ndanë dhurata atraktive si iPhone, iPad dhe pajisje sportive, duke e kthyer mbrëmjen përmbyllëse në një festë sportive dhe shoqërore.
Megjithatë, pavarësisht suksesit organizativ dhe interesimit të madh, turneu u shoqërua edhe me kritika lidhur me përbërjen e skuadrave. Në shumicën e ekipeve pjesëmarrëse, numri i lojtarëve nga jashtë ishte dukshëm më i madh se ai i lojtarëve vendas, çka sipas opinionit sportiv uli hapësirën për talentet lokale. Ky fakt ka nxitur debat mbi nevojën për një balancë më të drejtë mes cilësisë sportive dhe misionit për zhvillimin e minifutbollit vendas.
Pavarësisht këtyre vërejtjeve, “Ulqini Open 2026” mbetet një nga turnetë më të rëndësishme të minifutbollit në rajon, duke bashkuar sportin dhe argëtimin, ndërsa pritshmëritë për edicionet e ardhshme janë që ky aktivitet të vazhdojë të rritet dhe të ruajë identitetin e tij tradicional.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat