Garuesja e Klubit të Taekwondosë “Besa” dhe përfaqësuesja e Malit të Zi, Angjella Berishaj, ka fituar medaljen e argjendtë në kategorinë -68 kilogramë, në Kampionatin Botëror të Taekwondosë për Juniorë, që u zhvillua në Sofje të Bullgarisë, më 2-7 gusht.
Ajo ka humbur në finale, në një ndeshje tejet emocionuese dhe deri në fund të barabartë, nga përfaqësuesja koreane Hong Hio Rim (3:4, 5:2, 7:5).
Deri në finale, Berishaj ka shënuar katër fitore. Ajo ka eliminuar fillimisht egjiptianen Malik Ahmed (7:5, 7:4), jordanezen Sara Al Kuran (3:2, 15:3), përfaqësuesen e Bosnjë e Hercegovinës, Marija Jokiq (11:13, 16:2, 15:6) dhe në gjysmëfinale Shin I Çun nga Tajpehu (3:4, 5:1, 12:4).
Berishaj është në krye të rang-listës evropiane për juniorë, kurse në vitin 2020 ka qenë kampione evropiane për klube. Vitin e kaluar ka fituar medaljen e artë në Kampionatin Ballkanik për kadetë dhe juniorë, kurse këtë vit ka fituar medaljen e argjendtë në Lojërat Evropiane (multigames) në Sofje. Komuna e Tuzit e ka zgjedhur sportisten më të mirë për vitin 2021.
Kjo është medalja e parë botërore për Malin e Zi në taekwondo dhe përbën suksesin më të madh në arenën ndërkombëtare, ndërsa KT “Besa”, për të cilin garon Angjella Berishaj, që prej disa vitesh është ndër klubet më të mira të taekwondosë në Malin e Zi.
Për suksesin e arritur, Berishajn e ka përgëzuar Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ministri i Sportit dhe të Rinjve, Vasilije Lallosheviq, dhe ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, Federata e Taekwondosë së Malit të Zi etj. Për nder të këtij suksesi, të martën mbrëma është organizuar pritja solemne e Angjella Berishajt në oborrin e godinës së Komunës së Tuzit.
(Kohapress)
