Një tjetër medalje e nivelit G2/E2 për KT “Ulqini”

Sportisti i këtij klubi, Enes Dushku, ka fituar medalje të argjendtë, në grupmoshën e kadetëve, kategoria -61 kg. Ai ka fituar dy ndeshjet e para, ndërsa ka humbur në finale nga nënkampioni i botës. Në këtë mënyrë Dushku fitoi pikë të vlefshme që do ta ndihmojnë të ngjitet më lart në rang-listën botërore

Garuesit e Klubit të Taekwondosë “Ulqini” kanë fituar një tjetër medalje të nivelit G2/E2, në Turneun ndërkombëtar “Albania Open 2022”, që është mbajtur gjatë fundjavës (1-2 tetor 2022) në Tiranë.
Sportisti i këtij klubi, Enes Dushku, ka fituar medalje të argjendtë, në grupmoshën e kadetëve, kategoria -61 kg. Ai ka fituar dy ndeshjet e para, ndërsa ka humbur në finale nga nënkampioni i botës. Në këtë mënyrë Dushku fitoi pikë të vlefshme që do ta ndihmojnë të ngjitet më lart në rang-listën botërore.
Më pak të suksesshme ishin kësaj radhe garueset e KT “Ulqini” – Arta Ismailaga, Amella Nuti dhe Sara Kraja, të cilat humbën që në ndeshjen e parë. Megjithatë, sipas kryetrajnerit të këtij klubi, Fikret Dushku, ato bënë një paraqitje shumë të mirë pasi që janë në prag të Kampionatit Evropian dhe në faza të provave të ndryshme, siç e kërkon edhe programi i stërvitjeve përgatitore.
Në Turneun “Albania Open 2022” të nivelit G2/E2 morën pjesë 863 sportistë të 229 ekipeve nga 56 vende të botës, në mesin e të cilëve edhe katër garuesit e KT “Ulqini”. Ai shërben për grumbullimin e pikëve për rang-listën botërore. Ky ishte edhe qëllimi i pjesëmarrjes, sipas kryetrajnerit të KT “Ulqini, në mënyrë “që të ngritemi sa më lart në renditjen botërore, renditje e cila do t’i dërgojë më lehtë në Kampionatin Evropian për kadetë, i cili do të mbahet gjatë muajit nëntor në Malta”.
Dushku shprehet i kënaqur me sportistët e tij, duke thënë se janë duke bërë një punë të shkëlqyer, sepse “të mbahet i gjithë ky ritëm kërkon energji, mund, sakrificë, kohë dhe shpenzime shumë”. Ai falënderon në të njëjtën kohë prindërit e sportistëve për bashkëpunim dhe mbështetje, Komunën e Ulqinit për përkrahje, sponsorët etj.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat