Kampioni shqiptar që ngriti lart Ulqinin në arenën ndërkombëtare

Alfred Koci prej vitesh njihet si një nga kampionët më të suksesshëm të kikboksit në Mal të Zi. Ai ka marrë pjesë në shumë turne ndërkombëtare, duke e vendosur emrin e tij mes sportistëve më të respektuar të rajonit. Përkushtimi i tij në stërvitje, serioziteti dhe disiplina e kanë bërë shembull për të rinjtë që ëndërrojnë të ndjekin rrugën e sporteve marciale

Spektakli i parë i BKFC-së (Bare Knuckle Fighting Championship), i mbajtur në Mal të Zi në fund të muajit gusht, solli emocione të forta për publikun sportdashës. Por një nga emrat që u dallua mbi të gjithë ishte Alfred Koci, shqiptari nga Ulqini, i cili me guxim, forcë dhe zemër arriti një fitore të madhe ndaj serbit Kristijan Jevtoviq, duke e mposhtur me nokaut teknik në raundin e tretë.

Hyrja që elektrizoi publikun
Koci hyri në ring si një kampion i vërtetë. Ai u shoqërua nga kënga e Klubit të Kikboksit “Albulena”, ndërsa mbante në kokë përkrenaren e Skënderbeut, simbol i historisë dhe krenarisë shqiptare. Ky gjest nuk ishte rastësor, por i menduar deri në detaj.
“E bëra si një dhuratë për 30-vjetorin e klubit ‘Albulena’, aty ku u rrita dhe u formova si sportist. Ky klub është themeli im dhe gjithçka që kam arritur ia dedikoj atij, trajnerëve dhe shokëve të mi të palestrës”, u shpreh Koci pas fitores.

Një emër i madh i kikboksit në Mal të Zi
Alfred Koci prej vitesh njihet si një nga kampionët më të suksesshëm të kikboksit në Mal të Zi. Ai ka marrë pjesë në shumë turne ndërkombëtare, duke e vendosur emrin e tij mes sportistëve më të respektuar të rajonit. Përkushtimi i tij në stërvitje, serioziteti dhe disiplina e kanë bërë shembull për të rinjtë që ëndërrojnë të ndjekin rrugën e sporteve marciale.
Alfredi është një sportist i lindur. Ka karakter të fortë, nuk dorëzohet lehtë dhe gjithmonë lufton deri në fund. Ai është simbol i klubit ‘Albulena’ dhe krenari për të gjithë shqiptarët në Mal të Zi.

Mbështetja e familjes dhe emocioni i vëllait
Në këtë garë historike, përkrah tij ishte trajneri dhe njëkohësisht vëllai i tij, Françesko Koci. Edhe pse emocionet ishin të mëdha, Françeskoja nuk e fshehu krenarinë për suksesin e Alfredit.
“Nuk është e lehtë të shohësh vëllain në dyluftime të tilla, sepse ky është një sport me shumë rrezik. Por Alfredi ka treguar se është i fortë, i përgatitur dhe mbi të gjitha i vendosur. Jam jashtëzakonisht krenar për të dhe për gjithë rrugëtimin e tij”, shprehet ai.
Pas triumfit, Koci nuk harroi t’i drejtohej qytetit të tij me një mesazh mirënjohjeje.
“Fitoren ia dedikoj Ulqinit dhe gjithë shqiptarëve që më kanë mbështetur. Dua t’i falënderoj nga zemra për përkrahjen, sepse pa ju nuk do të isha këtu ku jam sot. Ju më jepni forcë dhe motivim që të ngjitem gjithmonë më lart.”
Fitorja e Alfred Kocit në Budva nuk ishte thjesht një sukses personal. Ajo shënoi një moment të rëndësishëm për sportin shqiptar në Mal të Zi dhe për gjithë të rinjtë që shohin tek ai një shembull të suksesit përmes punës, disiplinës dhe dashurisë për sportin.
Koci tashmë konsiderohet si një nga figurat më të rëndësishme të kikboksit në rajon dhe çdo dalje e tij në ring mbetet një ngjarje e veçantë që ngjall emocione, krenari dhe frymëzim.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat