Garuesit e Klubit të Taekwondosë “Ulqini” morën pjesë të shtunën (29 mars 2025) në edicionin e gjashtë të Turneut Ndërkombëtar “Studenti Open”, ku bënë një paraqitje të mirë dhe përfaqësim të shkëlqyer.
KT “Ulqini” u përfaqësua në këtë garë me 20 sportistë, 14 prej të cilëve u kurorëzuan me medalje, ndërsa arritën të fitojnë edhe dy trofe – për vendin e dytë në renditjen e përgjithshme dhe garuesen më të mirë të turneut. Garuesit e KT “Ulqini” fituan tetë medalje të arta (Arta Ismailaga, Gani Resulbegu, Denis Çoba, Nejra Dervishi, Rea Nelaj, Leandra Bogdani, Amela Nuti, Rijad Dervishi), tri medalje të argjendta (Armend Lula, Rajana Bogdani, Rizuana Maniq) dhe tri medalje të bronzta (Nermin Sulejmani, Xhihan Maniq, Bekim Dibra).
Më e mira në radhët e KT “Ulqini” në këtë garë ishte Arta Ismailaga, e cila u shpall garuesja më e mirë e turneut, duke treguar përgatitje dhe cilësi të lartë tekniko-taktike.
“Përformancë të shkëlqyer patën edhe Debis Çoba, Gani Resulbegu dhe Nejra Dervishi, të cilët fituan nga tri ndeshje secili, duke dëshmuar potencialin e madh të ekipit të Ulqinit në arenën ndërkombëtare”, thekson deklarata për shtyp e KT “Ulqini”.
Në të më tej thuhet se “ky sukses i jashtëzakonshëm është rezultat i punës së palodhshme dhe përkushtimit të trajnerëve dhe sportistëve, si dhe i mbështetjes së pandërprerë të prindërve”.
Sipas deklaratës për shtyp të këtij klubi, në Turneun Ndërkombëtar “Studenti Open 2025” (6 Select Children Cadet Junior) morën pjesë rreth 400 garues nga pesë vende të rajonit.
i.k.