Garuesit e Klubit të Taewondosë “Ulqini” kanë fituar katër trofe në Turneun e 12-të Ndërkombëtar “Millenium Open”, që është mbajtur të shtunën në Vrshac të Serbisë.
“Ulqini” ka zënë vendin e dytë në renditjen e përgjithshme, vendin e parë në kategorinë e juniorëve, si dhe vendet e dyta në kategorinë e seniorëve dhe kadetëve në disiplinën e formave.
KT “Ulqini” ka fituar gjithsej 11 medalje, prej të cilave shtatë medalje të arta, një medalje të argjendtë dhe tri medalje të bronzta. Me medalje të arta në disiplinën e formave janë kurorëzuar Amra Dushku, Medina Kanaqeviq, Sara Kraja, Merisa Malokraja, Ardit Dervishi, Dorian Vukaj dhe Amell Nuti, ndërsa në disiplinën e garimit medalje të argjendtë ka fituar Enes Dushku, kurse medalje të bronzta Amella Nuti, Hava Malokraja dhe Bledar Kasmi.
KT “Ulqini” është përfaqësuar me 14 garues në këtë turne, ku kanë marrë pjesë 855 sportistë të 68 klubeve nga tetë vende.
Turneu është mbajtur sipas rregullave të parashikuara me protokollin kundër COVID-19.
Trajneri i KT “Ulqini”, Fikret Dushku, thekson se është krenar për rezultatet e sportistëve të këtij klubi, të cilët janë ngjyrë pozitive e qytetit të Ulqinit.
Në emër të KT “Ulqini”, ai falënderon për mbështetjen Fabrikën e Mobiljeve “Kurti”, “Vero-Al”, “Ciling”, “Hana Tours”, si dhe shoqërinë nga Nju Jorku.
(Kohapress)