Më 3-6 dhjetor 2025, Sarajeva ishte mikpritëse e Grand Prix Final të Evropës, një garë prestigjoze që mbledh garuesit më të mirë nga Evropa. Në këtë aktivitet të taekwondosë marrin pjesë 16 garues në secilën kategori: katër të kualifikuar nga seritë Grand Prix 1 dhe 2, ndërsa dymbëdhjetë të tjerët, të përzgjedhur në bazë të rang-listës zyrtare të renditjes evropiane.
Mes më të mirëve u rendit edhe përfaqësuesi i Malit të Zi dhe anëtari i Klubit të Taekwondosë “Ulqini”, Enes Dushku, i cili arriti një nga sukseset më të mëdha të karrierës së tij. Me paraqitje të shkëlqyera, Dushku arriti deri në finale, duke mposhtur më parë përfaqësuesit e Gjermanisë dhe Qipros. Në duelin final, në luftë për medaljen e artë, ai bëri një rezistencë të fortë kundër garuesit nga Greqia, por në fund u mposht.
Pavarësisht kësaj, ai e përfundoi turneun duke fituar medaljen e argjendtë dhe 60 pikë të vlefshme për rang-listën evropiane të renditjes. Me këtë rezultat, sipas deklaratës për shtyp të KT “Ulqini”, kampioni i ri ulqinak përmbylli një vit jashtëzakonisht të suksesshëm, duke e përfunduar vitin 2025 i pari në rang-listën evropiane, në kategorinë -68 kg.
(Kohapress)
