Klubi i Taekwondosë “Besa” nga Malësia shënoi një tjetër sukses të rëndësishëm ndërkombëtar në turneun tradicional “Croatia Karlovac Open”, që këtë vit mblodhi mbi 650 garues nga 12 shtete të ndryshme.
Në këtë turne, që u zhvillua në qendrën sportive “Mlladost” në Karlovac dhe u organizua nga Klubi “Karlovac”, nën drejtimin e mjeshtrit të madh Prof. Miroslav Brezhan (9 Dan), morën pjesë 54 klube të taekwondosë.
Klubi “Besa”, me 12 sportistë pjesëmarrës, arriti të fitojë 7 medalje, duke dëshmuar nivel të lartë gare dhe përgatitjeje.
Sipas drejtuesit të Klubit “Besa”, Nikollë Gegaj, Rina Dreshaj u shpall e para në lufta, kategoria pionere -30 kg, ndërsa Hamza Pepiq gjithashtu zuri vendin e parë në lufta, pionier -57 kg. Lirie Dibra, në kategorinë juniore +68 kg, fitoi vendin e dytë në lufta dhe gjithashtu vendin e tretë në disiplinën forma. Mateo Vulaj zuri vendin e dytë në lufta, pionier -44 kg, kurse Nora Dreshaj fitoi vendin e tretë në disiplinën kick. Me sukses u paraqit edhe Barlet Bojaj, i cili fitoi vendin e dytë në forma për kadetë.
Ky turne tradicional që organizohet nga Klubi “Karlovac”, nën udhëheqjen e mjeshtrit të madh Prof. Miroslav Brezhan, dhe që është binjakëzuar me Klubin “Besa”, u realizua me një organizim të shkëlqyer teknik dhe pritje të ngrohtë në qendrën sportive “Mlladost”, për çka Klubi “Besa” shpreh falënderim të veçantë.
“Falënderim i veçantë u drejtohet edhe prindërve që mbështetën pjesëmarrjen e sportistëve të tyre në këtë garë ndërkombëtare”, theksoi Gegaj.
Ky sukses është dëshmi e punës së palodhur që po bën Klubi “Besa”, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë edukativ, dhe konfirmon përfshirjen serioze të të rinjve të Malësisë në garat ndërkombëtare të taekwondosë.
t. u.
