Ky është vetëm fillimi

Ai sot konsiderohet një ndër futbollistët më me perspektivë të brezit të tij në Mal të Zi, falë paraqitjeve të sigurta, disiplinës taktike dhe pjekurisë në lojë

Futbolli ulqinak vazhdon të nxjerrë talente premtuese, ndërsa një nga emrat që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje është 18-vjeçari Liburn Lazoja.
I lindur më 24 shkurt 2008 në Ulqin, ai sot konsiderohet një ndër futbollistët më me perspektivë të brezit të tij në Mal të Zi, falë paraqitjeve të sigurta, disiplinës taktike dhe pjekurisë në lojë.
Aktualisht pjesë e KF “Otrant-Olympic”, klub që garon në Ligën e Dytë të Malit të Zi, Lazoja ka ndërtuar profilin e një lojtari modern mbrojtës – i aftë të luajë si mesfushor qendror me detyra mbrojtëse, por edhe si mbrojtës i qendrës, falë fizikut të fuqishëm dhe leximit të shkëlqyer të lojës.
Me gjatësi rreth 190 centimetra dhe fanellën me numër 62, ai shquhet për lojën e fortë në ajër, ndërhyrjet e pastra dhe qetësinë në momentet vendimtare.
“Që i vogël kam ëndërruar të luaj në nivele të larta. Çdo stërvitje për mua është një hap më afër atij qëllimi”, shprehet Liburni për gazetën tonë.

Nga klubi “Akademia” – Ulqin tek ekipi i parë
Rrugëtimi i tij nisi në moshën 5-vjeçare në klubin “Akademia” – Ulqin, nën drejtimin e trajnerit Safet Kaleziq. Aty hodhi hapat e parë në futboll, duke treguar menjëherë seriozitet dhe përkushtim.
Më pas kaloi tek “Otrant-Olympic”, ku u formësua si futbollist dhe mori përgjegjësi të mëdha që në moshë të re. Si kapiten i ekipit të kadetëve, nën drejtimin e trajnerit Mehmed – Meto Divanoviq, ai u kthye në një nga shtyllat kryesore të skuadrës, duke spikatur jo vetëm për sigurinë në mbrojtje, por edhe për kontributin me gola në ndeshje të rëndësishme të kampionatit.
Në moshën 16-vjeçare, Lazoja nisi të stërvitej me ekipin e parë të KF “Otrant-Olympic”, duke u bërë një nga lojtarët më të rinj në përbërje dhe duke firmosur kontratë stipendimi valide nga gushti 2024 deri në korrik 2027 – një dëshmi e besimit që klubi ka ndaj tij.
“Është përgjegjësi e madhe të stërvitesh me ekipin e parë. Çdo ditë mëson diçka të re nga lojtarët me përvojë. Mundohem të jap maksimumin dhe të tregoj se e meritoj besimin”, thotë ai.

Ftesa në përfaqësuese – konfirmim i talentit
Puna dhe përkushtimi i tij nuk kaluan pa u vënë re. Liburn Lazoja është përfshirë në listën e futbollistëve të rinj të përfaqësueses së Malit të Zi për grupmoshat U18, duke qenë pjesë e grumbullimeve për ndeshje miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje-Hercegovinës.
Ftesa në përfaqësuese konsiderohet një hap i madh në karrierën e tij dhe një konfirmim i cilësive që ai zotëron.
“Të veshësh fanellën e përfaqësueses është nder dhe motivim shtesë. Është një ndjenjë që nuk përshkruhet lehtë me fjalë. Dua ta përfaqësoj vendin tim me dinjitet”, thekson Lazoja.

Krenari për Ulqinin
Suksesi i tij është njëkohësisht krenari për Ulqinin, qytet që vazhdon të dëshmojë traditë në nxjerrjen e futbollistëve cilësorë. Ai përfaqëson modelin e një brezi të ri që me disiplinë, punë dhe ambicie synon majat e futbollit profesionist.
Në një moshë kur shumë të rinj ende kërkojnë identitetin e tyre sportiv, Liburn Lazoja tashmë ka hedhur themele të forta për një karrierë premtuese. Me hapa të sigurt, ai po troket në dyert e futbollit të madh – dhe nëse vazhdon me të njëjtin ritëm, emri i tij pritet të dëgjohet gjithnjë e më shpesh, jo vetëm në Ulqin, por edhe në arenën ndërkombëtare.
“Ky është vetëm fillimi”, përfundon ai me vendosmëri.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat