Largimi i trajnerit të kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, pas fitores së thellë me rezultatin 3-0 ndaj Izraelit në Tel Aviv, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Botëror “Rusi 2018”, ka hapur dilemën se kush do të jetë pasardhësi i tij në stolin kuqezi.
Në fakt, largimi i De Biasit ishte i pritur, por mendohej se ai do t’i çojë deri në fund ndeshjet eliminatore. Por pas pesë ndeshjeve të humbura nga Shqipëria, në ndeshjet zyrtare dhe ato miqësore, para ndeshjes me Izraelin, dukej që era e De Biasit ka përfunduar dhe se Shqipërisë i nevojitet një frymë e re.
De Biasi do të mbahet mend si trajneri që shënoi suksesin më të madh në historinë e futbollit shqiptar, duke arritur që ta kualifikojë për të parën herë Shqipërinë në Kampionatin Evropian “Francë 2016”. Pavarësisht se Shqipëria nuk arriti të kalojë grupin në Kampionatin Evropian, ajo nuk zhgënjeu në tri ndeshjet e luajtura, duke arritur një fitore dhe dy humbje.
De Biasi krijoi një ekip që nuk shquhej për emra, por për lojën kolektive. Ai imponoi stilin e njohur të lojës italiane, me mbrojtje të fuqishme dhe të disiplinuar, e cila u tregua e suksesshme në shumë ndeshje.
Falë këmbënguljes së tij, një pjesë e mirë e lojtarëve të rinj, të rritur apo që luajnë jashtë, u afruan me kombëtaren shqiptare. Ata sot përbëjnë bërthamën e ekipit kombëtar.
Ai arriti që t’i bëjë krenarë shqiptarët duke bërë që tribunat e stadiumeve ku luante Shqipëria të ishin përplot me tifozë shqiptarë që e ndiqnin kudo atë. Shqipëria nuk konsiderohej më një ekip i lehtë edhe nga ekipet më të mëdhenj botërorë.
Rezultatet e arritura nga De Biasi bëjnë që pasardhësi i tij në stolin kuqezi ta ketë të vështirë pasi që pritjet janë të mëdha.
Sfida e parë e trajnerit të ri janë ndeshjet në vazhdim të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, dy prej të cilave kundër Spanjës dhe Italisë, disa herë kampionë të botës. Shanset për t’u kualifikuar në Botërorin “Rusi 2018” janë teorike, por Shqipëria do të përpiqet që të paktën të sigurojë vendin e tretë në grupin G. Ndërsa për trajnerin e ri, këto ndeshje do të shërbejnë për njohjen e ekipit dhe skicimin e planeve për të ardhmen.
Vetë De Biasi ka deklaruar se “janë tre ose katër emra që qarkullojnë… italianë ose me origjinë italiane,… Kandidati që po kërkohet është një trajner jo i ri, me një përvojë që vlerësohet”.
Ditëve të fundit është folur shumë në media për mundësinë e uljes së Filippo Inzaghit në stolin e kombëtares kuqezi, si i preferuari i kryetarit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka.
Por ky opsion ka rezultuar i pasuksesshëm, pasi që trajneri italian ka deklaruar se do të vazhdojë te Venezia, të cilën arriti që pas 12 vjetësh ta kthejë në Serinë B.
Ajo që dihet tashmë dhe që është pothuajse e sigurt është se pasardhësi i Giani De Biasit do të jetë një i huaj, me shumë gjasa sërish italian. i. k.