Disa dhjetëra çiklistë të të gjitha moshave kanë marrë pjesë të dielën (27 tetor 2024) në Turin çiklistik “Dritan Kurti”, të organizuar për të tretin vit me radhë nga Shoqata “Ora”.
Çiklistët pjesëmarrës kanë përshkuar rrugën me gjatësi rreth 18 kilometra. Ata janë nisur nga Sukubina dhe përmes Boreve, Shtodrit dhe bregut të Lumit Buna kanë shkuar deri te Restorant “Shasi” (në Shas), për t’u kthyer sërish në të njëjtën rrugë dhe përfunduar turin çiklistik në fshatin Sukubinë.
Ajo që ka rënë në sy në edicionin e sivjetshëm ka qenë pjesëmarrja masive sidomos e fëmijëve, gjë që ia ka shtuar hijeshinë këtij manifestimi.
Ky aktivitet sportiv mbahet për nder të ish-kryetarit të Shoqatës “Ora”, Dritan Kurti, mësues në shkollën fillore “Bedri Elezaga” – Katërkollë, njëherazi kryetar i Bashkësisë Lokale – Sukubinë dhe anëtar i kryesisë së Ansamblit “Tradita”, veprimtar shoqëror i palodhur, i cili humbi jetën nga COVID-19 në vitin 2020, në moshën 42-vjeçare. Përpos përkujtimit, turi çiklistik ka për qëllim edhe promovimin e sportit të çiklizmit, adhurues i të cilit ishte Dritan Kurti, si dhe të bukurive natyrore të Anës së Malit dhe pjesëve të tjera të komunës së Ulqinit.
i. k.