Rikthehet vëmendja te lumi Cem

Zona e lumit Cem, me natyrën e saj të pasur dhe peizazhin e rrallë, ofron kushte ideale për zhvillimin e sporteve ujore dhe të turizmit aktiv. Këto janë organizime të herëpashershme që e rikujtojnë potencialin e zonës, po për ta shndërruar në një destinacion të qëndrueshëm dhe në një atraksion të mirëfilltë turistik nevojitet vizion i qartë, angazhim afatgjatë, investim dhe promovim, që do të siguronin jo vetëm ngjarje, por edhe infrastrukturë, mundësi dhe vazhdimësi

Në vendin e njohur të pushimit veror – Tërgajë, mu në brigjet e lumit Cem, të dielën më 6 korrik 2025 u zhvillua një aktivitet sportiv me karakter edukues dhe promovues, “Regata në kajak” i cili mbahet në kuadër të manifestimit të emërtuar “Ditët e Cemit”.
Në hapje të këtij aktiviteti u theksua se Organizata Turistike e Tuzit, që është promotore e këtij organizimi, synon që përmes këtyre aktiviteteve të promovojë mundësitë dhe potencialet e shumta të lumit Cem.
“Shpresojmë se kajaku do të bëhet një sport i preferuar nga të rinjtë dhe të rejat në lumin Cem dhe pse jo, së shpejti edhe në liqenin e Shkodrës”, u tha nga kjo organizatë.
Drejtori i Klubit të Taekwondosë “Besa”, që është edhe mbështetës teknik i këtij aktiviteti, Nikollë Gegaj, shprehet se është tejet e rëndësishme të mbahet dhe promovohet një disiplinë e tillë sportive.
“Ne kemi pasur tendencë edhe para dy dekadash ta formojmë një klub për sportin e kajakut, por pas taekwondosë hapëm klubin e çiklistëve, mirëpo për kajak dhe sporte të tjera që kishim qëllim, nuk kishte atëherë as mbështetje”, tha Gegaj.
Ai shprehu besimin se ky sport do të zhvillohet dhe do të mbështetet më shumë në të ardhmen.
“Sepse sot fëmijët do kënaqen, duke u edukuar dhe se dikush nga ata do të dashurohet në sportin e kajakut, që shërben edhe për të ruajtur natyrën. Në këtë mënyrë fëmijët ndërgjegjësohen, pra qëndrojnë larg telefonit – në natyrë, në një vend piktoresk që duhet ta ruajmë dhe çmojmë më shumë”, u shpreh Gegaj.
Ai më tej theksoi se kanioni i lumit Cem duhet të valorizohet dhe zhvillohet për të tërhequr turistë nga Malësia, diaspora dhe nga vendet e tjera.
Kryetari i Asociacionit të Kajakut të Malit të Zi, Vlladimir Shoq, u shpreh se po ndihmojnë teknikisht për të zhvilluar këtë garë sportive në brigjet e lumit Cem, me varkat dhe pajisjet përkatëse.
“Ne me kënaqësinë më të madhe i përgjigjemi Klubit të Taekwondosë “Besa” dhe Organizatës Turistike, dhe bashkëpunimi ynë zgjat më shumë se dhjetë vjet. Ne mendojmë që në vijim ta zgjerojmë këtë bashkëpunim edhe në rajon, siç është me Klubin e Kajakut të Shqipërisë dhe Kosovës”, u shpreh Shoq.
Ky aktivitet ka për qëllim të edukojë të rinjtë dhe të rejat, duke u krijuar mundësinë ta njohin dhe ta admirojnë këtë sport ujor, rekreativ dhe garues- kajakun.
Regata në kajak është një garë sportive me kajakë, e cila zakonisht organizohet me mjete lundruese në ujëra të qeta si liqene, lumenj ose dete.
Zona e lumit Cem, me natyrën e saj të pasur dhe peizazhin e rrallë, ofron kushte ideale për zhvillimin e sporteve ujore dhe të turizmit aktiv. Këto janë organizime të herëpashershme që e rikujtojnë potencialin e zonës, po për ta shndërruar në një destinacion të qëndrueshëm dhe në një atraksion të mirëfilltë turistik nevojitet vizion i qartë, angazhim afatgjatë, investim dhe promovim, që do të siguronin jo vetëm ngjarje, por edhe infrastrukturë, mundësi dhe vazhdimësi.
Lumi është një dhuratë e natyrës, por që të bëhet pasuri për komunitetin, kërkohet punë, përkushtim dhe vizion.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat