Homazh për shahistin e njohur të Krajës

Pas një gare të ashpër, e cila zgjati mbi gjashtë orë, fitues i turneut përkujtimor doli Agim Cani. Vendin e dytë e zuri Fadil Senika, ndërsa të tretin Xhevat Kaca. Sipas organizatorit, turneu përkujtimor “Hajdar Mujeziqi” do të jetë tradicional dhe në të ardhmen do të ketë përmasa jo vetëm lokale por edhe më gjerë

Të mërkurën, më 27 korrik 2025, në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Ostros u organizua Turneu përkujtimor i shahut “Hajdar Mujeziqi. Ky aktivitet i rrallë u inicua nga Fadil Senika dhe Myzafer Koliqi në shenjë përkujtimi të shahistit të njohur të Krajës, Hajdar Mujeziqi, i cili ndërroi jetë dy vjet më parë (më 26 tetor 2023, në Nju Jork). Në të njëjtën kohë, u bë edhe një homazh për të kujtuar veprën jetësore të Hajdarit.
Një biografi të shkurtër për jetën dhe veprimarinë e tij, e shpalosi me këtë rast në pika të shkurtra Ali Gjeçbritaj, koleg dha bashkohanik i tij.
Ai mes tjerash tha: “Unë Hajdarin e kam pasur shok, koleg pune në shkollë, kemi ndjekur të njëjtën shkollë, kemi qenë mësues dhe për shumë vjet kemi punuar në të njëjtën shkollë. Po kush ishte Hajdar Mujeziqi? Përveçse mësues, ka qenë edhe personalitet i shquar në lojën e lashtë me figura të shahut.
Hajdari, i biri i Hysejnit dhe i Hazizes, ka lindur më 20.02.1956 në Qyrjan – Martiq, ku edhe jetoi pjesën më të madhe të jetës. Shkollën fillore e ka kryer në Ostros, më 1971, ndërsa Shkollën Normale në Gjakovë më 1976. Ka filluar punën në shtator të vitit 1976 në shkollën fillore “Bratstvo Jedinstvo” në Gjuraç, në paralelen e ndarë në Muriq Poshtë (Vërri). Në vitin 1999 transferohet në shkollën fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Ostros dhe punon në paralelen e ndarë në Ftjan e më vonë në Bobosht”.
Ai kujtoi fjalët e kolegut dhe shokut të tij kur fliste për rrugëtimin jetësor:
“Në moshën njëzetvjeçare e kam kryer shkollën normale ‘Hysni Zajmi’ në Gjakovë. Pas përfundimit të Normales, menjëherë jam punësuar në shkollën fillore ‘Bratstvo-Jedinstvo” në Gjuraç, në paralelen e ndarë në Muriq Poshtë, ku mësimi zhvillohej atëbotë në gjuhën amtare shqipe. Procesi mësimor në shkollën qendrore në Gjuraç zhvillohej në gjuhën serbokroate. Në moshën hiç më shumë se njëzetvjeçare, e deshti fati mësimi në paralelen e ndarë në Muriq Poshtë u kthye në gjuhën amtare shqipe, pikërisht më 1976, kur unë u punësova. Në Muriq kam punuar me sukses trembëdhjetë vite të plota. Pas trembëdhjetë viteve, shkolla në këtë lokalitet, pra paralelja në gjuhën shqipe u kthye në gjuhën serbokroate dhe unë mbeta pa punë, gjegjësisht u shpalla tepricë teknologjike. Një vit shkollor mbeta pa punë. Në vitin 1992, për shkaqe ekonomike dhe politike u detyrova me familjen time të emigroj në shtetet skandinave – në Suedi, Norvegji e Danimarkë. Atje kam qëndruar dy vjet.
Kërkova azil politik, por nuk arrita ta fitoj atë me pretekst se në Malin e Zi nuk zhvilloheshin atëbotë konflikte të armatosora dhe nuk kishte luftë. Me familjen u detyrova të kthehem në vendlindje në gjendje aspak të lakmueshme ekonomike.
Në vitin 1995 u punësova në Ljare. U detyrova që mësimin ta mbaj në gjuhën serbokroate, ngase në Ljare mësimi nuk zhvillohej në gjuhën amtare shqipe. Kam punuar atje katër vjet. Pas gjithë peripecive që m’i kurdisi jeta, në shtator të vitit 1999 tranferohem në shkollën ‘Gjergj Kastrioti – Skënderbeu’ në Ostros dhe caktohem që të punoj në paralelen e ndarë në Ftjan. Shqetësues është fakti se numri i nxënësve në këtë pralele ka ardhur duke rënë për çdo vit, kështu që shkolla mbetet vetëm me një nxënës”.
Pasi që paralelja e ndarë në Ftjan mbyllet, Hajdari transferohet në paralelen e ndarë në Bobosht, ku punoi deri në daljen në pension më 2020. Deri në vitin 2021, ditët e pensionimit i kaloi në vendlindje e pas kësaj emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u bashkuar me familjen e ngushtë (fëmijët), të cilët kishin emigruar më herët. Dy vitet e fundit të jetës i kaloi atje, i përmalluar për vendlindjen – Krajën e tij të dashur. Atje ish-nxënësit e tij e pritën me respekt. Për fat të keq, shpejt edhe ndërroi jetë larg vendlindjes që e deshi aq shumë. Ai iku në amshim, por pas la veprën e tij.
Si Hajdari ishin edhe mësimdhënësit e brezit të artë të arsimit, kulturës, artit, sportit në Krajë. Hajdari veçohej nga të tjerët në lojën e shahut dhe në disiplina të tjera sportive që organizoheshin në Krajë dhe më gjerë. Në lojën e shahut nuk ia kalonte njeri. Dallohej po ashtu edhe për humorin e tij të mprehtë. Nëse ndokush nga brezi i tij dallohej për virtytet e larta njerëzore, pa asnjë dyshim se në ballë të tyre ka qenë Hajdari Mujeziqi. Mësuesi dhe shahisti, me punën e tij ka kontribuar shumë në trashëgiminë, ruajtjen, kultivimin e gjuhës, kulturës, traditës, qenies kombëtare, këtë përmes mësimdhënies dhe aktiviteteve tjera jashtë shkollës.
Folën me këtë rast edhe nismëtarët e këtij aktiviteti – Fadil Senika, i cili Hajdarin e vlerësoi si një bohem të rrallë. Myzafer Koliqi, në cilësinë e organizatorit, e hapi turneun dhe shtoi se ky turne përkujtimor do të jetë tradicional.
Organizatori në mënyrë simbolike dekoroi mësuesin veteran dhe shahistin më të vjetër në Krajë, Beqir Haxhimuratin.
Pas homazhit dhe ceremonisë së hapjes, turneu vazhdoi me garën mes shahistëve të shumtë që morën pjesë në këtë manifestim. Pas një gare të ashpër, e cila zgjati mbi gjashtë orë, fitues i turneut përkujtimor doli Agim Cani. Vendin e dytë e zuri Fadil Senika, ndërsa të tretin Xhevat Kaca. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre deputeti Artan Çobi dhe kryetari i Bashkësisë Lokale Ostros, Beqir Berjashi.
Sipas organizatorit, turneu përkujtimor “Hajdar Mujeziqi” do të jetë tradicional dhe në të ardhmen do të ketë përmasa jo vetëm lokale por edhe më gjerë.

Ali Gjeçbritaj

Të fundit

më të lexuarat