Marin Meksi, kampion absolut mbarëkombëtar

Meksi ka siguruar ftesën për të përfaqësuar shqiptarinë në Kampionatin Botëror të Bodybuildingut dhe Fitnessit “Diamond Cup”, që do të mbahet në Portugali, më 20-21 nëntor 2021

Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, më 6 nëntor 2021 u zhvillua Kampionati Mbarëkombëtar i Bodybuildingut dhe Fitnessit, ku morën pjesë sportistë nga mbarë trevat shqiptare dhe diaspora. Të ndarë në kategorinë e femrave dhe meshkujve dhe në disiplinat përkatëse, sportistët fitues luftuan për çmimin e madh absolut, të cilin e fitoi sportisti nga Tirana, Marin Meksi, i cili siguroi ftesën për të përfaqësuar shqiptarinë në Kampionatin Botëror të Bodybuildingut dhe Fitnessit “Diamond Cup”, që do të mbahet këtë fundjavë në Portugali. Pasi fitoi disa tituj në kategori të ndryshme si kampion i shumëfishtë, Meksi u shpall dhe Kampion Absolut Mbarëkombëtar në Bodybuilding dhe Fitness.
Kampionati i Bodybuildingut dhe Fitnessit është një traditë e filluar që në vitin 1993-1994, në studion e Dr. Flamur Topit, më pas në vitin 1997 pati një shkëputje për arsye të emigrimit të sportistëve dhe që pas dy vjetësh e deri më sot nuk ka pasur më shkëputje. Kjo veprimtari organizohet nga Federata Shqiptare e Bodybuildingut dhe Fitnessit me në krye sekretarin e përgjithshëm Rando Kukeli. Në të marrin pjesë sportistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora, në kategoritë femra (bikini, fitness) si dhe meshkuj në men’s physics, bodybuilding classic dhe bodybuilding modern. Më pas të gjithë kampionët e kategorive përballen me njëri-tjetrin për të shpallur më të mirin e mbrëmjes apo kampionin absolut.
Marin Meksi është diplomat karriere në profesion, me disa misione të suksesshme në ambasadat e Shqipërisë në botë, si në Budapest, Zvicër etj. Ai është po ashtu pedagog, sportist i bodybuildingut me shumë trofe kombëtare dhe ndërkombëtare jo vetëm në sportin e bodybuildingut, por dhe në sportin e qitjes me armë, mundje krahu, strongest man, powerlifting, boks, MMA etj. Kujtojmë se Marin Meksi është i biri i shkrimtares dhe përkthyeses së njohur shqiptare, Mira Meksi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat