Garuesit e Klubit të Taekwondosë “Ulqini” kanë shënuar suksesin e radhës.
Në garat kualifikuese Grand Prix Evropiane të nivelit E3, që janë zhvilluar në Tiranë gjatë fundjavës (14-16 shkurt 2025) e që shërbejnë për t’u kualifikuar në Grand Prix Seria 1, që është niveli E8, garuesi i këtij klubi Enes Dushku ka fituar medaljen e artë, duke grumbulluar në këtë mënyrë 30 pikë.
Për të fituar medaljen e artë, atij i është dashur të fitojë katër ndeshje. Në xhiron e parë ka qenë i lirë, ndërsa pastaj ka fituar me radhë kundër garuesve nga Franca, Greqia, Gjermania dhe në finale kundër garuesit nga Greqia.
E suksesshme ishte edhe garuesja tjetër e KT “Ulqini”, Amella Nuti, e cila ka fituar dy ndeshje dhe me këto fitore arriti të kualifikohet për në Grand Prix Seria 1.
Ndërkaq Sara Kraja ka humbur që në ndeshjen e parë nga garuesja britanike, kurse Arta Ismailaga, ndonëse ishte e regjistruar për garë, nuk mori pjesë për shkak të gjendjes shëndetësore.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm kanë marrë pjesë rreth 1 100 garues nga 36 vende.
Për momentin, pjesëmarrjen në Grand Prix Evropiane Seria 1, që do të mbahet në Talin të Estonisë më 9-11 prill 2025, nga KT “Ulqini” e kanë siguruar dy sportistë: Enes Dushku dhe Amella Nuti. Në këtë garë do të marrin pjesë 32 garuesit më të mirë në bazë të renditjes në listën evropiane dhe në kualifikime.
Kryetrajneri i KT “Ulqini” falënderon sponsorët e këtij klubi për mbështetjen maksimale.
(Kohapress)