Fitues i 48 medaljeve, i treti në renditjen e përgjithshme

Klubi i Karatesë “Ulqini – Ana e Malit” është renditur në vendin e tretë në mesin e njëzet klubeve pjesëmarrëse në Turneun Ndërkombëtar të Karatesë “Kupa e Qytetit të Kotorrit”, që është mbajtur të dielën, më 29 tetor 2023. Garuesit e këtij klubi kanë fituar plot 48 medalje, prej të cilave 12 medalje të arta, 21 medalje të argjendta, 15 medalje të bronzta si dhe një kupë për vendin e tretë në renditjen e përgjithshme. Ai është përfaqësuar me 23 garues, kurse medalje kanë fituar: Arlinda Gjeloshi dhe Qazim Gjeloshi nga tri medalje të arta dhe një medalje të bronztë, Rinor Kurti – dy medalje të arta dhe një medalje të argjendtë, Uzejr Sella dhe Emir Rexha nga një medalje të artë dhe dy medalje të argjendta, Humeijra Duraku – një medalje të artë dhe dy medalje të bronzta, Amra Zeneli – një medalje të artë, Arjanita Suka – katër medalje të argjendta, Florian Ceka – dy medalje të argjendta dhe dy medalje të bronzta, Emir Islami – dy medalje të argjendta dhe një medalje të bronztë, Ajdin Islami – dy medalje të argjendta, Emirjona Ceka, Lijana Llolla dhe Erina Nika nga një medalje të argjendtë dhe një medalje të bronztë, Rumejsa Peri – një medalje të argjendtë, Beart Kasneci – tri medalje të bronzta, Ajra Veliq – dy medalje të bronzta, si dhe Elif Sellaj dhe Reina Peri nga një medalje të bronztë.
Në turne kanë marrë pjesë gjithsej 300 garues të 20 klubeve nga tri shtete.

(Kohapress)


Tradita e kampionëve në Anë të Malit vazhdon falë Fondit Humanitar “Trojet Tona”

Kah fundi i vitit 1989, Klubi i Karatesë “Ulqini” formoi seksionin e vet në Anë të Malit. Stërvitjet zhvilloheshin në Krythë dhe Katërkollë dhe në atë kohë karateja ishte i vetmi sport që ushtrohej në mënyrë të organizuar në Anë të Malit. Si klub i regjistruar në Ministrinë e Sporteve dhe Federatën e Karatesë së Malit të Zi, në mënyrë profesionale i udhëhiqte të rinjtë e Anës së Malit në turnetë e nivelit më të lartë në këtë sport. Nga kjo trevë sot ka shumë emra të njohur në sportin e karatesë, garues të njohur që mbajnë tituj nga të gjitha arenat vendore, kombëtare e ndërkombëtare. Sot nga këta garues kanë dalë trajnerë dhe referë të njohur në sportin e karatesë, të cilët vazhdojnë të punojnë me të rinjtë e mbarë Komunës së Ulqinit. Veprimtaria e seksionit të KK “Ulqini“ në Anën e Malit vazhdoi pandërprerë për 24 vite, deri në vitin 2013, kur për shkak të mungesës së sallës adekuate dhe kushteve të duhura për stërvitje, veprimtaria e klubit në Anë të Malit u ndërpre.
Pas një pushimi prej tetë vjetësh, në dhjetor të vitit 2021 Klubi i Karatesë “Ulqini – Ana e Malit” filloi përsëri me punën e vet në Anë të Malit falë kontributit të Fondit Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona”, përkatësisht bashkatdhetarëve tanë që kontribuojnë në këtë fond, të cilët ditën shumë mirë ku duhet të investohet, duke e menaxhuar me përkushtim dhe seriozitet kontributin e të gjithë atyre që e përbëjnë këtë fondacion përmes investimeve të shumta në vende e fusha ku është nevoja, me vëmendje të veçantë te nevojat e të rinjve tanë, për të siguruar një të ardhme të ndritur të shoqërisë dhe kombit tonë me një rini të shëndoshë.
Prandaj, mirënjohja dhe falënderimi i veçantë u dedikohet udhëheqësve të Fondit Humanitar Shqiptaro-Amerikan ”Trojet Tona”. Dita-ditës po dëshmohet qartë që kontributi i tij është në rrugë të drejtë që edhe të rinjtë e Anës së Malit të kenë mundësi përsëri të merren me sportin e bukur të karatesë si në çdo vend tjetër, me të gjitha kushtet e nevojshme dhe që kjo traditë në Anë të Malit të vazhdojë.

Të fundit

më të lexuarat