Kombëtarja shqiptare e femrave në futboll është duke zhvilluar një stërvitje dhjetëdiore në Ulqin, në kuadër të përgatitjeve për kualifikueset e Botërorit 2023. Stërvitjet kanë nisur që prej të martës (8 shkurt 2022), ku 23 futbollistet e thirrura në këtë grumbullim janë vënë nën urdhrat e trajnerit Armir Grima.
Pjesë e këtij grumbullimi janë disa futbolliste të reja, të cilat nuk janë grumbulluar më parë me ekipin kombëtar A. Synimi është për t’u dhënë më shumë mundësi dhe për të rinovuar skuadrën me emra të tjerë, që mund t’i shërbejnë edhe për ndeshjet kualifikuese të Botërorit që rinisin në muajin prill.
Në një prononcim për Fshf.org, tekniku shqiptar vlerëson këtë grumbullim dhjetëditor, duke e konsideruar si mjaft të nevojshëm për të parë gjendjen fizike të vajzave dhe për të punuar me to në kuadër të sfidave të vështira që e presin Shqipërinë e femrave në muajt në vijim.
“Besoj që janë shumë të nevojshme këto grumbullime, edhe për të parë gjendjen fizike të vajzave, edhe për të punuar këto 10 ditë, që është një periudhë e mirë stërvitore. Duke menduar që kemi ndeshje të vështira përpara, do të na shërbejnë shumë. Normalisht që do t’i shërbejnë edhe vajzave tek ekipet e tyre”, shprehet Grima.
Po ashtu, trajneri i vajzave kuqezi thekson se ky grumbullim do t’i shërbejë stafit për të rinovuar edhe skuadrën me emra të rinj, për ta forcuar më tepër atë, si dhe të ndihmojë edhe vajzat e ekipeve zinxhirë për t’u dhënë mundësinë që të jenë pjesë e skuadrës A.
“Po mendojmë që edhe të rinovojmë skuadrën, të afrojmë elemente cilësorë, që të ndihmojmë edhe U-19, me vajzat e U-19 që kemi këtu, normalisht që të jenë edhe pranë ekipit të parë, por meqë kanë aktivitet në prill, besoj se do t’u shërbejë edhe këtyre gocave. Kështu që, janë të alternuara për ta forcuar sa më shumë skuadrën dhe për të pasur sa më shumë elemente cilësore”, vijon ai, teksa flet edhe për ndeshjet e muajit prill, ku Shqipëria do të luajë përballë Belgjikës dhe Armenisë.
“Besoj që kemi ndeshjen e parë të vështirë me Belgjikën dhe ne nuk duhet të përsërisim rezultatin që kemi pasur në Belgjikë, që për mua ishte surprizë negative dhe mendoj se detyrimisht e kemi si detyrë të fitojmë ndaj Armenisë në Armeni dhe mendoj se do të bëhet diçka shumë e mirë nëse arrijmë fitoren me Armeninë”, përfundon Armir Grima.
Përpos seancave të rregullta stërvitore, Kombëtarja e Shqipërisë ka zhvilluar edhe ndeshje prove ku janë vënë përballë të gjitha futbollistet e grumbulluara. Sipas stafit të kombëtares së Shqipërisë, ky test rezultoi pozitiv për ta dhe trajnerin Grima, i cili u shpreh i kënaqur nga impenjimi i lojtareve dhe paraqitja e tyre në ndeshje në aspektin e cilësisë.
(Kohapress)
