Përforcon “Deçiqin” për fazën e dytë të kampionatit

Gjatë këtij afati kalimtar nga “Deçiqi” është larguar sulmuesi Ilir Camaj, njëri ndër lojtarët më të mirë të këtij klubi, i cili është transferuar te “Dofar” i Omanit, që kryeson ligën e këtij vendi. Prandaj pritet që Beqiraj ta zëvendësojë mungesën e Camajt në sulmin e “Deçiqit”. Futbollisti 34-vjeçar nga Kosova do të jetë një përforcim i fortë për “Deçiqin” në luftën e tij për titullin kampion, por edhe në frontet tjera

Futbollisti i Përfaqësueses së Malit të Zi, Fatos Beqiraj, është përforcimi më i ri dhe më i madh i Klubit të Futbollit “Deçiq” nga Tuzi gjatë afatit kalimtar të dimrit.
Ky në fakt është edhe transferimi më i bujshëm në Ligën e Parë të Malit të Zi në futboll gjatë këtij afati kalimtar.
Beqiraj është një lojtar me përvojë të madhe. Ai është lojtari me numrin më të madh të ndeshjeve të luajtura për Kombëtaren e Malit të Zi, për të cilën është aktivizuar në 85 ndeshje dhe ka shënuar 16 gola.
Fatos Beqiraj e ka filluar karrierën e tij në KF “Besa” të Pejës”, ku si lojtar i talentuar në vitin 2008 kaloi në “Buduqnostin” e Podgoricës, ku do të eksplodojë. Me “Buduqnostin” do të fitojë titullin në vitin 2008, kurse në sezonin pasardhës do të jetë golshënuesi më i mirë i Ligës së Parë me 18 gola.
Në vitin 2010, Beqiraj do të transferohet te “Dinamo” e Zagrebit”, ku do të shkëlqejë. Ai ishte golshënuesi më i mirë në kampionatin kroat – në sezonin 2011/2012, ku shënoi 15 gola. Ai fitoi titullin në Kroaci tri herë (2011, 2012 dhe 2013), dy herë Kupën (2011 dhe 2012) dhe një herë Superkupën e Kroacisë në vitin 2013.
Në karrierën e vet ai ka luajtur edhe për Changujin e Kinës, për Dinamo Minsk, Dinamo Moskva, Mechelen, Maccabi Netanya, Wisla Krakow, Bnei Yehuda. Në vitin 2017 fitoi vendin e parë në Ligën e Dytë të Rusisë me Dinamon e Moskës, duke u rikthyer në elitën e futbollit rus. Së fundmi ai ka luajtur me Astanan e Kazakistanit, ku në shtatë ndeshje gjatë stinorit të vjeshtës ka shënuar dy gola.
Gjatë këtij afati kalimtar nga “Deçiqi” është larguar sulmuesi Ilir Camaj, njëri ndër lojtarët më të mirë të këtij klubi, i cili është transferuar te “Dofar” i Omanit, që kryeson ligën e këtij vendi. Prandaj pritet që Beqiraj ta zëvendësojë mungesën e Camajt në sulmin e “Deçiqit”.
Pas fazës së parë të Ligës së Parë të Malit të Zi në futboll, “Deçiqi” ndodhet në vendin e dytë në tabelë, tetë pikë pas “Sutjeskës” nga Nikshiqi, që kryeson kampionatin. Futbollisti 34-vjeçar nga Kosova do të jetë një përforcim i fortë për “Deçiqin” në luftën e tij për titullin kampion, por edhe në frontet tjera.
Beqiraj do t’u bashkëngjitet lojtarëve të klubit të tij të ri në Antalia të Turqisë, ku “Deçiqi” po i zhvillon stërvitjet për fazën e dytë të kampionatit.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat