Tuz- Klubi i taekwondos “Besa” nga Tuzi e ka përmbyllur vitin 2016 me mjaft sukses duke qenë pjesëmarrës në një sërë garash të rëndësishme dhe me renome si brenda ashtu dhe jashtë vendit nga ku është shpërblyer me çmime të lakmueshme.
Në fillim të 2016-tës, klubi “Besa” mori pjesë në Kampionatin Evropian të Klubeve në Antalia,më pas në Kampionatin Evropian të Seniorëve në Zvicër, në Kampionatin “G1 Sllovenia Open”, “Greece Open G1” në “Podgorica Open”- Montenegro, etj.
Trajneri i klubit “Besa”, Nikollë Gegaj, për “Koha Javore” vë në dukje një mori çmimesh të rëndësishme që sportistët e “Besës” arritën t’i “rrëmbejnë“ nëpër gara kombëtare e ndërkombëtare gjatë vitit që lamë pas.
“Dua të veçoj medaljen e bronztë të David Arapajt në “G1 Sllovenia Open”. Me katër kupa u shpërblyem në kampionatin “Open Podgorica ku po ashtu u renditëm klubi më i suksesshëm i Malit të Zi, më pas në kampionatin zyrtar të Malit të Zi ishim më të suksesshmit me juniorë dhe pionierë, ndërsa vendin e dytë me kadetë. Në kampionatin “Montenegro Trophy” morën po ashtu katër kupa, vendin e parë me juniorë dhe pionierë, vendin e tretë me kadetë kurse në renditje të përgjithshme vendin e dytë”, u shpreh trajneri Nikollë Gegaj.
Ai më tej potencoi dhe pjesëmarrjen në disa kampionate të rëndësishme të Ballkanit si në “Top Gym- Tirana Open”, në “Beograd Trophy”, “Karllovac Open”, “Korçulla Open”, etj duke shprehur keqardhje që ky klub nuk ishte njoftuar për të qenë pjesë e përzgjedhjes së shpalljes së klubit më të mirë i cili zhvillohet çdo fundvit.
Trajneri i klubit Besa në këtë prononcim nuk e bëri të ditur kalendarin vjetor të planit të punës për vitin 2017-të duke thënë se realizimi i planeve të tyre varet totalisht nga mbështetja financiare e cila këtij klubi i mungon dukshëm, mirëpo theksoi se do të punojë në përgatitjen dhe trajnimin e grup-moshave të reja. t.u.