Në 2023-shin, vazhdimi i kampionatit dhe lufta për titull

“Edhe pse në shikim të parë arratisja me nëntë pikë e dy klubeve nuk është diferencë e cila nuk mund të anulohet, ne do të përpiqemi që ta anulojmë atë dhe të synojmë titullin e kampionit, e natyrisht në frontin tjetër, në garat për kupë të arrijmë titullin e parë, pra rezultatin historik, një titull i cili këtë vit do të arkivohej në muzeun e klubit tonë”, shprehet kryetari i KF “Deçiq”, Pal Dreshaj

Viti 2022 ka rezultuar një vit i suksesshëm për Klubin e Futbollit “Deçiq”, ndërsa këtij suksesi i kanë paraprirë rezultatet historike që ky klub i arriti gjatë vitit 2021, si kualifikimi në finalën e Kupës së Malit të Zi dhe arritja e pjesëmarrjes së këtij klubi në garat evropiane të UEFA-s (Liga e Konferencës).
Mbi veprimtarinë e këtij klubi sportiv në tërësi gjatë viti të kaluar, por edhe mbi prioritetet për këtë vit për gazetën “Koha Javore” u pronocua kryetari i KF “Deçiq” z. Pal Dreshaj i cili thotë se në pikëpamjen e rezultateve gjatë vitit të shkuar ky klub i ka arritur objektivat.
“Në sezonin 2022 ishim finalistë të Kupës së Malit të Zi dhe fituam vendin e tretë i cili siguroi kualifikimin në garat evropiane të UEFA-s (Liga e Konferencës), ku u prezantuam me një lojë dinjitoze ndaj një gjigandi i cili na takoi nga shorteu – Dinamo Minskut”, shprehet Dreshaj.
Ai thotë se gjatë ecurisë së kampionatit ky klub ka pasur ngritje-rëniet e veta, duke përfunduar kështu në vendin e tretë në kampionat, dhe me kualifikimin në gjysmëfinalen e kupës e cila do të vazhdojë këtë vit, përkatësisht në muajin prill.
Ai potencoi si rezultatin më të madh të klubit realizimin e sipër të një projekti grandioz, atë të ndërtimit të tribunave dhe të fushave e të tapetit të ri i cili, siç tha, do të jetë tapeti më bashkëkohor në rajon, gjysmë hibrid, dhe ndërtimin e dy fushave stërvitore.
“Duhet të përmendim edhe suksesin që patëm gjatë garave të kategorive të reja ku gjatë vitit 2022 u kualifikuan në Ligën A (juniorët dhe kadetët), ndërsa edhe pionierët janë në një pozicion jashtëzakonisht të mirë, në vendin e katërt në gjysmësezonin e parë”, thotë Dreshaj.
Për drejtuesin e këtij klubi prioritet këtë vit është vazhdimi i kampionatit dhe lufta për titull. “Edhe pse në shikim të parë arratisja me nëntë pikë e dy klubeve nuk është diferencë e cila nuk mund të anulohet, ne do të përpiqemi që ta anulojmë atë dhe të sulmojmë titullin e kampionit, e natyrisht në frontin tjetër, në garat për kupë, të arrijmë titullin e parë, pra rezultatin historik, një titull i cili këtë vit do të arkivohej në muzeun e klubit tonë”, shprehet kryetari i KF “Deçiq”, Pal Dreshaj.
Duke u ndalur tek përmirësimi i kushteve në infrastrukturën përkatëse, atë të ndërtimit të tribunave, ai tha se ky projekt i cila ka filluar në tetor të vitit të kaluar pritet të përfundojë para afatit kohor që është përcaktuar të jetë tetori i vitit 2023.
“Kjo do të varet edhe nga kushtet klimatike, mirëpo deri më tani punimet kanë vazhduar me dinamikën e duhur”, tregon Dreshaj.
I pyetur se sa është i kompletuar ky klub me lojtarët dhe trajnerët, Dreshaj thotë se gjatë punës dhe përzgjedhjes së lojtarëve të një klubi ky është procesi më i vështirë i cili nuk duket.
“Këtu mund të kemi përzgjedhje të qëlluara, por edhe të gabuara. Ne duke analizuar aktivitetet tona, kemi evidentuar disa gabime të cilat në të ardhmen nuk do t’i përsërisim. Menjëherë kemi bërë largimin e tetë lojtarëve të cilët nuk kanë përmbushur pritshmëritë tona dhe natyrisht bashkë me ta edhe stafin teknik”, u shpreh Dreshaj.
Klubi i Futbollit “Deçiq” në muajin dhjetor të vitit që sapo lamë pas, ka firmosur kontratë me trajnerin Vllado Gaqinoviq nga Trebinja e Bosnjës dhe Hercegovinës i cili sipas Dreshajt, ka një përvojë disavjeçare, i kualifikuar dhe i suksesshëm.
“Ne sërish kemi afruar këtu ish-lojtarin tonë Leon Ujkaj i cili ka luajtur në Kosovë. Gjithashtu edhe dy lojtarë malazezë që kanë luajtur në skuadra të huaja, Zoriq dhe Vushuroviq. Tani jemi në negociata edhe me dy-tre lojtarë që janë në pozicione kyçe, mirëpo benefiti ynë më i madh është fakti që kemi afruar edhe disa lojtarë nga akademia jonë e futbollit të cilët në fillim të stërvitjeve kanë dhënë sinjale shumë premtuese për ne”, thotë Dreshaj, duke shtuar se ngritja e nivelit të punës në akademinë e futbollit do të jetë për ta një burim i pashtershëm i resurseve të lojtarëve të tyre, që në vitet në vijim do t’ua lehtësojë dukshëm përzgjedhjen e skuadrës A.
Aktualisht Klubi i Futbollit “Deçiq” është duke kryer stërvitjet rutinë dhe përgatitjet për pjesëmarrje në gara të ndryshme, ndërsa drejtuesi i klubit shprehet se po kërkojnë të blejnë një truall për të ndërtuar një kamp stërvitor “në të cilin do të ndërtoheshin tre-katër fusha sportive, pra një kamp modern e bashkëkohor. Mjetet për ndërtimin e këtij kampi i kemi të siguruara”, përfundon Dreshaj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat