Futbollistët e Otrant Olimpikut të Ulqinit ishin në prag të Superligës malazeze. U duhej vetëm një barazim ose humbje me një gol diferencë ndaj skuadrës së Rudarit nga Plevla për të shkruar historinë. Me gjithë optimizmin e shprehur dhe dëshirën e madhe për të realizuar ëndrrën e parealizuar ndonjëherë në historinë e klubit që nga formimi i tij në vitin 1921 nuk ia dolën. U munduan, por nuk u gëzuan. Pra, mrekullia nuk ndodhi. Rivali i tyre, në një atmosferë sportive, në prani të afro 2500 tifozëve të vet, në fushë demonstroi lojë më të mirë dhe fitoi ndeshjen me rezultat të thellë 3:0. Rrjetën e golit të portierit ulqinak Arben Meqikuqiq i pari e tundi me kokë nga dhjetëmetërshi lojtari më i mirë i ndeshjes Drashko Bozhoviq. Vendasit deri në mbyllje të pjesës së partë të ndeshjes patën edhe dy raste për të shënuar, por pa sukses.
Në pjesën e dytë të ndeshjes ekipi i Rudarit ishte më i disiplinuar, më i organizuar , më i përqendruar dhe më i suksesshëm sesa skuadra e Otrantit. Shpresat e ulqinakëve i theu Mellunoviq në minutën e 53, duke e kaluar Rudarin në epërsi 2:0. Ky rezultat ishte i mjaftueshëm për skuadrën vendase që të ruajë statusin e saj në Supeligën malazeze. Megjithatë, nuk u kënaqën me kaq. Në minutën e 67 Mellunoviq përsëri shënoi dhe i siguroi skuadrës së vet fitoren e merituar. Ndërkaq ulqinakët pas këtij goli sikur mezi pritën të përfundojë ndeshja.
Kujtojmë se Otranti për shkak të kartonëve të verdhë ka luajtur pa kapitenin Senikoviq , Gjinoviq dhe dy lojtarë të tjerë standardë gjë që dukshëm ka ndikuar në cilësinë e lojës së klubit. Vërtetë në këtë situatë nuk ishte aspak e lehtë të luash mirë futboll e të eliminosh në fushën e vet një skuadër me kaq përvojë e lojtarë cilësorë siç ishte Rudari.
Pavarësisht disfatës së Otrantit ditën e diel në fushën e ekipit me më shumë tituj pas pavarësisë së Malit të Zi përballë “ ujqve” të Plevlas meriton respekt, lëvdatë dhe mirënjohje nga të gjithë sportdashësit ulqinakë dhe jo vetëm. Pa dyshim Otranti është një skuadër me talentë që ka rrugë të gjatë përpara ku sukseset, me mbështetjen e pushtetit vendor dhe sponsorëve potencialë, që patjetër nuk do të mungojnë. (Gj.Gjonaj)