Ajo që deri para disa kohësh konsiderohej e pamundur, sidomos pas incidentit të ndodhur në tetor 2014 dhe ndërprerjes së ndeshjes ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në stadiumin në Beograd për shkak të huliganizmit dhe sjelljeve raciste të tifozëve serbë, tashmë është lënë prapa nga federatat e futbollit të dy vendeve.
Ato kanë vendosur që të aplikojnë bashkërisht për organizimin e Kampionatit Evropian të Futbollit për moshat U-21 në vitin 2027 dhe më 4 shkurt kanë marrë edhe konfirmimin zyrtar nga shtëpia e futbollit evropian, pasi që Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi të mbështesë kandidaturën e Shqipërisë dhe Serbisë për organizimin e këtij aktiviteti sportiv të rëndësishëm.
Sipas njoftimit të UEFA-s, pas dorëzimit të një dosjeje të vetme të ofertës së përbashkët, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata Serbe e Futbollit u caktuan si mikpritëse për edicionin e vitit 2027 të turneut.
“Turneu me 16 ekipe është planifikuar të luhet në katër stadiume në Shqipëri (Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Rrogozhinë) dhe katër stadiume në Serbi (Novi Sad, Loznicë, Leskovc dhe Zajeçar). Ndeshja hapëse do të zhvillohet në Serbi dhe finalja do të zhvillohet në Shqipëri”, thuhet në të.
Dy vendet organizatore do të mirëpresin secila nga tetë skuadra pjesëmarrëse, ndërsa ekipet do të luajnë në vendin e tyre pritës deri në finalen e madhe, e cila do të zhvillohet në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.
Kreu i FSHSH-së, Armando Duka, e ka vlerësuar vendimin e UEFA-s shumë të rëndësishëm, duke thënë se Kampionati Evropian U-21 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli.
“Ai (kampionati) do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë. Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit”, citohet të ketë thënë ai.
Megjithatë, vendimi i FSHSH-së për të bashkorganizuar një kampionat të tillë me Serbinë ka hasur edhe në kritika të tifozëve kuq e zi dhe të institucioneve qeveritare në Kosovë.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, gjatë një konference për shtyp më herët është shprehur i pakënaqur me Shqipërinë për bashkorganizimin e Kampionatin Evropian për U-21 me Serbinë.
Ndërkaq, grupi zyrtar i mbështetësve të Shqipërisë, i njohur si “Tifozat Kuq e Zi”, ka kërcënuar se do ta ndërpresë mbështetjen për kombëtaren për shkak të këtij organizimi.
(Kohapress)