Një kombinim i pasionit, traditës dhe promovimit turistik

Në turneun e shahut “Ulqin Rapid 2025” kanë marrë pjesë 41 shahistë nga Mali i Zi, Kosova dhe Serbia, duke dëshmuar edhe një herë se shahu është një sport që bashkon komunitete dhe vende përmes garës dhe miqësisë

Në fillim të sezonit turistik veror, Ulqini u bë qendra rajonale e shahut me organizimin e Turneut të Shahut “Ulqin Rapid 2025”. Ky turne i rëndësishëm jo vetëm riktheu në fokus traditën e pasur të shahut në këtë qytet bregdetar, por gjithashtu theksoi potencialin e Ulqinit për të organizuar gara ndërkombëtare me pjesëmarrës nga i gjithë Ballkani.
Turneu, i organizuar nga Klubi i Shahut “Otrant” nga Ulqini në bashkëpunim të ngushtë me Federatën e Shahut të Malit të Zi dhe me mbështetjen e Komunës së Ulqinit, u zhvillua të shtunën (21 qershor 2025) në ambientet e restorantit “Toni Grill” në Plazhin e Madh.
Në këtë garë kanë marrë pjesë 41 shahistë nga Mali i Zi, Kosova dhe Serbia, duke dëshmuar edhe një herë se shahu është një sport që bashkon komunitete dhe vende përmes garës dhe miqësisë.
Ky aktivitet shënon një përpjekje të përbashkët për të rikthyer shahun në vëmendjen e publikut, veçanërisht tek të rinjtë e Ulqinit, të cilët organizatorët shpresojnë t’i angazhojnë më shumë në të ardhmen përmes aktiviteteve të rregullta dhe edukative. Krahas garës, turneu pati edhe një funksion simbolik e kulturor – promovimin e qytetit dhe të trashëgimisë së tij mikpritëse përmes një sporti që nxit mendimin strategjik dhe garën e ndershme.
Në hapje të turneut, të pranishmit i përshëndeti kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i cili u shpreh se i vjen shumë mirë që klubi ynë i shahut, në bashkëpunim me Federatën e Shahut të Malit të Zi, arriti të organizojë këtë turne.
“Shpresoj që ky të mos mbetet vetëm një turne simbolik, por që përmes shoqërimit dhe garës ta ngrejmë këtë sport në nivelin që e meriton. Klubit tonë dhe Federatës u ofroj mbështetjen dhe bashkëpunimin tim, si dhe të Komunës së Ulqinit, me të gjitha potencialet e saj maksimale, në mënyrë që së bashku të përmirësojmë dhe zhvillojmë më tej nivelin e këtij sporti në komunën tonë”, ka thënë ai.
Kryetari i Klubit të Shahut “Otrant”, Gani Bisha, ka thënë se ndjehet i kënaqur për organizimin e turneut.
“Organizimi i këtij turneu në Ulqin ka ardhur si rezultat i pasionit tim të thellë për lojën e shahut, me të cilën merrem prej shumë vitesh. Gjatë pjesëmarrjes në turne të ndryshme në qytete të tjera të rajonit, kemi vërejtur ndikimin pozitiv që ngjarje të tilla sjellin për komunitetin dhe për vetë zhvillimin e shahut. Kjo na shtyu që, pikërisht në fillim të sezonit turistik, të organizojmë një aktivitet të tillë edhe në Ulqin, me synimin për të promovuar njëkohësisht qytetin dhe këtë sport të mrekullueshëm”, ka thënë ai.
Bisha ka theksuase se shahu nuk është thjesht një lojë, por një art dhe një sport intelektual me karakter luftarak, që të sfidon të mendosh strategjikisht dhe të luftosh për fitoren me mendje të kthjellët e durim.
“Përveç aspektit garues, një vlerë shtesë që duhet theksuar është ndikimi i teknologjisë në zhvillimin e shahut. Sot lojtarët kanë mundësi të mësojnë më shumë, të analizojnë ndeshje dhe të përmirësojnë nivelin e tyre përmes platformave online dhe programeve të specializuara”, ka pohuar ai.
Bisha ka shprehur keqardhjen që, për fat të keq, të rinjtë e Ulqinit nuk merren shumë me këtë sport.
“Por ne shpresojmë që me organizime të tilla të ngjallim interesimin e tyre dhe të nxisim pjesëmarrjen e brezit të ri”, ka thënë kryetari i KSH “Otrant”, duke shtuar se qëllimi i tyre afatgjatë është që ky turne të bëhet tradicional dhe të shndërrohet në një pikëtakim të rëndësishëm për shahistët e rajonit, duke sjellë përfitime kulturore, sportive dhe turistike për Ulqinin.
Kryetari i Federatës së Shahut të Malit të Zi, Jovan Milloviq ka thënë se ky turne është vetëm fillimi i një angazhimi më të madh në të ardhmen.
“Më vjen shumë mirë që sot jemi mbledhur në Ulqin, një qytet me një traditë të çmuar në organizimin e aktiviteteve të shahut. Si kryetar i Federatës së Shahut të Malit të Zi, misioni dhe përkushtimi im është që ky sport fisnik të zhvillohet në të gjitha komunat e vendit, pa përjashtim. Shahu nuk është vetëm një lojë, por një formë edukimi, zhvillimi intelektual dhe bashkëjetese përmes garës së ndershme”, ka thënë ai.
Sipas tij, Ulqini ka qenë gjithmonë një pikë referimi për shahun në Malin e Zi.
“Kujtoj me krenari që në vitin 2019, pikërisht këtu, në Plazhin e Madh, organizuam Kupën Evropiane të Kampionatit të Shahut, një ngjarje madhore që mblodhi mbi 800 garues dhe pjesëmarrës – një rekord për vendin tonë. Më gëzon fakti që, pas pothuajse pesë vitesh, Ulqini po i rikthehet organizimit të ngjarjeve të këtij niveli. Kjo tregon se ka vullnet, pasion dhe mbështetje për të rikthyer shahun në qendër të vëmendjes. Shpresoj që ky turne të mos mbetet një ngjarje e vetme, por të kthehet në një traditë vjetore që do të rritet me kohën, si në pjesëmarrje, ashtu edhe në cilësi organizative”, ka thënë Milloviq, duke shprehur mirënjohje të veçantë për nikoqirët dhe organizatorët, për mikpritjen e ngrohtë dhe përkushtimin e treguar.
Në kuadër të turneut janë ndarë edhe disa çmime simbolike për fituesit, si shenjë mirënjohjeje dhe inkurajimi për pjesëmarrësit. Fitues i turneut është shpallur shahisti nga Bijello Polja, Armin Mushoviq, Mjeshtër i FIDE, ndërsa nga shahistët ulqinakë rezultatin më të mirë e ka arritur Agim Aruçeviq.
Ky turne është një shembull i shkëlqyer i përpjekjeve për të zhvilluar dhe promovuar shahun në rajon. Me mbështetjen e institucioneve lokale dhe federatave përkatëse, shahu në Ulqin ka perspektivë të ndritshme për t’u rritur dhe për t’u bërë një traditë e përhershme, që do të frymëzojë brezat e rinj dhe do të afirmojë më tej vlerat kulturore dhe sportive të qytetit.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat