Kraja ruan fronin

Ekipi “Kraja”, i përbërë kryesisht prej lojtarëve nga Kosova, arriti të ruajë fronin, duke u shpallur edhe këtë vit kampion. Në ndeshjen finale “Kraja” ka fituar “Ulqinin” me rezultatin 3:2. Vendi i tretë i ka takuar ekipit “Pablo’s Bar”, i cili ka fituar ekipin “Zogaj” pas gjuajtjes së penalltive. Në kohën e rregullt rezultati ishte i barabartë 6:6

Turneu Ndërkombëtar Tradicional “Ulqini Open 2025”, i cili u zhvillua më 5-18 janar në sallën e sportit të shkollës fillore “Mareshali Tito” në Ulqin, tuboi edhe këtë vit lojtarët më të mirë të futbollit të vogël nga disa vende të rajonit: Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Ekipi “Kraja”, i përbërë kryesisht prej lojtarëve nga Kosova, arriti të ruajë fronin, duke u shpallur edhe këtë vit kampion. Në ndeshjen finale, e cila është luajtur të shtunën mbrëma (18 janar 2025), “Kraja” ka fituar “Ulqinin” me rezultatin 3:2.
Vendi i tretë i ka takuar ekipit “Pablo’s Bar”, i cili ka fituar ekipin “Zogaj” pas gjuajtjes së penalltive. Në kohën e rregullt rezultati ishte i barabartë 6:6.
Fituesit të turneut i ka takuar shpërblimi prej 3 000 euro, vendit të dytë 1 000 euro, ndërsa vendit të tretë 500 euro.
Lojtari më i mirë i turneut është shpallur Ramadan Alaj nga ekipi “Kraja”. Edhe portieri më i mirë, Bajram Ramadani, është zgjedhur nga ekipi “Kraja”. Golashënuesi më i mirë i turneut është zgjedhur Enis Lamoja nga “Pablo’s Bar”, lojtari më me perspektivë Besart Elezaga nga ekipi “Turtulleshi”, kurse trajneri më i mirë Igor Matunoviq, trajner i ekipit “Pablo’s Bar”. Dy çmime të tjera janë ndarë për ekipet “Rrogathi” nga Tuzi, të cilit i ka takuar Çmimi për ekipin Fair Play të turneut, dhe “Turtulleshi”, si ekipi më simpatik i turneut.
Në turne kanë marrë pjesë 16 ekipe nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova. Ai është zhvilluar në dy faza, ku në fazën e parë ekipet janë ndarë në katër grupe me nga katër ekipe, kurse në fazën e dytë në katër grupe me nga tre ekipe, ku dy ekipet e para janë kualifikuar në çerekfinale.
Krahas turneut për të rritur është zhvilluar edhe turneu për grupmoshat e reja.
Përpos ajkës së lojtarëve të futbollit të vogël nga vendi dhe rajoni, gjatë mbrëmjeve të ndeshjeve turneu ka grumbulluar me qindra e mijëra sportdashës dhe tifozë.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat