Pas katër viteve të kaluara në Klubin e Hendbollit për Femra “Istogu” në Kosovë, hendbollistja shqiptare nga Tuzi, Suzana Ujkaj, është larguar për t’u transferuar në Francë në kërkim të një përvoje të re.
Këtë e kanë bërë të ditur nga KHF “Istogu” në faqen e këtij klubi në Facebook, duke theksuar se pivotja dhe klubi i kanë ndarë rrugët me mirëkuptim.
Ujkaj i ishte bashkuar “Istogu”-t në vitin 2017. Ndonëse kishte vite që e kishte braktisur hendbollin, që në moshën e fëmijërisë, KHF “Istogu” i kishte besuar hendbollistes nga Malësia pozitën e pivotes. Ujkaj jo vetëm që e shfrytëzoi rastin, por dëshmoi talentin e saj duke arritur që për një kohë të shkurtër me këtë klub të fitojë të gjithë titujt e mundshëm, si titullin dhe kupën e Kosovës, madje të luajë edhe në kupat evropiane. Po ashtu ajo arriti të jetë pivotja më e mirë në Kosovë, duke u bërë pjesë e Kombëtares së Kosovës, ku u paraqit në kualifikime për Kampionatin Evropian dhe Kampionatin Botëror.
Nga KHF “Istogu” i kanë uruar suksese në të ardhmen tashmë ish-hendbollistes së tyre.
“KHF ‘Istogu’, bashkëlojtaret, trajneri dhe udhëheqja e Klubit hendbollistes Suzana Ujkic i janë mirënjohës për kontributin e dhënë në Klubin e Hendbollit ‘Istogu’ duke e falënderuar dhe uruar shumë fat dhe suksese në vazhdim te karrierës. Të priftë e mbara Suzana!”, thuhet në faqen e këtij klubi.
Suzana Ujkaj është 27 vjeçe, 177 centimetra e gjatë, luan në pozitën e pivotes dhe ka dorë të madhe. Në këtë mënyrë, ajo do t’i bashkohet motrës së saj Dijanës (25 vjeçe), e cila po ashtu luan në Kampionatin e Francës në Hendboll, për Klubin “Bourg-de-Péage Drôme Handball”, si dhe është pjesë e kombëtares në hendboll të Malit të Zi.
(Kohapress)
