Siguron biletën për Kampionatin Botëror

Mali i Zi fitoi kundër Greqisë të dielën mbrëma me rezultatin 33:25. Në ndeshjen e parë, më 13 prill, Greqia kishte fituar 25:23. Krahas Malit të Zi, nga Evropa në Kampionatin Botëror që do të mbahet vitin e ardhshëm do të marrin pjesë edhe Suedia, Polonia, Danimarka, Spanja, Franca, Norvegjia, Belgjika, Hungaria, Kroacia, Islanda, Serbia, Gjermania, Portugalia dhe Maqedonia e Veriut

Mali i Zi është kualifikuar në Kampionatin Botëror të hendbollit që mbahet vitin e ardhshëm. Në duelin vendimtar për Botëror, Mali i Zi fitoi kundër Greqisë të dielën mbrëma me rezultatin 33:25, në sallën e stërmbushur në Podgoricë dhe kështu siguroi biletën për Botëror. Në ndeshjen e parë, më 13 prill, Greqia kishte fituar 25:23.
Ndeshja ishte e fortë, por vendasit të nxitur nga rreth 6 000 shikues, kanë shfaqur më shumë dhe në fund realizuan synimin. Pas ndeshjes ka pasur festë të madhe në palestër.
Mali i Zi është kundërshtar i Kombëtares së Kosovës në eliminatoret për Euro 2024 dhe ishte kundërshtar në kualifikimet për Evropianin e kaluar.
Krahas Malit të Zi, të dielën biletën për në Botëror e siguruan edhe Maqedonia e Veriut, që fitoi 27:25 ndaj Çekisë, pas barazimit 24:24 në ndeshjen e parë. Portugalia fitoi 35:28 ndaj Holandës në fushën kundërshtare, ndonëse e kishte humbur 33:30 ndeshjen e parë në shtëpi.
Suedia, Polonia, Danimarka, Spanja, Franca, Norvegjia, Belgjika, Hungaria, Kroacia, Islanda, Serbia, Gjermania, Portugalia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë kombëtaret nga Evropa që janë kualifikuar në Kampionatin Botëror që do të mbahet nga 11 deri më 29 janar të vitit të ardhshëm në Poloni dhe Suedi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat