A duhet të quhet EURO 2021?
Sipas logjikës, kështu duhet të jetë. Por UEFA i përmbahet emrit EURO 2020, pasi Kampionati Evropian është dashur të mbahet vitin e kaluar dhe është shtyrë për shkak të pandemisë së Covid-19. Mbajtja e emrit ka arsye të komplikuara tregtare që janë të vështira për t’u kuptuar, por ka edhe shumë pragmatike: çdo biletë, çdo zbukurim stadiumi, çdo artikull marketingu, sado i vogël, do të duhej të hidhej dhe të bëhet nga e para. Por për sa i përket qëndrueshmërisë – kjo është absurde.
Ku do të zhvillohen lojërat?
Njëmbëdhjetë qytete kanë mbetur në fund si vende ku do të zhvillohen ndeshjet, pasi UEFA bëri presion në pranverë. UEFA këmbënguli në një premtim të vendosur që – megjithë pandeminë, spektatorët mund të futen në stadium. Kjo shkaktoi shumë kritika. Autoritetet në tre qytete nuk pranonin praninë e shikuesve – përfshirë këtu edhe Mynihun e Gjermanisë. Por Mynihu mbeti në listë, ndërsa Dublin dhe Bilbao jo. Lojërat e planifikuara të zhvillohen në kryeqytetin irlandez do të mbahen në stadiume të tjera. Ndërsa lojërat e planifikuara të mbahen në Bilbao do të zhvillohen në Sevilë. Futboll do të ketë edhe në Romë, Baku, Shën Petersburg, Budapest, Bukuresht, Amsterdam, Glasgou dhe Kopenhagë. Synimi i skuadrave do të jetë stadiumi Wembley në Londër, ku do të zhvillohen dy ndeshjet e gjysmëfinales, dhe finalja e madhe.
Kush ka të drejtë të futet në stadiume?
Sigurisht që në stadiume nuk do të mund të futen të gjithë ata që kishin siguruar një biletë. UEFA tashmë ka anuluar biletat dhe i ka informuar tifozët për këtë. Stadium të plotë me shikues do të ketë vetëm në Budapest. Autoritetet e Hungarisë kanë konfirmuar se në stadiumin Ferenc Puskas do të mund të futen 68 000 spektatorë. Sikur edhe në Ligën e Kampionëve, autoritetet hungareze po tregohen shumë miqësore ndaj shikuesve. Kjo trajtohet shumë ndryshe në të gjitha vendet e tjera dhe mund të ndryshojë në varësi të situatës me virusin Corona. Mynihu, për shembull, planifikon – në varësi të situatës me pandeminë, me tre skenarë të ndryshëm – me më pak se 7 000 tifozë, me 14 500 ose me 27 000 shikues. Glasgou do të donte të lejonte në stadium 13 000 tifozë, që është një e katërta e numrit që mund të futen në Hampden Park.
E ngjashme është gjendja në Londër. Për tri ndeshjet në grupe të ekipit kombëtar anglez, lejohen 22.500 spektatorë. Kapaciteti për gjysmëfinale dhe finale në mes të korrikut është ende i hapur. Federata Angleze e Futbollit dhe UEFA shpresojnë se gjendja me pandeminë Corona do të vazhdojë të përmirësohet dhe se në përputhje me rrethanat, në gjysmëfinale dhe në finale do të ketë më shumë spektatorë. Biletat për të gjitha ndeshjet jepen nga UEFA me short.
Si funksionon modeli i garave?
Në Kampionatin Evropian marrin pjesë 24 ekipe. Në garat paraprake, ekipet janë të ndara në gjashtë grupe me nga katër ekipe, ku secila ndeshet me secilën. Dy ekipet e para në grup kualifikohen automatikisht në gara të mëtutjeshme, si dhe katër ekipet e treta më të mira në grupe. Më pas fillojnë garat nokaut, që do të thotë se ekipi që fiton vazhdon garat, të tjerat largohen nga Kampionati Evropian. Ndeshje për vendin e tretë nuk do të ketë, por do të zhvillohet vetëm finalja.