Më 31 maj 2025, në Ulqin është mbajtur me sukses edicioni i gjashtë me radhë i turneut ndërkombëtar në taekwondo “Ulqin Trophy”, i organizuar nga Klubi i Taekwondosë “Ulqini”, kanë bërë të ditur nga ky klub.
“Ky turne tashmë është bërë një traditë e rëndësishme sportive në rajon dhe një ngjarje e veçantë për komunitetin tonë. Në këtë turne morën pjesë 505 sportistë nga 7 vende të ndryshme, prej të cilëve 432 garuan në disiplinën e ndeshjes (kyorugi) dhe 73 në disiplinën e formave (poomsae). Pjesëmarrja e madhe ndërkombëtare dëshmoi edhe një herë rëndësinë që ka ky aktivitet në kalendarin sportiv rajonal dhe më gjerë”, thuhet në deklaratën për shtyp të KT “Ulqini”.
Sipas deklaratës për shtyp, turneu përfundoi me shumë sukses duke ofruar gara cilësore dhe atmosferë sportive shembullore, ndërsa fitues të përgjithshëm të këtij edicioni ishin: Akademia Tradicionale e Taekwondosë nga Bosnja dhe Hercegovina, që zuri vendin e parë, Klubi “Shampion” po nga Bosnja dhe Hercegovina që zuri vendin e dytë dhe Klubi “S3” nga Mali i Zi, i cili zuri vendin e tretë.
KT “Ulqini” ka shprehur falënderime për të gjithë pjesëmarrësit – trajnerët, sportistët, prindërit, vullnetarët, ndihmësit dhe adhuruesit e sportit – të cilët me përkushtimin dhe mbështetjen e tyre i dhanë jetë dhe energji këtij aktiviteti të rëndësishëm.
“Një mirënjohje e veçantë shkon për sponsorët dhe përkrahësit tanë, të cilët me kontributin e tyre ndihmuan që ky aktivitet sportiv të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, përfundon deklarata për shtyp.
(Kohapress)
Fojnica Open 2025
Gjatë fundjavës, më 7 qershor 2025, në Sarajevë është mbajtur turneu ndërkombëtar i taekwondosë “Fojnica Open 2025”, ku kanë marrë pjesë rreth 350 sportistë nga katër vende të rajonit. Ky aktivitet sportiv mblodhi garues të rinj e të talentuar nga i gjithë rajoni i Ballkanit.
KT “Ulqini” ka marrë pjesë me pesë garues, të cilët kanë bërë një paraqitje të mirë, ku më të suksesshmit nga ky klub ishin Denis Çoboviq, i cili ka fituar tri ndeshje, duke u kurorëzuar me medaljen e artë dhe shpallur garuesi më i mirë i turneut në kategorinë “young cadets”; Nejra Dervisheviq, e cila ka fituar dy ndeshje, duke fituar medaljen e artë dhe shpallur garuesja më e mirë në kategorinë “young cadets”; Leandra Bogdanoviq, e cila ka fituar medaljen e argjendtë, ndërsa Gani Resulbegu dhe Rajana Bogdani u shpërblyen me medalje të bronztë, duke kontribuar po ashtu në suksesin e përgjithshëm të këtij klubi.
Nga KT “Ulqini” kanë bërë të ditur se si rezultat i këtyre paraqitjeve të shkëlqyera, ky klub është renditur në vendin e parë në kategorinë “young cadets”, duke fituar trofeun e vendit të parë në këtë grupmoshë.