Shpallet kampion i Malit të Zi

Tuz – Klubi i Futbollit “Deçiq” nga Tuzi shënoi arritjen historike, atë të titullit kampion i Malit të Zi, rezultat të cilin ky klub e shënon pas pothuajse një shekulli që nga themelimi i tij në vitin 1926, përkatësisht pas plot 98 vjetësh ekzistencë.
Pas 35 ndeshjeve të luajtura, këtë rezultat historik klubi në fjalë e arriti në ndeshjen e 18-të majit 2024, që e kishte me klubin e Sutjeskës në Nikshiq, ku e mundi atë me rezultatin 1:0, duke ia vënë kështu vulën titullit të kampionit.
Kryetari i Klubit të Futbollit “Deçiq”, Pal Dreshaj, në një prononcim për gazetën “Koha javore” thotë se të ndodhur ende në momente euforie, kësaj fitoreje ende nuk ia dinë vlerën, mirëpo, siç u shpreh ai, ky është vetëm fillimi i ngjitjes së klubit në rrugën drejt sukseseve edhe më të mëdha.
“Kjo është meritë e krejt grupit që e përbëjnë klubin tonë, por barra më e madhe ka rënë mbi stafin e trajnerëve. Kjo nuk do të ishte e mundur pa angazhimin e të gjithëve si, personelit, menaxhmentit, administratës dhe tërë stafit të cilët ishin të fokusuar te një qëllim, për të marrë titullin kampion. Lojtarët për herë të parë përballeshin me një presion si asnjëherë më parë për ta marrë këtë titull dhe këtë e arritën me sukses, duke përmbushur qëllimin”, shprehet Dreshaj.
Se sa i rëndësishëm është ky titull për Tuzin dhe për mbarë Malësinë, ka treguar edhe atmosfera që krijuan tifozët në mbrëmje pas ndeshjes, ku u vërejt një atmosferë e zjarrtë dhe një entuziazëm i jashtëzakonshëm në mbështetje të lojtarëve të “Deçiqit”.
Në lidhje me këtë, kryetari i klubit, z. Pal Dreshaj thotë se kjo fitore përbën një satisfaksion të madh për klubin që drejton, sepse ka sjellë entuziazëm të madh te të gjithë tifozët dhe mbështetësit e klubit në fjalë, por dhe tek të gjithë qytetarët.
“Në këtë rast, ne kemi promovuar Tuzin në të gjitha zyrat e qyteteve të futbollit të UEFA-s, por e kemi promovuar atë edhe tek të gjithë tifozët që përcjellin futbollin nëpër botë” u shpreh Dreshaj, duke shtuar se me menaxhmentin e ri në futbollin e Malit të Z, Klubi i Futbollit “Deçiq” do të sjellë një frymë të re të veprimit të punës.
“Dhe këtu mendoj se qëndron përfitimi, edhe i futbollit të Malit të Zi në nivelin shtetëror” thotë Dreshaj.
Ai shprehet se për afro pesë vjet punë, përkushtim dhe sakrificë, menaxhmenti i ri i Klubit të Futbollit “Deçiq” është angazhuar për të korrur rezultate të lakmueshme në përmbushjen dhe përmirësimin e kushteve për ta zhvilluar veprimtarinë e tij.
“Jemi afër përfundimit të objektit të ri i cili do të një ambient i jashtëzakonshëm. Pra kemi punuar në infrastrukturë të cilës që do t’ia ketë lakmi çdo qytet i Malit të Zi. Pastaj kemi punuar në akademinë e futbollit e cila përbëhet nga 250 vogëlushë të rinj. Të gjitha seleksionet i kemi në Ligën e Parë, gjë që më herët, nuk ishte. Gjithashtu, jemi duke punuar në ngritjen e kapaciteteve të stafit, në shkollimin, edukimin, etj.” shprehet Dreshaj.
Ai duke folur për veprimtarinë e klubit në të ardhmen, thotë se në vazhdim i presin lojërat ndërkombëtare.
“Ne do të vazhdojmë të përgatitemi fort për ndeshjet e ardhshme, duke u përpjekur që të dalim faqebardhë derisa të mundemi” shprehet Dreshaj.
Kjo është hera që Klubi i Futbollit “Deçiq”, merr titullin kampion i Malit të Zi në Futboll.
Me këtë titull, KF “Deçiq” do ta ketë mundësinë që të luajë në eliminatoret e Champions League.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat