Nga 26 deri më 29 shtator 2025, Ulqini u bë kryeqyteti i sportit, miqësisë dhe emocioneve. Për katër ditë me radhë, qyteti i lashtë priti me krenari legjenda të sportit nga të gjitha hapësirat e ish-Jugosllavisë, të cilët u mblodhën për edicionin e katërt të Mondialit të Miqësisë.
Hapja solemne – “Organizator është populli”
Në emër të të gjithë ulqinakëve, të pranishmit në ceremoninë e hapjes i përshëndeti ideatori i manifestimit, Pavle Pepgjonoviq. Emocionet nuk munguan. Me zë të dridhur dhe sy të mbushur me lot, ai tha se ky manifestim nuk ka organizator, sepse organizator është populli.
“Janë njerëzit e Ulqinit, të gjithë Malit të Zi dhe rajonit. Kjo i tejkalon kufijtë e një njeriu të vetëm. Jam i lumtur dhe krenar për të gjitha fjalët që më drejtohen. Do të doja që babai im i ndjerë të ishte gjallë, qoftë edhe një orë, për ta parë këtë. Nëna ime, falë Zotit, është gjallë. Unë nuk jam organizatori – çdo nënë, motër, gjyshe ulqinake është organizatore. Unë jam vetëm më i ekspozuari, por energjia dhe dëshira janë të të gjithëve. Unë vetëm i mblodha dhe kjo u shndërrua në diçka të madhe”, ka thënë ai.
Me respekt të veçantë u drejtua edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.
“Në këtë qytet janë të mirëseardhur të gjithë ata që na duan të mirën dhe na respektojnë si vend që lidh shtetet dhe popujt. Përgëzoj organizatorët dhe uroj që detyrën ta kryejnë me nder, si nikoqirë të shkëlqyer”, ka thënë ai në fjalën e tij.
Në emër të Ministrisë së Sportit dhe Rinisë foli Millan Jançiq, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë për Infrastrukturë Sportive.
“Ky tubim i pazakontë i legjendave, që ‘pushton’ Ulqinin, është promocioni më i bukur i gjerësisë njerëzore, kujtesës dhe dashurisë. Ministria mbështet plotësisht iniciativat që bashkojnë gjeneratat e sportistëve dhe dashamirëve të sportit. Sporti është kulturë që nga rivalët krijon miq. Prandaj, miq të dashur, shijoni shoqërimin, gëzohuni me takimet dhe përcilljuni përshëndetje atyre që sot nuk janë këtu me ne. Ulqini dhe Mali i Zi janë shtëpi për çdo njeri dashamirës, ndërsa sportistët e mëdhenj janë gjithmonë njerëz të mëdhenj”, ka thënë Jançiq.
Legjendat në skenë
Pas fjalëve të ngrohta, skenën e pushtuan legjendat. Sivjet dominuan basketbollistët: Dragan Kiqanoviq, Zoran – Moka Sllavniq, Peter Vilfan, Nikolla Plleqash, Petar Popoviq, Mihovill Nakiq, Teoman Alibegoviq, Xhevad Alihoxhiq, Sejo Bukva, Boro Vuçeviq, Duje Krstulloviq, Branko Macura, Vllado Gjuroviq, Vlladisllav Lluçiq, Bratisllav Gjorgjeviq, Janez Drvariq, Sasha Obradoviq, Ferit Zekolli, Sllavko Cvitkoviq, Zhivko Garo Brajoviq, Gavrillo Pajoviq, Dragan Vukçeviq, Sead Shehoviq, Veselin Baroviq, si edhe menaxheri më i famshëm i basketbollit në botë, Mishko Razhnatoviq. Skenën e zbukuroi edhe ish-përfaqësuesja malazeze, Milka Bjellica.
Në emër të basketbollistëve foli Dragan Kiqanoviq.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu dhe që po shoh me sytë e mi atë për të cilën më kanë treguar. Ky është një tubim fenomenal. Jam i gëzuar që do të takoj miqtë e mi të vjetër, shokët e skuadrës, medalistët tanë të famshëm dhe sportistët e tjerë nga vaterpoloja, boksi… Falënderoj për ftesën – kur sheh gjithë këtë atmosferë, mbetesh pa fjalë”, ka thënë ai.
Futbolli, hendbolli, boksi – të gjithë së bashku
Nga futbolli erdhën emra të mëdhenj, si: Ivan Gudel, Ivica Shurjak, Nikica Cukrov, Budimir Vujaçiq, Lubomir Radanoviq, Stanisllav Karasi, ndërsa për herë të parë mori pjesë edhe Mirosllav Gjukiq, i cili falënderoj për ftesën, ambientin e mrekullueshëm dhe “dashurinë që na dhatë”.
“Të gjithë ndihemi si në shtëpi dhe jam i kënaqur me mesazhin që i dërguam botës”, është shprehur ai.
Një moment i veçantë ishte prezantimi i Lino Çervarit, i cili promovoi librin e tij “Rrugëtimi i hendbollit drejt majës – Sekreti i suksesit”.
“Edhe pse këtu ka kaq shumë basketbollistë të mëdhenj, edhe ne nuk kemi arsye të ndihemi më të vegjël. Hendbollistët nga këto troje katër herë kanë qenë kampionë olimpikë, disa herë kampionë bote… Unë nuk turpërohem ta them që kam mësuar nga basketbollistët – nga Zhelko Obradoviq, nga profesori Aleksandar Nikoliq. Sekreti i suksesit është te bashkimi, te puna dhe besimi te fëmijët tanë. Ata kanë vetëm nevojë për një shans”, ka thënë trajneri i mirënjohur kroat i hendbollit, disa herë kampion evropian dhe botëror me ekipin e Kroacisë.
Edhe ish-hendbollisti Nedelko Jovanoviq shprehu kënaqësinë e tij.
“Në atë shtetin e vjetër kishim gjithçka pranë dhe gjithmonë gëzoheshim për fitoret e sportistëve tanë. Ky tubim dëshmon se sporti nuk njeh kufij, se nuk ka rëndësi kombësia. Siç tha një zotëri, kombësia e tij është basketbolli – unë them kombësia ime është hendbolli. Ashtu duhet ta shohim njëri-tjetrin. Shpresoj të jem pjesë e këtij mondiali edhe vitin tjetër”, ka theksuar ai.
Nga boksi, një nga zërat më të fortë ishte legjenda e këtij sporti, Miodrag Perunoviq.
“Isha këtu edhe vitin e kaluar dhe jam krenar që jam pjesë e një manifestimi që bashkon hapësirën e ish-Jugosllavisë. Një manifestim që na mbledh së bashku, që na jep mundësinë të ndajmë kujtime dhe të ndiejmë shpirtin e përbashkët. Çdo mirënjohje Pavles, Ulqinit dhe ulqinakëve. E rëndësishme është që kjo traditë të vazhdojë dhe brezat e rinj të na trashëgojnë”, ka thënë ai.
Mbyllja – “Do të shihemi sërish”
Në mbrëmjen e fundit, të dielën, 29 shtator 2025, në orën 22:00, mbi Kalanë e Vjetër shpërtheu një fishekzjarr madhështor. Si simbol që zëri i Mondialit u dëgjua përtej kufijve të rajonit.
Në vend të ndarjes, sportistët dhe mysafirët në hotelin “Pallati Venezia” dhanë premtimin e përbashkët: “Do të vijmë sërish”.
Organizimi i këtij viti u vlerësua si “një sukses i plotë”, falë energjisë, mikpritjes dhe unitetit të ulqinakëve. Vetë Pepgjonoviq theksoi:
“Unë jam i lumtur dhe i përmbushur. Gjithmonë them: ky mondial nuk ka pronar, as arkitekt, as organizator. Ai thjesht ndodhi. Është mënyra e jetesës së ulqinakëve. Nga një mision që dukej i pamundur më 2022, shikoni ku kemi arritur sot”.
Mesazhi final
Legjenda të sportit – nga basketbolli, hendbolli, futbolli, vaterpoloja, atletika, boksi e mundja – të gjithë u mblodhën në Ulqin për katër ditë. Gazetarë nga i gjithë rajoni raportuan për këtë ngjarje, duke e bërë reklamën më të bukur për qytetin bregdetar.
Dhe mesazhi i fundit, i thjeshtë dhe i fuqishëm, u dërgua nga Ulqini për mbarë botën:
“Shihemi vitin e ardhshëm!”
D. Teliqi
