Rreth 70 maratonistë nga disa vende të rajonit, Evropës dhe botës kanë sfiduar të dielën motin me shi duke u bërë pjesë e edicionit të shtatë të Maratonës së Pavarësisë Ulqin-Shkodër. Për disa prej maratonistëve nga Kosova, Shqipëria dhe trevat tjera shqiptare, të cilët janë pjesë e rregullt e kësaj maratone, apo të tjerët që morën pjesë për të parën herë, dëshira, vullneti dhe simbolika që mbart në vete kjo maratonë që zhvillohet për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, është aq e madhe saqë ngadhënjeu mbi çdo pengesë. Ndërsa për të tjerët, të ardhur nga vendet e ndryshme (përpos maratonistëve nga Kosova dhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, këtë vit morën pjesë edhe maratonistë nga Serbia, Finlanda, SHBA, Danimarka, Austria dhe Çekia), ajo është unike pasi që bashkon dy qytete shqiptare, Ulqinin dhe Shkodrën, si dhe dy shtete.
Fitues i edicionit të sivjetshëm u shpall maratonisti nga Maqedonia, Aleksandar Kiradjiev, me rezultatin 2:42:45. Pas tij u renditën Aleksandar Decani nga Kosova dhe Zheljko Milloviq nga Mali i Zi.
Edhe në kategorinë e femrave ka fituar maratonistja maqedonase Biljana Karadjieva. Vendin e dytë dhe të tretë e zunë Qëndresa Ramadani dhe Rita Zeqiri nga Kosova.
Maratonistëve u është bërë një pritje e ngrohtë nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, dhe nëpunësit e kësaj bashkie, ku edhe është zhvilluar ceremonia e ndarjes së çmimeve për fituesit, si dhe e medaljeve dhe diplomave për të gjithë pjesëmarrësit. Çmimet janë dorëzuar nga kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, dr. Ilir Çapuni, dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika.
Me këtë rast, kryetari i KKSH-së i ka ndarë në emër të këtij institucioni Mirënjohje alpinistes së njohur nga Kosova, Arineta Mulës, pjesëmarrëse në maratonë, me motivacion “për afirmimin e alpinizmit shqiptar në botë dhe të Maratonës së Pavarësisë Ulqin-Shkodër”.
Pjesë e maratonës sivjet kanë qenë edhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Ulqinit, të cilët kanë vrapuar në 1000, respektivisht 1500 metra, duke ia shtuar bukurinë këtij aktiviteti.
Maratona e Pavarësisë organizohet nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit dhe Bashkinë e Shkodrës. Ajo ka filluar në mënyrë simbolike në vitin 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, nga dy maratonistë të pasionuar shqiptarë nga Ulqini, të cilët jetojnë në SHBA. i. k.