Një nismë për peshkimin sportiv dhe mbrojtjen epasurive ujore në Malësi

“Qëllimi kryesor i klubit është të promovojë peshkimin sportiv si një aktivitet rekreativ dhe edukativ, duke nxitur gjithashtu ruajtjen e mjedisit dhe të pasurive ujore të lumit Cem. Në fazën e parë të funksionimit planifikohen organizimi i garave sportive në peshkim, trajnime për rregullat e peshkimit të qëndrueshëm, aksione pastrimi përgjatë lumit dhe aktivitete edukative për të rinjtë e zonës”, thotë drejtori i këtij klubi sportiv, Ermin Kajoshaj

Klubi i Peshkimit Sportiv “Cemi” është themeluar vetëm pak ditë më parë – një nismë që ka lindur si përgjigje ndaj nevojës për të pasur një organizim të strukturuar të dashamirësve të natyrës, peshkimit sportiv dhe mbrojtjes së lumit Cem.
Drejtori i këtij klubi sportiv, Ermin Kajoshaj, për gazetën “Koha javore” shprehet se kjo nismë është marrë nga një grup aktivistësh lokalë dhe dashamirës të natyrës, në bashkëpunim me Organizatën Joqeveritare “Trofta”, e cila prej vitesh angazhohet në ruajtjen e biodiversitetit dhe edukimin mjedisor në zonën e Cemit.
“Qëllimi kryesor i klubit është të promovojë peshkimin sportiv si një aktivitet rekreativ dhe edukativ, duke nxitur gjithashtu ruajtjen e mjedisit dhe të pasurive ujore të lumit Cem. Në fazën e parë të funksionimit, planifikohen organizimi i garave sportive në peshkim, trajnime për rregullat e peshkimit të qëndrueshëm, aksione pastrimi përgjatë lumit dhe aktivitete edukative për të rinjtë e zonës”, thotë Kajoshaj.
Sipas tij, krijimi i klubit ishte i domosdoshëm për shkak të mungesës së një strukture që do të mbronte interesin e peshkatarëve sportivë dhe do të shërbente si zë i komunitetit në çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e lumit.
“Për komunitetin lokal, kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt vetorganizimit, ruajtjes së natyrës dhe promovimit të turizmit të qëndrueshëm”, thotë ai.
Sa i përket mënyrës së anëtarësimit dhe kush mund të bëhet pjesë e klubit, Kajoshaj tregon se anëtarësimi në klub është i hapur për të gjithë qytetarët që ndajnë vlerat e ruajtjes së natyrës, pasionin për peshkimin sportiv dhe dëshirën për të kontribuuar në aktivitete komunitare.
“Procesi i anëtarësimit do të organizohet përmes regjistrimit zyrtar pranë klubit dhe pajisjes me kartelë anëtarësie. Klubi do të jetë gjithëpërfshirës dhe do të inkurajojë pjesëmarrjen e të rinjve dhe familjeve”, shprehet ai.
Kajoshaj më tej tregon mbi problemet më të mëdha që prekin lumin Cem dhe si do të kontribuojë klubi në mbrojtjen e mjedisit ujor.
Ai thotë se lumi Cem përballet me një sërë sfidash, si ndotja nga mbetjet urbane, shfrytëzimi i pakontrolluar i pasurive, ndërtimet pa leje dhe mungesa e vetëdijes për rëndësinë e ruajtjes së ujërave të pastra.
“Klubi do të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit përmes aksioneve konkrete, raportimeve tek institucionet përgjegjëse, edukimit të brezit të ri dhe ndërtimit të një kulture të re respekti ndaj natyrës dhe burimeve ujore”, përfundon Kajoshaj.
Kujtojmë se lumi Cem është shpallur Monument Natyror në vitin 2017, me vendim të Kuvendit të kryeqytetit Podgoricë për shkak të pasurive natyrore dhe biodiversitetit të tij ujor, përfshirë florën dhe faunën karakteristike të zonës.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat