Mund ta quani diplomaci të xhudos. Kosova, vendi ballkanik që ka tendencë të prodhojë disa nga problemet më të pazgjidhshme të rajonit, ka fituar vëmendje ditët e fundit për kampionet e saj të xhudos në Lojërat Olimpike të Tokios. Miliona njerëz shikuan javën e kaluar kur dy vajza të Kosovës, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, fituan medalje të arta në kategoritë e tyre.
Dy medalje të arta mund të mos jenë gjë e madhe për ekipet e mëdha olimpike si Kina ose SHBA-ja, por ky sukses është lloji i arritjes që mund ta vendosë një vend të vogël si Kosova në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe të ndihmojë në ndryshimin e reputacionit të saj. Triumfet e kanë vënë Kosovën ndër vendet kryesore në Lojërat Olimpike të Tokios, kur bëhet fjalë për medaljet e arta të fituara për kokë të banorit.
“Fitoret si kjo na bëjnë të harrojmë se jemi të vegjël dhe na bëjnë mjaft mirë për të luftuar kundër shteteve të mëdha”, tha Kushtrim Krasniqi, zyrtar për shtyp në Komitetin Olimpik të Kosovës.
Dhe kjo është pikërisht ajo që Kosova po përpiqet të bëjë në disa fronte. Vendi ka zhvilluar një fushatë shumëvjeçare për të fituar njohjen ndërkombëtare si një shtet i pavarur – dhe përfundimisht të bashkohet me organizatat kryesore si OKB-ja dhe BE-ja. Aktualisht rreth 100 vende e njohin pavarësinë e Kosovës, por përpjekja për t’u bashkuar me OKB-në ka hasur në mur, për shkak të kundërshtimit nga armiku i luftës, Serbia dhe aleatët e saj, siç është Rusia.
Ngurrimi i Serbisë për të njohur Kosovën u pasqyrua në raportet e lajmeve mbi fitoret në Tokio, duke shfaqur tituj të tillë si: “E ashtuquajtura Kosova fiton të artën në Tokio” dhe duke iu referuar vendit si “krahina jugore e Serbisë” – pavarësisht se Kosova dhe Serbia konkurrojnë kundër njëra-tjetrës dhe garojnë veç e veç.
Transmetuesi publik serb RTS, ndërpreu befas transmetimin e meçit në të cilin Gjakova e fitoi medaljen e artë, duke pretenduar se i mungonte ekuipazhi në terren.
“Ne i transmetojmë të gjitha ndeshjet dhe duelet për medalje, madje edhe ato të Kosovës së vetëshpallur”, tha redaktorja e lajmeve, Olivera Kovaçeviq, për Radion Evropa e Lirë.
Anëtarësimi në BE për Kosovën duket një perspektivë shumë e largët. Bisedimet e sponsorizuara nga BE-ja për të prodhuar një zgjidhje të përhershme midis Kosovës dhe Serbisë si një hap në rrugën e gjatë për t’u bashkuar me bllokun e vendeve tjera, nuk kanë shkuar askund prej vitesh. Sidoqoftë, Kosova ka pasur më shumë sukses duke hyrë në organizatat kryesore sportive, siç janë ato të futbollit – FIFA e UEFA – dhe Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC).
Kampionet e Lojërave të Tokios po ndjekin gjurmët e një ylli tjetër të xhudos në Kosovë, Majlinda Kelmendi, e cila fitoi të artën në Lojërat Olimpike “Rio 2016” dhe ishte kampionia e parë botërore në xhudo e Kosovës.
Të tri medalistet e arta kosovare ndajnë një qytet të lindjes, Pejën dhe një trajner, Driton Kukën. Në fakt, ato të gjitha jetojnë rreth 300 metra nga vendi ku stërviten. Peja është qyteti më perëndimor i Kosovës dhe rrethohet nga male të thepisura dhe gryka të thella që shtrihen përgjatë kufirit të saj me Shqipërinë.
(Përshtatur nga Politico.eu)
Kosova fiton njohjen ndërkombëtare…
Dy medalje të arta mund të mos jenë gjë e madhe për ekipet e mëdha olimpike si Kina ose SHBA-ja, por ky sukses është lloji i arritjes që mund ta vendosë një vend të vogël si Kosova në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe të ndihmojë në përmirësimin e reputacionit të saj. Triumfet e kanë vënë Kosovën ndër vendet kryesore në Lojërat Olimpike të Tokios, kur bëhet fjalë për medaljet e arta të fituara për kokë të banorit
