Pjesëmarrjehistorike e sportistëve të KT “Ulqini”

Në mesin e sportistëve pjesëmarrës ishin edhe dy garues të dalluar të KT “Ulqini”, Enes Dushku dhe Sara Kraja, të cilët morën pjesë pas ftesës së marrë nga Komiteti Olimpik i Malit të Zi, falë rezultateve të arritura dhe renditjes në ranglistën evropiane. Edhe pse nuk arritën të fitojnë medalje, të dy garuesit bënë paraqitje të mirë. Ky sukses i tyre vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt afirmimit të sportistëve të rinj të Ulqinit në skenën ndërkombëtare

Më 20-27 korrik 2025, në Shkup, Kumanovë dhe Osijek u mbajtën Lojërat XVIII Olimpike Evropiane për të Rinj U18 (EYOF), të organizuara nga Komiteti Olimpik Evropian (EOC). Në këtë ngjarje madhështore morën pjesë 48 shtete evropiane, me mbi 4 000 sportistë të rinj, të cilët garuan në 17 disiplina sportive të ndryshme.
Në mesin e sportistëve pjesëmarrës ishin edhe dy garues të dalluar të Klubit të Taekwondosë “Ulqini”, Enes Dushku dhe Sara Kraja, të cilët morën pjesë pas ftesës së marrë nga Komiteti Olimpik i Malit të Zi, falë rezultateve të arritura dhe renditjes në ranglistën evropiane. Në bazë të renditjes zyrtare të Federatës Evropiane të Taekwondosë, Enes Dushku renditej i dyti në ranglistën evropiane, ndërsa Sara Kraja në vendin e gjashtë. Këto pozita të larta në renditje u mundësuan atyre kualifikimin e drejtpërdrejtë në Lojërat Olimpike Evropiane për të Rinj (EYOF), duke shënuar kështu një arritje historike për sportin e Ulqinit, që për herë të parë kishte përfaqësues në këtë ngjarje të nivelit elitar.
Edhe pse nuk arritën të fitojnë medalje, të dy garuesit bënë paraqitje të mirë.
Në deklaratën për shtyp të KT “Ulqini” thuhet se Sara Kraja pati një paraqitje shumë dinjitoze, duke qenë shumë pranë fitimit të një medaljeje historike për sportin tonë dhe për shtetin.
“Ajo ishte e lirë në xhiron e parë, ndërsa në xhiron e dytë arriti një fitore të shkëlqyer ndaj nënkampiones evropiane nga Kroacia. Në çerekfinale, Sara u përball me kampionen evropiane nga Ukraina, ku u ndal pas një ndeshjeje shumë të fortë dhe të barabartë. Me këtë paraqitje, Sara Kraja u rendit në vendin e pestë, duke dëshmuar nivelin e lartë konkurrues dhe potencialin për suksese të ardhshme në arenën ndërkombëtare”, thekson deklarata për shtyp.
Ndërkaq, Enes Dushku u ndesh me përfaqësuesin nga Azerbajxhani, i cili ishte bartës i kategorisë dhe në fund arriti të fitojë medaljen e bronztë.
“Përkundër kësaj, pjesëmarrja e Enesit në këtë ngjarje shënoi një tjetër moment të rëndësishëm, pasi Komiteti Olimpik i Malit të Zi e zgjodhi atë si flamurmbajtës të delegacionit malazez në ceremoninë e hapjes solemne, duke i besuar kështu një nder të veçantë për sukseset dhe rezultatet e tij në skenën evropiane”, thuhet në deklaratën për shtyp të KT “Ulqini”.
Sipas drejtuesve të këtij klubi, kjo përvojë ishte jashtëzakonisht e vlefshme për sportistët e tyre, të cilët përjetuan standardet e vërteta olimpike – duke filluar nga parakalimi në ceremoninë e hapjes, qëndrimi në “fshatin olimpik” ku ishin të akomoduar të gjithë pjesëmarrësit, si dhe pjesëmarrja në aktivitetet shoqërore dhe kulturore që zhvilloheshin çdo mbrëmje.
“Një emocion i veçantë ishte gjithashtu edhe prania e flakës olimpike, e cila i dha një dimension të paharrueshëm kësaj ngjarjeje madhështore”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se “ky sukses është një hap i rëndësishëm drejt afirmimit të sportistëve të rinj të Ulqinit në skenën ndërkombëtare”.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat