Një tjetër sukses i madh

Në Ligën Evropiane të Taekwondosë për nivelin E2, një turne prestigjoz që u zhvillua të shtunën në Aigle të Zvicrës, KT “Ulqini” u përfaqësua me tre garues: Enes Dushku, Sara Kraja dhe Amela Nuti, ku dy të parët u shpërblyen me medalje të arta dhe 20 pikë olimpike, kurse Amela Nuti me medalje të argjendtë dhe 10 pikë olimpike

Klubi i Taekwondosë Ulqini mori pjesë gjatë fundjavës në dy turne të rëndësishme ndërkombëtare, duke u kthyer në shtëpi me medalje dhe pikë olimpike të vlefshme.
Kështu, të shtunën, më 24 maj 2025, në Aigle të Zvicrës u mbajt Liga Evropiane e Taekwondosë për nivelin E2, një turne prestigjoz me pjesëmarrjen e 29 shteteve dhe mbi 700 sportistëve. KT “Ulqini” u përfaqësua në këtë turne me tre garues: Enes Dushku, Sara Kraja dhe Amela Nuti, ku dy të parët u shpërblyen me medalje të arta dhe 20 pikë olimpike, kurse Amela Nuti me medalje të argjendtë dhe 10 pikë olimpike.
Dushku dhe Kraja fituan nga tri ndeshje kundër përfaqësuesve të Italisë, Portugalisë dhe Francës, përkatësisht përfaqësueseve të Francës, Zvicrës dhe Austrisë. Ndërkaq Nuti fitoi kundër përfaqësueseve të Austrisë dhe Zvicrës, por humbi në finale nga përfaqësuesja e Francës.
Në renditjen përfundimtare të turneut, KT “Ulqini” fitoi kupën për vendin e parë në kategorinë e juniorëve.
Edhe në turneun tjetër ndërkombëtar, “Krasniqi Open 2025”, që u mbajt të dielën dhe që tuboi rreth 400 garues nga 12 shtete, garuesit e KT “Ulqini” treguan nivel të lartë.
Kështu Enes Dushku fitoi medaljen e artë me dy fitore, kurse Sara Kraja dhe Amela Nuti për shkaqe teknike (fluturimit të planifikuar më herët) nuk u paraqitën në finale, duke u shpërblyer me medalje të argjendta.
Nga KT “Ulqini” kanë deklaruar se këto rezultate përbëjnë një tjetër sukses të madh për klubin e tyre, “që vazhdon të jetë ambasador i denjë i sportit dhe qytetit të Ulqinit në arenën ndërkombëtare”.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat